19 shkurt 2010

Bunjaku, sulmuesi që po e çmend Bundesligën

Nurnberg, 19 shkurt - Njëmbëdhjetë gola në 18 ndeshje, por prapë në pozitën e parafundit. Mbi tregimin përrallor të Albert Bunjakut qëndron një hije, që pritet të zvogëlohet të shtunën kundër Bayern Munchenit. Tregimi do të mund të ishte edhe më i bukur. Nga një futbollist që për shumë pak muaj nga një nivel kaq i ulët ka arritur majën. Mirëpo, majën vetëm në listën e shënuesve më të mirë të Bundesligës.Pasi që Albert Bunjaku po luan për Nurbergun, ai nuk po arrin të shijojë këtë sukses të tij. Ai ka shënuar 11 gola në Bundesligë këtë stinor, më shumë gola se yjet Edin Xheko (Wolfsburg) e Mario Gomez (Bayern Munchen). Edhe në humbjen kundër Borussia Monchengladbachut në fundjavën e kaluar (2:1), Bunjaku gjeti rrugën e golit. Gazeta zvicerane "Blick" e quan atë "makineri të golave", edhe "Bum-Bum-Bunjaku", përdoret shpesh nëpër mediume. Ai madje ka shënuar një rekord: 61 për qind e të gjithë golave të Nurnbergut mbajnë firmën e tij. "Më i mirë se Gerd Muller", kishte shkruar "Blick" më herët, pasi Bunjaku vendosi këtë rekord. Më i mirë se Gerd Muller: Bunjaku me plot dëshirë i dëgjon komplimentet e shumta. Vlerësimi i të tjerëve e nderon atë. Mirëpo, po të kishte marrë klubi i tij më shumë pikë këtë stinor, ai do të ndihej edhe më mirë. Shpesh feston gjatë ndeshjes, por jo edhe në fundin e saj. Kjo nuk po e kënaq Bunjakun. Bunjaku shpesh thotë se më e rëndësishme është skuadra. Nurnbergu pa Bunjakun do të kishte pothuajse gjasat e humbura për të mbijetuar në Bundesligë. Pa të do t’i kishte 11 pikë më pak. Shumica e kolegëve të tij janë të parrezikshëm për kundërshtarët. "Edhe të tjerët duhet të shënojnë gola, nuk mjafton vetëm Bunjaku", ka thënë trajneri i Nurnbergut, Dieter Hecking. Mirëpo, pos Bunjakut gola për Nurnbergun kanë shënuar edhe Christian Eigler e Peer Kluge nga dy sosh, dhe Marek Mintal, Daniel Gygax e Eric-Maxim Choupo-Moting nga një. Mbrojtësit nuk e kanë shijuar ende asnjë gol. Për shkak të mosaktivizimit të të tjerëve, Nurnbergu është kundërshtar i lehtë për skuadrat. Vetëm të ndalësh Bunjakun të mjafton, edhe pse është i pandalshëm aktualisht. Madje edhe gjigantin Bayern Munchen e kishte tmerruar me një rast Bunjaku. Më 10 gusht të vitit 2008 në Kupën e Gjermanisë, Bunjaku i shënoi dy herë Bayernit derisa luante për Erfurtin. Erfurti në fund humbi me shifrat 4:3. "Unë atëbotë mendova: Kjo është ndeshja e jetës sime", ka thënë Bunjaku për revistën e klubit. Mirëpo, kanë pasuar ndeshje të tjera të forta për të. Bunjaku e di se çfarë ndjenje është kur e nervozon skuadrën më të trofeshme gjermane. Të shtunën ai dëshiron t'i shkaktojë neveri sërish. "Pse mos të kemi shanse kundër Bayernit? Bayerni është në një formë shumë të lartë, mirëpo nëse punojmë shumë mund të nxjerrim rezultat të favorshëm", ka thënë Bunjaku. Skuadra e tij nuk ka llogari që të humbë edhe shumë ndeshje deri në fund të stinorit. Skuadra llogarit në efikasitetin e sulmuesit më të mirë të saj, Bunjaku. Se çfarë do të ndodhë me Bunjakun deri në fund të stinorit mbetet të shihet. Ai ndonëse ka kontratë deri në vitin 2012, për të po interesohen edhe Stuttgarti e Borussia Dortmund. Mbetet të shihet se si do të vazhdojë tregimi i Bunjakut.