04 shkurt 2010

Nedved: Hamsik, pasardhësi im te Juvja

Ish-mesfushori çek e këshillon “Zonjën” të marrë sllovakun e Napolit: Kemi karakteristika të njëjta

Në një moment të vështirë krize, çdo kush do ta kishte të vështirë të jepte këshilla për Juventusin. As ndryshimi në stol, me shkarkimin e Ferrarës dhe ardhjen e Zakeronit (të paktën për 4 muaj) nuk dha frytet e veta, gjë që u pa të dielën në mbrëmje kundër Lacios në Torino, me një barazim të thatë 1-1.

Por ka edhe nga ata që u rrjedh akoma “gjak bardhezi” në trup dhe e shohin të nevojshme ndërhyrjen e klubit në merkato, të paktën në verë. Pavel Nedved e njeh mirë Juventusin, në të mirë dhe në të keq. Ish-mesfushori çek, i cili nuk pranoi të punojë si drejtues klubi pas lamtumirës nga futbolli, ka një gjetje dhe një këshillë: “Hamsik është pasardhësi im i vërtetë”.

PASARDHËSI - Ish-mesfushori bardhezi, i cili akoma qahet nga tifozët e “Zonjës së vjetër”, lavdëron lojtarin sllovak, që po bën një figurë të mirë me fanellën “axurre” të Napolit në këtë kampionat: “Shoh shumë karakteristika të ngjashme mes meje dhe Hamsikut. Stili i tij i lojës ngjan shumë me mua. Edhe unë, si ai, luaja në krah të majtë dhe zbrisja në qendër më pas me topin. Ndër të tjera unë shënoja e pakta 10 gola në sezon, thuajse sa Mareku, që deri tani ka shënuar 7 gola me napoletanët”.

Ish-futbollisti çek, parashikon edhe një Botëror me nivel të lartë për Sllovakinë, e cila në grupin e saj do të ketë Italinë, Zelandën e Re dhe Paraguajin: “Besoj se mund të paraqitet vërtet mirë në Botërorin që vjen dhe të ketë një rol surprizë, - vazhdon Nedved. -Është një skuadër e re dhe e organizuar, me futbollistë që kanë të dëshirë të tregojnë diçka”. Përveç tetë sezoneve përmbyllëse të karrierës së tij të përjetuara me bardhezinjtë, fituesi i “Topit të artë 2003″ ka veshur fanellën e Dukla Pragës, Sparta Pragës e Lacios. Në palmaresin e tij figurojnë katër kampionate italiane (1 i hequr) dhe një Kupë Kupash me Lacion.

PACINI “VETOFROHET” - Xhiampaolo Pacini, që nga janari i shkuar kur zbarkoi në Gjenovë nga Fiorentina, është një “djalosh i ri”. Ka nisur të shënojë me vazhdimësi, u bë idhull i tifozëve të Sampit, është në listë për Botërorin në Afrikën e Jugut dhe nuk i mungojnë klubet që e kërkojnë. Juventusi dhe Çelsi prej kohësh kanë individualizuar tek ai njeriun e duhur për të përforcuar sulmin dhe qendërsulmuesi 25-vjeçar është i tërhequr nga këto zëra: “Është një përshtypje e bukur të kërkohesh nga Juvja, është një skuadër e madhe dhe ndihem i nderuar, - thotë Pacini. - Por janë vetëm gjëra që i lexoj në shtyp. Mua më pëlqen kampionati spanjoll dhe ai anglez, por parapëlqej të luaj në Itali, ku kam gjetur veten”.

EMERGJENCA - Juventusi ka rinisur stërvitjen dje në Vinovo. Pas stërvitjes së shkurtër të hënën, dje kanë munuar vetëm Melo dhe Diego, të cilët punuan në palestër. Zakeroni i kishte të gjithë lojtarët e gatshëm. Skuadra punoi më shumë në aspektin atletik, para ushtrimeve tekniko-taktike. Edhe dy javë dhe emergjenca e nisur në epokën Ferrara do të kalojë.

Kundër Livornos do të mungojnë Grigera e Sisoko, pasi janë të pezulluar. Në këto dy javë pritet të riaftësohen Kamoranezi, Iakuinta, Salihamixhiç, Trezege, Poulsen e Markizio. Katër mesfushorë nga gjashtë janë shumë për të filluar një mini-revolucion që do të pasojë mbrojtjen me tre lojtarë.