04 shkurt 2010

Kategoria Superiore ne GrandeJuve

Vllaznia: Tirana këtë radhë vlen më shumë se asnjë herë tjetër!

Vjet rivalizonte për titull, ndërsa sivjet është e detyruar të luftojë për të mbijetuar
Në pamje të parë, lufta në ndeshjen e së shtunës kundër bardhebluve do të zhvillohet me synim marrjen e tri pikëve të fitores, por në kampin shkodran nuk është krejt kështu. Ballafaqimi i radhës me Tiranën vlen shumë më tepër. Në të gjitha drejtimet, mbi të gjitha në atë të kthimit të besimit në vetvete. Skuadra që aktualisht drejtohet nga Edi Martini ka humbur pikërisht këtë, besimin. Ndryshimet e shumta që ajo pësoi në merkaton e janarit, priteshin të jepnin rezultatet e para, por në fakt, pas 180 minutash lojë, Vllaznia nuk ka marrë asnjë pikë.
Dy dështime njëri pas tjetrit, me Shkumbinin fillimisht dhe së fundi me Laçin, u kanë prishur humorin kuqebluve. Kjo u pa qartë edhe në analizën që ekipi ka zhvilluar ditën e martë me presidentin Fushaj. Ky i fundit është treguar edhe një herë tjetër shumë i matur, duke mos marrë asnjë masë ndëshkimore, por u ka dhënë futbollistëve edhe një shans tjetër. Për të gjitha këto, ndaj Tiranës patjetër që duhen pikët. Nuk do të ketë vend as për lojë të bukur dhe as për ndonjë gjë tjetër, thjesht do të kërkohen pikët maksimale, ato për të cilat skuadra ka shumë nevojë në këto momente.
Trajneri Martini që pas ndeshjes me Laçin ka punuar jo pak me lojtarët në aspektin psikologjik, në mënyrë që t’i bëjë ata të ndërgjegjshëm se i pret një ndeshje me shumë rëndësi, përpara së cilës kurrsesi nuk duhet dorëzuar.
Po ashtu, ka punuar edhe nga ana taktike me ekipin, sepse në takimin e fundit është parë qartë se në 20 minutat e fundit ai pati një shthurje të plotë taktike. Në atë ndeshje vetëm porta dhe sulmi kanë marrë vlerësime pozitive, ndërsa dy repartet e tjera kanë pasur shumë gabime dhe, për pasojë, është punuar për t’i rregulluar. Ballafaqimi i së shtunës me Tiranën ka një rëndësi shumë të madhe.
Nëse Vllaznia e humbet edhe këtë ndeshje, atëherë gjërat do të përkeqësohen më tepër dhe, për këtë arsye, e ardhmja e kësaj skuadre do të bëhet gjithnjë e më e zymtë. Shumë pozitiv është fakti që për këtë 90-minutësh trajneri Martini do t’i ketë të gatshëm të gjithë futbollistët, pasi kthehen nga skualifikimi Belisha, Leci e Rajoviç.
Duke qenë kështu, ai do të ketë mundësinë të hedhë në fushë formacionin më të mirë. Sigurisht, stafi drejtues ka marrë masat edhe për të shfryëtzuar mungesat e disa lojtarëve në kampin kundërshtar, por gjithsesi kjo nuk është gjithçka, sepse Tirana mbetet gjithnjë Tiranë, pavarësisht se çfarë formacioni do të hedhë në fushën e lojës. Aq më tepër kur përballë saj do të jetë një Vllazni edhe kjo me shumë probleme, jo formacioni, por mungesë rezultatesh dhe gjendej jo të mirë psikologjike.

Shkodranët, ankesë zyrtare për Kotheren e Taullaun

Klubi i futbollit “Vllaznia” dje ka dërguar kërkesën e tij zyrtare institucionit të futbollit shqiptar për pezullimin e shefit të arbitrave, Kotherja, dhe gjyqtarit Taullau. Shkodranët i akuzojnë këta dy persona si fajtorë jo vetëm si shkaktarë të humbjes së ndeshjes me Laçin, por edhe më gjerë, teksa i kanë kërkuar njëkohësisht FSHF së edhe nisjen e një hetimi për këtë ndeshje.
Nuk bëhen të ditura arsyet pse drejtuesit e Vllaznisë kërkojnë një hetim të tillë, por mbase në ditët në vazhdim gjërat kanë për t’u sqaruar. Ajo çfarë mbetet është se Vllaznia nuk ka dëshirë ta lërë me aq kundërshtimin e saj në lidhje me shefin e arbitrave dhe gjyqtarin e ndeshjes së saj kundër Laçit, luajtur të dielën e kaluar në Shkodër.

Ferraj: Nuk ndalemi, edhe pse humbi Besa

Sipas futbollistit të Dinamos, Nertil Ferraj, në fillim duhen kaluar “kolonjarët”
Mesfushori Nertil Ferraj tashmë ka zënë vend titullari në radhët e dinamovitëve. Paraqitja tepër e mirë në derbin me Tiranën, jo vetëm për asistin e dhënë për Bakajn në monentin e golit, ia kanë rritur “piacën” nr.7 të bluve, i cili edhe ndaj Skënderbeut ka diskutuar 90 minuta tepër pozitive, duke dhënë sërish një asist për Emiliano Vilën te goli i tretë.
Sipas Ferrajt, stërvitja intensive dhe puna personale në fushën e blertë tashmë janë kurorëzuar me një vend titullari. Sipas mëngjarashit të bluve, terreni në Ersekë mund të jetë i vështirë, por Dinamo nuk do t’i bëjë llogaritë në këtë mënyrë. Skuadra e Besës shikohej si rivale më e afërt i Dinamos, por Ferraj nuk kërkon të shikojë rivalët, Dinamo duhet të bëj llogaritë e saj për të siguruar titullin e 18-të në historinë e saj 60-vjeçare.

Aktivizimi

“Kisha kohë që e prisja këtë moment pozitiv që jam duke përjetuar. Prej shumë kohësh jam stërvitur me përkushtim për të zënë një vend titullari në radhët e Dinamos, një skuadër kampione. Tashmë ia arrita qëllimit dhe kur m’u dha mundësia, tregova vlerat e mia, që jam i denjë për të luajtur si titullar në një skuadër elite si Dinamo. Tashmë s’më mbetet gjë tjetër veçse të shikoj përpara dhe të jap më të mirën time nga ndeshja në ndeshje,”- citon mesfushori këmbëshpejtë, i cili ka pasur pak hapësira në dispozicion në 18 javët e para të superiores.

Terreni dhe Gramozi

“Normalisht, ndeshjet e transfertës janë të gjitha të vështira. Terreni është i vështirë si pasojë edhe e temperaturave të ulëta. Ne shkojmë për fitore, pavarësisht rrethanave. Jemi skuadër për titull kampion dhe në çdo sfidë shkojmë për tri pikë. S’kemi pse të merremi me terrenin, kushtet e futbollit shqiptar këto janë dhe ne duhet të luajmë lojën tonë pa gjetur pretekste.”

Rivaliteti

“Nuk mendoj se jemi në presion. Ne kemi punën tonë dhe Besa të sajën. Dinamo shikon vetëm ndeshjet që ka përpara. Nëse Dinamo fiton, s’ka pse të mendojë për pikët ndaj rivalëve. Ne kemi krijuar një distancë ndaj tyre dhe s’besoj se do ta lëshojmë. Gjithçka është në dorën tonë. Pavarësisht se Besa humbi në Vlorë, ne e vlerësojmë njësoj si më parë ndeshjen me Gramozin. Kundërshtarët le të mendojmë se si të arrijnë Dinamon, ndërkohë që ne jemi të qetë në rrugën tonë.”

Përballja me Besën

“Të kalojmë një herë me sukses sfidën e radhës ndaj Gramozit, më pas do të fillojmë të mendojmë për Besën. Asnjëherë s’mund të flasim të sigurt për një ndeshje pas dy javës pa kaluar këtë të radhës ndaj Gramozit,”- përfundon mendimin e tij, 22-vjeçari Nertil Ferraj. I cili aktivizohet me sukses në radhët e Dinamos që nga sezoni 2006-2007.

Blutë mposhtin Trepçen në miqësore

Dje, në orën 11:00, dinamovitët kanë zhvilluar një ndeshje testuese përballë skuadrës kosovare Trepçe. Në fillim blutë kanë hedhur këtë 11-she në fushën e blertë: Kotorri, Peqini, Malota, Malakarne, Del Monte, Ferraj, Allmuça, Vila, Soza, Bakaj, Timpanaro. Sfida testuese ndaj kryesuesve të kampionatit kosovar ka përfunduar në shifrat 2-1 në favor të bluve kryeqytetas. Bakaj ka shënuar një eurogol, duke u dhënë avantazhin në pjesën e parë dinamoviteve.
Ndërsa në pjesën e dytë Timpanaro ka dyfishuar rezultatin. Miqtë nga Kosova kanë ngushtuar diferencat në 2-1 me anë të një goditjeje standarde. Ndërkohë, në pjesën e dytë, kryesuesit e kampionatit shqiptar kanë aktivizuar shumë lojtarë, përfshi këtu edhe nga skuadra e të rinjve. Papa Diop është ndëshkuar me një tjetër karton të kuq, pas atij ndaj Skënderbeut, edhe në miqësoren e djeshme.

Dëmtohet Vila, Dinamo ndez “sirenat”

Gjatë ndeshjes miqësore ndaj kosovarëve të Trepçes, futbollisti i Dinamos, Emiliano Vila, ka pësuar një dëmtim, pasi ka marrë një goditje nga pas në pjesën e pasme të gjurit të majtë. Shkalla e dëmtimit nuk është përcaktuar ende, por ish-futbollisti i Teutës është në rrezik për aktivizimin e tij ndaj Gramozit.

Gentian Muça me grip, nuk stërvitet

Që nga dita e martë, ku mesfushori Gentian Muça, ka në në mes stërvitjen si pasojë e një gjendjeje gripale që po kalon, nr.3 i bluve nuk është stërvitur me skuadrën. Gjendja e futbollistit do të shikohet edhe një herë sot në stërvitjen e fundit dhe me pas do të vendoset nëse ish-lojtari i Bylisit do të jetë i gatshëm.

Gramozi, i plotë nesër ndaj Dinamos

Kolonjarët janë të gjithë të përfshirë nga ethet e ndeshjes së radhës së kampionatit, ku nesër ekipi do të përballet në fushën e vet me ekipin e vendit të parë, Dinamon. Vendësit e Gramozit do të kërkojnë të korrigjohen para publikut të tyre.
Të gjithë futbollistët kolonjarë në grup janë të mendimit se do ta kalojnë me sukses këtë sfidë kaq të vështirë, por trajneri Canaj duket se gjatë gjithë kësaj jave ka kërkuar me rreptësi punë të madhe përgatitore nga futbollistët e tij, pasi për të nuk ka vend për neglizhencë ndaj kundërshtarit, pasi dihet që është një kundërshtar tepër i fortë dhe me meritë vazhdon të udhëheqë kampionatin. “Jemi përgatitur mjaft mirë këto ditë, duke rregulluar disa të meta të shfaqura në takimin e Krujës. Ne si futbollistë duhet të japim maksimumin në fushë, për të marrë frytet e punës sonë.
Të zbatojmë detyrat e dhëna nga profesor Canaj,” - shprehen futbollistët e Gramozit. Seanca stërvitore e ditës së djeshme është zhvilluar pasdite në kalçeton e qytetit, pasi ngricat në Ersekë kanë bërë të tyren. Kryesore për ekipin kolonjar dhe për Canajn nesër është se Gramozi nuk ka asnjë futbollist të dëmtuar apo të pezulluar.
Sot ekipi do të zhvillojë një seancë stërvitore, për të qenë gati për takimin e nesërm ndaj ekipit dinamovit. Dje, me fitoren e Flamurtarit, Gramozi e sheh veten në vend të parafundit me pikë të barabarta me vlonjatët, pra mbijetesa do të jetë shumë e vështirë.

Krasniqi: S’janë problem mungesat në Laç

Mbrojtësi kosovar i Shkumbinit, Dritan Krasniqi, ndihet mirë mes dy boshnjakëve në mbrojtje
Pas stërvitjes së djeshme, që u zhvillua në fushën e re të Kavajës, ku stërvitet Besa, boshnjakët e Shkumbinit, Edin Feruzoviç dhe Altin Grboviç, me lejen e drejtuesve të klubit, janë nisur për në vendlindje, në Novi Pazar.
Të dy futbollistët kërkuan të përfitonin, pasi nuk do të aktivizohen në ndeshjen me Laçin. Mësohet se Feruzoviç do të sjellë edhe familjen në Peqin në fundjavë, ndërsa sulmuesi Gërboviç, i dëmtuar në takimin me Flamurtarin, do të zhvillojë në Serbi një vizitë të specializuar.
Një nga përforcimet e rëndësishme të Shkumbinit në merkaton e dimrit është edhe mbrojtësi Dritan Krasniqi. Në dy takimet e fundit, kosovari Krasniqi ka luajtur si titullar në formacionin peqinas, duke treguar siguri në veprimet mbrojtëse të ekipit. Për Krasniqin, nuk është i panjohur kampionati shqiptar, pasi ka qenë pjesë e Besës dy sezone më parë, për të luajtur më pas me ekipin e vendlindjes, KEK.
“E kam nisur me këmbë të mbarë, duke qenë pjesë e ekipit në dy fitoret me Vllazninë dhe Flamurtarit,” deklaron Krasniqi. Eshtë fakt që reparti i mbrojtjes ku luan kosovari është reparti më i mirë. Dy golat e pësuar në këto dy ndeshje Krasniqi i konsideron aksident, për më tepër që kanë ardhur pas dy aksioneve të vetme të kundërshtarit, por që gjithsesi nuk kanë ndikuar në moralin e ekipit apo në rezultatet përfundimtare.
“Ndihem mirë në krah të mbrojtësve boshnjakë dhe kjo ma ka bërë më të lehtë përshtatjen time. Kjo do të ndihmojë në tregimin e vlerave të Shkumbinit, ku përveç grupit të harmonizuar, element i fortë është edhe puna që bën stafi drejtues. Por ajo që do të theksoja, është klima dashamirëse këtu në Peqin, që më duket sikur jetojnë më shumë me futbollin,” - shton më tej Krsniqi.
Duket se për mbrojtësin kosovar të Shkumbinit nuk përbëjnë problem mungesat në takimin e radhës për shkak kartonësh apo dëmtimi, ndonëse i përcakton me rëndësi. “Të shtunën udhëtomë për në Laç për t’u ndeshur me ekipin vendës, pa mbrojtësin Feruzoviç, mesfushorin Shenaj dhe sulmuesin Grboviç të dëmtuar.
Të tërë futbollistë të rëndësishëm, por unë besoj në grupin e lojtarëve dhe me rikthimin e Xhafës në mbrojtje dhe aktivizimi i sulmuesit Mustafaj që vjen pas një jave pushimi. Shkumbini ka pretendimete veta me Laçin, duke kërkuar ta vlerësojë plotësisht, pasi kundërshtari vjen pas një fitoreje të bukur me Vllazninë. E dimë që nuk do ta kemi të lehtë, por do të kërkojmë të bëjmë më të mirë dhe besojmë në një rezultat pozitiv,” - përfundon kosovari Dritan Krasniqi.

Arifaj: Kastrioti do të guxojë edhe në Kavajë

Tashmë opinioni sportiv në qytetin e Krujës është përqendruar totalisht te ndeshja e radhës ndaj Besës, e cila do të zhvillohet në Kavajë. Një ndeshje që për skuadrën e Kastriotit konsiderohet mjaft e fortë, duke u nisur nga objektivat që ka skuadra kavajase për këtë kampionat. Por Kastrioti është i bindur se edhe në Kavajë do të dijë ta thotë mirë fjalën. Duket se arritja e dy fitoreve në dy ndeshjet e fundit, ka sjellë një klimë pozitive në radhët e kësaj skuadre. Një gjë të tillë e përforcon edhe mesfushori Besmir Arifaj, i cili shprehet: “Kemi zhvilluar dy ndeshje mjaft të mira. Por kur këto arrihen ndaj skuadrave rivale për mbijetesë, atëherë kanë vlera akoma më të madhe.
Të gjithë e dimë që do të luhet një ndeshje e fortë tani në Kavajë, pasi do të ndeshemi me Besën, e cila synon majat e futbollit tonë. Por skuadra jonë ka objektivat e saj, renditjen në shkallët më të larta. Ju them me bindje që në Kavajë do të shkojmë për rezultat pozitiv. Mundësitë i kemi, pasi grupi që është krijuar na mundëson të jemi më pranë këtij objektivi.” Kujtojmë që në fazën e parë ka qenë pikërisht Kastrioti ai që i ka shkaktuar një humbje Besës, e cila do ta nxirrte jashtë pretendimit për titull. Kavajasit me siguri do të kërkojnë “hakmarrjen”, por përballë këtij Kastrioti nuk do ta kenë të lehtë.”

Shehu trajner i Teutës, Zalla drejtor sportiv

Ekipi durrsak ka mësuar dje trajnerin dhe drejtorin sportiv, që do të punojnë bashkë
Edmond Zalla do të jetë drejtori sportiv i ekipit të Teutës, ndërsa Ylli Shehu do të jetë zyrtarisht trajner i ekipit durrsak. Këtë e konfirmon vetë presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu, i cili ka deklaruar se në këtë formë janë emërtimet zyrtare, por në fakt Zalla do të jetë më shumë trajner se drejtor sportiv praktikisht dhe do të punojë së bashku me Ylli Shehun në drejtimin e Teutës.
Në të vërtetë, që në stërvitjen e së mërkurës stërvitja është drejtuar nga Zalla dhe Shehu, që tashmë praktikisht janë në drejtim të ekipit në formë binomi dhe do të marrin bashkarisht vendime për ekipin deri në fund të sezonit.
Sipas Hasanbelliut, kjo do të jetë forma e drejtimit të ekipit, ndërkohë që, nëse do të nevojitet, do të vendoset edhe për një zv/trajner, që do të punojë së bashku me Ylli Shehun, Eduard Salillarin dhe Edmond Zallën, që janë stafi teknik i ekipit durrsak dhe që do të punojë në vazhdimësi me ekipin. Hasanbelliu shprehet se u gjet kjo si zgjidhja më e përshtatshme për të drejtuar ekipin deri në përfundim të sezonit dhe se me Zallën dhe Shehun në drejtim të ekipit asgjë nuk ndryshon nga objektivat dhe Teuta do të vazhdojë të synojë trofeun e kupës dhe ngjitjen lart në klasifikim.
Trajneri i Teutës, Ylli Shehu, nuk e ka drejtuar asnjëherë më parë Teutën, por ai ka ardhur në fillim të këtij sezoni, kur mendohej që në krye të Teutës do të ishte trajner Mustedanagiç dhe, meqenëse Shehu kishte aftësi profesionale në drejtim të ekipit dhe njëkohësisht njihte edhe gjuhën kroate, do të luante dy role te Teuta, si zv/trajner dhe si përkthyes i kroatit.
Por mosardhja e Mustedanagiçit nuk u shoqërua me largimin e Shehut. Presidenti Hasanbelliu, pasi mori edhe mendimin e trajnerit Josa, vendosi që Ylli Shehu të vazhdonte si zv/trajner te Teuta. Tashmë, pas largimit të Josës, Shehu do të jetë zyrtarisht trajner i ekipit durrsak, ndërkohë që vendimet do t’i marrë edhe me ndihmën e Edmond Zallës, që është drejtor sportiv. Ylli Shehu është hera e parë që drejton një ekip në superligë dhe është shprehur se do të vazhdojë punën me intensitet e përkushtim, në mënyrë që Teuta t’i realizojë objektivat që i ka vënë vetes këtë sezon.
Ndërkaq, drejtori sportiv, Edmond Zalla, e ka drejtuar ekipin durrsak që në kohën që quhej Lokomotiva para viteve ‘90, pikërisht dy sezone, ‘86 ‘87 dhe ‘87 ‘88, kur ishte edhe një nga trajnerët më të rinj në moshë në kampionatin shqiptar. Atëherë ekipi durrsak kishte në përbërje lojtarë tepër të njohur që kanë mbetur në historinë e klubit, si Bujar Hado, Haxhi Ballgjini, Niko Jani, Agim Çela etj. Më pas, Zalla e ka drejtuar Teutën në vitin 2003 e më pas edhe në vitin 2004 disa ndeshje.

Hysa i pafat, dëmtohet sërish

Krejtësisht i pafat ka qenë sulmuesi i Teutës, Vilfor Hysa, i cili vetëm në seancën e dytë stërvitore është dëmtuar sërish. Hysa ka pasur dhimbje dhe më pas një kontratim në këmbë pikërisht në vendin e dëmtuar më parë, që do të thotë se sulmuesi sërish do të jetë larg fushës së futbollit. Hysa ka zhvilluar vetëm një seancë stërvitore bashkë me grupin në seancën e radhës.