18 shkurt 2010

Duka-Vata-Halili, “tre moskëtierë” në garë për kreun e FSHF-së

E enjtja e 18 shkurtit 2010, ka qenë edhe dita e fundit, kur klubet apo shoqatat e futbollit shqiptar mund të bënin propozimet e tyre për presidentin e ri të FSHF-së, apo për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të federatës. Procedurë e cila është konsumuar nga të gjithë anëtarët me të drejtë vote në asamblenë zgjedhore të futbollit shqiptar, që do të mbahet me 9 mars në hotel “Adriatiku“ në Durrës. Nëse për anëtarë të komitetit ekzekutiv, organi më i lartë vendimmarrës në futbollin shqiptar, kanidaturat janë të shumta, të profesioneve nga më të ndryshmet, për postin e presidentit të FSHF-së janë ravijëzuar tri kandidatura, ajo e kreut aktual, Armand Duka, e ish-kapitenit më jetëgjatë të kombëtares kuqezi, Rudi Vata, dhe e presidentit të Tiranës, Refik Halili. Të tre personat në fjalë e kanë zyrtarizuar tashmë kandidimin e tyre përmes dërgimit të dokumentacionit përkatës në sekretariatin e FSHF-së, që ka protokolluar tërë këto ditë propozimet e klubeve dhe është marrë direkt me fazën pararendëse të fushatës zgjedhore. Sipas statutit të federatës, në nenet dhe pikat respektive për zgjedhjet e organeve drejtuese të futbollit shqiptar, kandidaturat dhe propozimet e klubeve, si për president, ashtu edhe për komitetin ekzekutiv, duhen bërë publike. Kandidatët, në fakt, e kanë nisur fushatën e tyre, duke lobuar me klube të ndryshme, për të fituar numrin e duhur të votave, me qëllim që të jenë ata fituesit. Sa i takon “luftës“ për presidentin e ri të FSHF-së, për katër vitet e ardhshme, duket se “temperatura“ do të jetë e lartë. Kreu aktual, Armand Duka, kërkon mandatin e tretë në këtë post, pasi i ka konsumuar dy të tillë, ndërsa rivalët e tij, Rudi Vata dhe Refik Halili, nga sa kanë komentuar në media, janë të gatshëm të bëjnë edhe kompromis, me synimin e vetëm, që të nxjerrin “jashtë loje“ Dukën. Duke e konsideruar këtë të fundit, sipas tyre, të keqen më të madhe të futbollit shqiptar, që nuk ka asnjë lidhje me këtë sport. Nga ana e tij, Duka, duke qenë pjesë e komunitetit futbollistik shqiptar prej 8 vitesh, duket se i ka pozitat të konsoliduara. Kjo duket edhe në numrin e madh të propozimeve që kanë bërë klubet, duke nominuar emrin e Armand Dukës si kandidat për president. Sidoqoftë, rivalët e tij duket se do ta fokusojnë fushatën e tyre mbi disa fakte, që zhvlerësojnë punën e Dukës në krye të futbollit shqiptar, sic mund të jetë niveli i dobët i kampionatit shqiptar, statuskuoja e kombëtares kuqezi, në vendin e parafundit në grup, pavarësisht se janë harxhuar qindra-mijëra euro për disa trajnerë të huaj, që nuk kanë lënë asnjë gjurmë në rezultatet e përfaqësueses, apo edhe fakti, se nuk i përket futbollit, as të luajtur, as të trajnuar. Rudi Vata, përmes deklarimeve të herëpashershme në shtyp, gjatë tërë kohës, ka qenë një kundërshtar i Dukës në mënyrën se si e ka drejtuar futbollin shqiptar. Tashmë kundërshtitë e tij, ish-kapiteni i kombëtares i zyrtarizon përmes sfidës që i bën në garën e radhës për president të FSHF-së. Po kështu, edhe Refik Halili, prej kohësh është profilizuar si një rival i presidentit Armand Duka, duke e akuzuar këtë të fundit edhe për abuzime me fondet e futbollit shqiptar.
Kujtojmë se numri i delegatëve që votojnë për presidentin e federatës, por edhe për anëtarët e rinj të komitetit ekzekutiv, është 65. Për t’u zgjedhur president, është e nevojshme marrja e 2/3 së votave. Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, këtë herë do të votohet sipas parimit një anëtar një votë, pra çdo klub apo shoqatë, anëtare e federatës, ka të drejtën vetëm të një vote. Më përpara, 12 klubet e Superligës kishin nga 2 vota, por kjo mënyrë u ndryshua me Asamblenë e 12 nëntorit 2008.

Cfarë thotë statuti për zgjedhjet

Sa u takon zgjedhjeve në futbollin shqiptar, po citojmë më poshtë pikat kryesore, lidhur me të drejtën e votës, emërimin si delegat në asamle, numrin dhe përcaktimin e delegatëve, numri i duhur i votave që duhet të marrë presidenti apo anëtarët e komitetit ekzekutiv etj.

NENI 9 Të drejtat e anëtarëve

e. Të propozojnë kandidatët për organet e FSHF-së për t’u zgjedhur në Asamblenë e Përgjithshme.
f. Të hartojnë propozime për axhenden e Asamblesë së Përgjithshme.

NENI 20 Emërimi i delegatëve

1. Anëtarët emërojnë delegatët e tyre zyrtarë të autorizuar për t’i përfaqësuar ata, në përputhje me Statutet e tyre.
2. Delegatët zyrtarë duhet të jenë të pajisur me një prokurë të dhënë nga organi i tyre i autorizuar. Ata gjithashtu duhet të kenë evidencë për ta provuar këtë ashtu si kërkohet sikurse edhe provë për identitetin personal të tyre.
3. Anëtarët janë tëë detyruar të dërgojnë listën e emrave të delegatëve të tyre në Sekretariatin e Përgjithshëm të FSHF-së jo më vonë se 20 ditë para datës së zhvillimit të Asamblesë.

NENI 21 Numri dhe përcaktimi i delegatëve

1. Numri i delegatëve për klubet e futbollit është përcaktuar në përputhje me pjesëmarrjen në sistemin e garave të FSHF-së si vijon:
a. Klubet e futbollit të kategorisë Superiore kanë secili nga nje delegat,(aktualisht 12 klube = 12 vota).
b. Klubet e futbollit të Ktegorisë Parë kanë secili nga një delegat, (aktualisht 18 klube = 18 vota)
c. Klubet e futbollit të Ktegorisë Dytë kanë secili nga një delegat, (aktualisht dy grupe me 25 klube secila = 25 vota).
2. Shoqatat specifike të futbollit kanë numrin e mëposhtëm të delegatëve:
a. Shoqata e Mjekësisë Sportive ka një delegat;
b. Shoqata e Arbitrave ka një delegat;
c. Shoqata e Trainerëve ka një delegat;
d. Shoqata e Minifutbollit ka një delegat;
3. Secili nga 8 rajonet futbollistike të Shoqatës së Futbollit Amatorë kanë nga një delegat.
4. Çdo delegat ka të drejtën e një vote dhe nuk mund të përfaqësojë më shumë se një anëtar.

NENI 22 Fushat e autoritetit (Kompetencat)

j. Zgjedh Presidentin dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv çdo katër vjet;

NENI 26 Numri i duhur i votave (Quorum)

1. Asambleja e Përgjithshme (e zakonshme ose e Jashtëzakonshme) mund të marrë vendime të vlefshme vetëm kur shumica absolute [50 %+1] e të gjithë anëtarëve të FSHF-së përfaqësohet nga delegatë të caktuar posaçërisht.
2. Nëse numri i duhur nuk arrihet, një Asamble e Përgjithshme e dytë duhet të mbahet 24 orë pas të parës me të njëjtin rend dite.
3. Nuk kërkohet shumicë për mbledhjen e dytë, përveç rasteve kur në rendin e ditës janë parashikuar:
a. Ndryshime të statuteve të FSHF-së;
b. Zgjedhja e presidentit të FSHF-së;
c. Zgjedhja e një anëtari të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së;
d. Pushimi i një ose më shumë anëtarëve të një organi të FSHF-së;
e. Përjashtimi i një anëtari të FSHF-së ose
f. Shpërbërja e FSHF-së;
4. Për këto pika të përmendura më sipër, nevojitet shumica e përcaktuar në paragrafin 1.

NENI 29 Zgjedhjet

3. Gjatë zgjedhjes së parë, Presidenti ka nevojë për 2/3 e votave të vlefshme me qëllim që të zgjidhet sipas rregullave. Në rastet kur asnjë nga kandidatët nuk arrin këtë shumicë, bëhet një raund i dytë zgjedhjesh midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në raundin e parë. Në raundin e dytë, kandidati që merr më shumë vota zgjidhet President. Në rastet e votave të barabarta, votimi do të përsëritet. Nëqoftëse edhe votimi i dytë përfundon me rezultat të barabartë, vendimi merret nëpërmjet hedhjes së shortit nga Sekretari i Përgjithshem dhe monitoruar nga Komisioni i Verifikimit.
4. Zgjedhja e anëtarëve të mbetur të Komitetit Ekzekutiv dhe anëtarët e Komisionit të Verifikimit, letra e zgjedhjeve konsiston në një listë të të gjithë kandidatëve (në rend alfabetik). Kandidati zgjidhet në raundin e parë nëse mbështetet nga një shumicë absolute e votave të vlefshme (p.sh 50% + një votë). Në qoftë se nuk ka kandidatë të mjaftueshëm që arrijnë një shumicë absolute për të mbushur vendet bosh, organizohet raundi i dytë për të cilin një shumicë e thjeshtë (më të shumtat e votave) mjafton për një kandidat që të zgjidhet. Në rast barazimi bëhet raundi i tretë për të cilin mjafton një shumicë e thjeshtë. Në rastin e një barazimi të mëtejshëm, rezultati i zgjedhjeve përcaktohet nëpërmjet hedhjes së shortit nga Sekretari i Përgjithshëm.

NENI 30 Përbërja

1. Komiteti Ekzekutiv përbëhet nga 11 anëtarë:
a. Presidenti
b. Dy zv/presidentë
c. Tetë anëtarë të thjeshtë
2. Presidenti i zgjedhur i Shoqatës së Arbitrave të Futbollit Shqiptar është në të njëjtën kohë automatikisht dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.
3. Një anëtar i FSHF-së mund të propozojë vetëm një kandidat për president ose një kandidat për vendet e mbetura në Komitetin Ekzekutiv.
4. Kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e mëposhtme:
a. Të jetë shtetas shqiptar dhe të banojë në Shqipëri;
b. Të mos jetë i dënuar për krim të rëndë;
c. Të lëshojë një deklaratë me shkrim se ai jep dorëheqjen nga funksionet brenda anëtarësisë së FSHF-së nëse zgjidhet;
d. Të jetë nën moshën 70 vjeç në datën që mbahet Asambleja e Përgjithshme Zgjedhore;
e. Kushte të tjera në lidhje me shkollimin apo kualifikimin e nevojshëm të përcaktuara në termat e referencës korresponduese të miratuara nga Komiteti Ekzekutiv.