18 shkurt 2010

Nesër Kombëtarja mëson kalendarin e eliminatoreve

Nesër në Luksemburg do të përcaktohet kalendari i ndeshjeve të grupit D, në eliminatoret e kampionatit Europian “Euro 2012”.Trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe dhe presidenti i FSHF-së, Armando Duka, do të jenë pjesëmarrës në përcaktimin e radhës së kundërshtarëve të Kombëtares kuqezi në fushatën e eliminatoreve që fillon në shtator. Së bashku me ta do të jenë edhe krerët e futbollit të vendeve të tjera në grupin D (Franca, Rumania, Bosnja, Bjellorusia dhe Luksemburgu).
Do të jenë gjithsej 12 data të rezervuara për grupet. Ndeshjet mund të luhen në datat 3/4 dhe 7 shtator 2010, 8/9 dhe 12 tetor 2010, 25/26 dhe 29 mars 2011, 3/4 dhe 7 qershor 2011, 2/3 dhe 6 shtator 2011, 7/8 dhe 11 tetor 2011.
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, në konferencën për shtyp një ditë pas hedhjes së shortit në Varshavë, shprehu dëshirën për të pasur Francën si kundërshtar të parë, në mënyrë që të kalojë që në fillim skuadrën më të fortë të grupit. Kurse presidenti Duka theksoi se parapëlqen që ndeshjen e parë Kombëtarja të luajë në “Qemal Stafa”.