19 shkurt 2010

Në pranverë me juniorë?

Kosova e Vushtrrisë në sezonin pranveror ka gjasa të luajë me juniorë, pasi ekipi me të cilin luajti në pjesën e parë të kampionatit është duke u shpartalluar.

Portieri Burim Sadiku tashmë ka nënshkruar me Prishtinën, derisa drejtuesit e klubit bardh e kaltër po mendojnë t’i lirojnë edhe disa futbollistë tjerë, të cilët në stinorin vjeshtor e kanë bartur barrën kryesore.

Këtë e ka bërë të ditur një burim brenda klubit vushtrrias, i cili tregoi se brenda pak ditëve nga ekipi pritet të lirohen rreth dhjetë futbollistë të skuadrës.

Sipas këtij burimi, tashmë disa lojtarë të Kosovës së Vushtrrisë veç kanë filluar të stërvitin me klubet e tjera kosovare dhe kjo situatë ka ardhur si pasojë e krizës financiare.

“Nuk është e rëndësishme të tregohen emrat e futbollistëve, sepse afërsisht dihet se cilët do të jenë ata që do të lirohen nga kryesia, sepse numri i tyre është shumë i madh. Rreth dhjetë futbollistë të ekipit të parë pritet të lirohen. Disa nga ta veç kanë kaluar nëpër klubet e tjera për të stërvitur, kurse Kosova (V) në pranverë do të luajë me ekip të juniorëve”, deklaroi burimi.

Në anën tjetër, nënkryetari i Kosovës (V), Fadil Krasniqi, tha se klubi po planifikon ta ripërtërijë paksa ekipin dhe se mund të lirohen disa futbollistë, të cilët nuk kanë dhënë kontribut të mjaftueshëm gjatë stinorit vjeshtor.

“Të shtunën ose të dielën kryesia do ta mbajë një mbledhje, ku do të diskutohet shumë çka dhe do të merren disa vendime. Të gjithë futbollistët kanë kontrata me klub dhe do të lirohet ndonjë lojtar i atillë që nuk ka dhënë kontribut të duhur. Kurse ne po planifikojmë ta ripërtërijmë pak ekipin me ndonjë lojtar të ri”, deklaroi Krasniqi.

Ai tha se borxhet ndaj lojtarëve do të kryhen rreth datës 20 shkurt. “Atëherë besoj se do t’i kryejmë obligimet ndaj lojtarëve. Klubi do të shkojë drejt organizimit dhe situata shpejt do të normalizohet. Disa afaristë vushtrrias kanë shprehur gatishmërinë e tyre për ta ndihmuar klubin në stinorin pranveror”, përfundoi Krasniqi.

Pasi nuk i kanë marrë pagat për dy muaj, futbollistët i kanë bojkotuar stërvitjet, derisa zyrtarët e klubit nuk po mund të angazhojnë trajner sepse të gjithë po hezitojnë ta marrin ekipin duke pasur parasysh faktin se Kosova (V) gjendet në krizë financiare.

Kurse në sezonin vjeshtor bardh e kaltrit kanë përjetuar edhe krizë të rezultateve, me ç’rast pjesën e parë të kampionatit e kanë përmbyllur në vendin e fundit në tabelë me 14 pikë.