22 shkurt 2010

Mourinjo rrezikon pezullimin për “prangat”

Gjesti që bëri gjatë ndeshjes me Sampin, nuk është i pari për portugezin, që del gjithnjë kundër gjyqtarëve
Pati një moment, të shtunën në mbrëmje në “San Siro”, që Paolo Taljavento, arbitri i Inter-Sampdoria, ka patur frikë për një ndërhyrje të tifozëve në fushën e lojës. Atmosfera ka qenë shumë e ndezur: midis kartonave të kuq (dy për Interin, një për Sampin), vendime mëse të drejta, kartonit të verdhë për Etonë për simulim, Mourinjon që bën gjestin e shëmtuar të duarve në pranga dhe publikun që ka valëvitur shamitë e bardha, siç ndodh në Spanjën e civilizuar.

Por klasa e arbitrave italianë, pas komplimentave të merituar që i ka bërë Taljaventos, pret që të vijë një ndërhyrje e fortë nga ana e drejtësisë sportive. “Mourinjo tani po e ekzagjëron”, janë fjalët që qarkullojnë në vazhdimësi midis arbitrave të Serisë A, ndërsa provokimet e portugezit po ndezin, në mënyrë të rrezikshme, kampionatin. Tekniku interist është penalizuar dy herë deri tani, por gjithçka është mbyllur me arritjen e një marrëveshjeje, një gjobë prej 15 mijë eurosh në çdo rast (një shifër e pallogaritshme për një njeri që fiton 11 milionë euro në vit).

Por tani ato “pranga”, të treguara pas kartonit të kuq të marrë nga Samuel, bëjnë përshtypje dhe ka nga ata që kujtojnë sesi vite më parë Dino Baxhio, kur luante me Parmën, është skualifikuar për dy ndeshje për shkak se ka bërë shenjën e parave (duke fërkuar gishtin e madh me atë tregues), para syve të arbitrit.

Çfarë donte të thoshte Mou me atë gjest? Eshtë e mundur që të vijë një pezullim, a do ta japë shpjegimin e tij kur do të thërritet nga Komisioni i Disiplinës për qëllimin e atij veprimi. Këtë herë rrezikon seriozisht skualifikimin. Çdo takim, i nivelit të lartë, ndiqet nga tre “agjentë 007″ të dërguar nga Federata Italiane, njerëzit e besuar të Stefano Palacit, super-prokurori që kohët e fundit duket se është rizgjuar.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe në “San Siro” dhe “agjentët” e dërguar nga Roma kanë qenë prezentë në tunelin që të çon tek dhomat e zhveshjes gjatë pushimit të pjesës së parë dhe kanë parë e kanë dëgjuar. Duket se shumë interistë kanë qenë të acaruar me Pocin e Sampdorias dhe me arbitrin.

Janë thënë fjalë të forta. Një çështje që është akoma misterioze dhe që do të duhet të rindërtohet në çdo detaj para gjykatësit sportiv (që do të vendosë sot se çfarë do të ndodhë). Sigurisht, nga ana e arbitrave, dhe nga ata që i drejtojnë këta të fundit, ka shumë pakënaqësi kundrejt Mourinjos dhe qëndrimi i tij konsiderohet i papranueshëm dhe i rrezikshëm.