11 shkurt 2010

Mehmeti shënon sërish nga bankina

Nofkën 'superzëvendësues", Agon Mehmeti po e vërteton se nuk e ka marrë rastësisht. Sulmuesi i Malmos sërish shënoi gol, pas inkuadrimit nga bankina në fushë. Atij iu deshën vetëm tre minuta për ta barazuar rezultatin në ndeshjen miqësore me Gaisin (1:1).
Sulmuesi me prejardhje nga Kosova në minutën e 81-të u inkuadrua në lojë, derisa vetëm pas tre minutave e dërgoi topin në rrejt.
"Nuk dua të jem “superzëvendësues", por nuk mund ta huq rastin”, ka thëne Mehmeti pas ndeshjes, duke lënë të kuptojë se dëshiron të luajë nga minuta e parë.
Mehmeti nofkën “superzëvendësues” e mori nga mediet suedeze sezonin e kaluar, kur realizoi disa gola të rëndësishme për Malmon pas inkuadrimit nga banka rezervë.
Sulmuesi shtatlartë, i cili në Suedi krahasohet me yllin e Barcelonës, Zlatan Ibrahimoviç, është përballur me lëndimin e ijës vitin e kaluar, ndërsa tash është i kujdesshëm të mos ketë sërish probleme.
"Vitin e kaluar kam munguar në përgatitjet për sezonin e ri për shkak të lëndimit. Por, tani kam punuar shumë me ijën gjate dimrit", tha Mehmeti për ueb faqen sydsvenskan.se.
Malmo të dielën do të udhëtojë drejt Spanjës dhe Mehmeti është i gëzuar që po largohen nga moti i ftohtë e bora.
"Nuk është se vetëm rreziku për t’u lënduar do të jetë më i vogël, por është gjithmonë më mirë të stërviteni në bar të vërtetë dhe mot të ngrohtë. Sigurisht do të jemi gati para sezonit të ri", përfundoi ai.