11 shkurt 2010

Nani synon kulmin

Mesfushori i Manchester Unitedit, Nani ka insistuar se kurrë nuk kishte menduar për largim nga Old Trafford, edhe në kohën kur kaloi në formë të mjerueshme. Paraqitjet e yllit portugez në periudhën e fundit kanë qenë mbresëlënëse.
Derisa disa tifozë të Djajve të Kuq do të kishin qenë të lumtur me largimin e Nanit gjatë afatit kalimtar të muajit të kaluar, 23 vjeçari është bërë njëri prej anëtarëve më të rëndësishëm në ekipin e Sir Alex Fergusonit.
Paraqitja e tij në Arsenal dy javë më parë është për t’u veçuar. Rikthimin e tij në formë, Nani e arsyetoi me besimin e menaxherit Sir Alex Ferguson. Por, ish mesfushori i Sporting Lisbonës ka insistuar se edhe në kohën kur ishte më së tepërmi i kritikuar, ai nuk mendoi të dorëzohet.
“Kurrë nuk kam dashur të largohem”, tha ai për Manchester Evening News. “Kur ndiheni keq dhe gjërat nuk janë duke shkuar mirë, ju ndiheni i vetmuar dhe ka momente të tilla. Por, kurrë nuk kam menduar të largohem dhe të kthehem në Portugali. Isha në pozitë të vështirë dhe nuk ishte lehtë të ngrihem përsëri. Sigurisht, besimi juaj vuan në raste të tilla dhe ju ndiheni i dëshpëruar. Por, kam treguar se nuk bie në depresion aq lehtë”, shtoi ai.
Pavarësisht përmirësimit të madh që ka shënuar në paraqitjet e tij në periudhën e fundit, Nani ka premtuar edhe më tepër. Ai synon të ngrihet në shkallën e futbollistëve më të mirë në botë.
“Jam i fortë në personalitet. Nëse nuk keni karakter të fortë, atëherë do të rrëzoheni. Unë nuk jam i tillë. Jam i sigurt se kam kualitet të bëhem njëri prej futbollisteve më të mirë në botë. Mund të arrij këtë”, u shpreh ai.
Ndërsa Sir Alex Ferguson do të shpresojë që Nani të vazhdojë me paraqitjet e tij të mira edhe në pjesën e mbetur të sezonit. Ai është lavdëruar nga futbollisti për besimin që ka treguar ndaj reprezentuesit portugez edhe në kohën kur nuk ishte duke arsyetuar vendin në formacionin fillestar.
Nani sezonin e kaluar ishte i ‘bllokuar’ nga Cristiano Ronaldo, mirëpo largimi i bashkëkombësit të tij në Real Madrid i ka mundësuar të ketë hapësirë më të madhe në ekip. Ai ka filluar ta shfrytëzojë atë dhe synon të mos ndalet.