23 shkurt 2010

Në Merdarë ndeshja më joshëse

Ethet e çerekfinales së kupës së Republikës së Kosovës i ka kapur tetë skuadrat e futbollit. Tetë skuadra dhe tetë dëshira për të fituar trofeun e çmueshëm – kupën e Kosovës. Ballafaqimi më joshë do të zhvillohet në stadiumin e bukur në Merdare, që ka të rregulluara tribunat dhe që ka njërin prej fushave më të mira në vend, do të ndeshen mes vete Hysi nga Podujeva dhe Liria e Prizrenit. Ndeshja mes këtyre skuadrave pritet të jetë atraktive për faktin se të dyja klubet kanë futbollistët më të mirë në mjedisin e vetë. Drejtori i klubit të futbollit Hysi, Arbnor Morina, tha se fusha është në gjendje të mirë ashtu si kërkohet për zhvillimin e ndeshjeve qoftë kampionale qoftë edhe të kupës. “Qe pesë ditë fusha është aftësuar për ndeshje dhe është në gjendje të shkëlqyeshme. I kemi kryer të gjitha punët e nevojshme çfarë ka kërkuar Federata e Futbollit e Kosovës dhe të qetë e presim ndeshjen. Më një fjalë, sa i përket anës së infrastrukturës dhe organizimit çdo gjë është e gatshme për ndeshjen Hysi-Liria”, tha Morina. Futbollistët e Lirisë në krye me Uliks Emrën udhëtojnë në Merdare që të shënojnë rezultat pozitiv që do t’i jetë kapital i mirë për ndeshjen e kthimit, e cila zhvillohet me 28 shkurt. Kryetrajneri i Gjilanit, Muharrem Sahiri, duke e ditur se para vetes ka kampionin vjeshtor, Trepçën e Mitrovicës, mendon se do të sfidojnë në mënyrën më të fortë të mundshme. Gjilani është mysafirë i Trepçës që është në formë të lartë. “Natyrisht është ndeshje e vështirë, pasi Gjilani ka pasur mjaft vështirësi deri më tash, por besoj se do të ia dalim të kthehem me rezultat të favorshëm. Më së miri e ilustron fakti se, kemi zhvilluar vetëm një ndeshje miqësore dhe kjo është pasqyra më e mirë sesa jemi të gatshëm për këtë sfidë. Përkundër se kemi një lojë miqësore, mendoj se Gjilani do të paraqitet si është më së miri dhe natyrisht se nuk shkojmë me flamur të bardhë. Brenga tjetër është se luajmë pa dy futbollistë të përbërjes së parë, Liridon Hasanin, sulmues dhe Arben Zeqiri, mesfushorë, të cilët janë të lënduar. Po ashtu edhe përforcimi Ismet Ramushi, sipas të gjitha gjasave nuk do të jetë nga minuta e parë, por besoj se do të fus në lojë në pjesën e dytë. Arsye që nuk do të luajë nga minuta e parë është lëndimin e të rëndë që ka pasur para tetë muajve dhe duhet ruajtur ende këtë futbollist derisa të aftësohet mirë për ndeshje”, tha Sahiti. Edhe në Gjakovë pritet të zhvillohet ndeshje interesante në mes Vëllaznimit e Drenicës. Gjakovarët konsiderohen favoritë prej se është ardhur kryetrajner Ajet Shosholli, ndërsa Drenica mëton të befasojë me lojë dhe rezultat. Besa e Pejës është favoritë i plotë kundër lideri të ligës së parë, Ballkanit nga Theranda. Haxhi Zeka, futbollist ka thënë se skuadra e tij, Besa, luan ashtu si i ka hije dhe nuk e nënçmon asnjë skuadër, sepse edhe skuadrat e ligës së parë janë mjaft të forta.

Ndeshjet dhe gjyqtarët E mërkurë

Hysi-Liria (P. Hasani, S. Berisha, F. Agërbashi).
Vëllaznimi-Drenica (A. Hoxhaj, B. Selimaj, M. Aliu).
Besa-Ballkani (S. Domi, B. Këpuska, M. Rrahimi).
Trepça-Gjilani (H. Hajdari, Z. Miranaj, A. Gashi).

Të gjitha ndeshjet fillojnë në orën 14.00.