20 shkurt 2010

Mourinjo në sulm kundër Juves dhe Romës

Trajneri zikaltër ka përgënjeshtruar zërat, që flasin për një largim të tij drejt Real Madridit

Ka qenë Mourinjo i zakonshëm ai që ka folur në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes me Sampdorian. Në fillim ka përgënjeshtruar zërat që flasin për disa kontakte midis tij dhe Realit: “Ka gazeta që shpikin gjëra, - ka thënë portugezi. - Nuk dua të jem pjesë e kësaj loje, nuk më pëlqen”.

Më pas kanë ardhur thumbimet e zakonshme kundër Romës, De Laurentisit dhe Betegës. Ka qenë një Mou në formë të shkëlqyer ai që ka folur me gazetarët para takimit të sotëm me Sampdorian. Portugezi ka folur për të gjithë, që nga gazetarët, të cilët shkruajnë për një largim të tijin nga Italia një ditë, për një jo Juventusit, aludimeve nga Roma tek Milani, pa harruar Çelsin si dhe “mikun” Aurelio De Laurentis.

ASNJE ROTACION - Në fillim portugezi ka folur për sfidat e ardhshme kundër Sampit dhe Çelsit: “E respektoj kampionatin. Nuk do të bëj rotacion, nuk do t’i lë lojtarët në shtëpi për të pushuar, nuk mendoj për Çelsin, - ka siguruar ai. - Mendoj vetëm për ndeshjen me Sampdorian”. Kampionati, sipas teknikut zikaltër, nuk është akoma i mbyllur. Për rrjedhojë as Interi i tij nuk mund t’i lejojë vetes të humbë pikë rrugës: “Kundër Sampdorias do të aktivizoj formacionin më të mirë për të fituar ndeshjen.

Do të luajmë kundër një ekipi që është në formë, dhe që ka fituar katër ndeshjet e fundit. Edhe nëse do të përballeshim me një kundërshtar në vështirësi, gjërat nuk do të ndryshonin, sepse kemi nevojë për pikë dhe ndeshja e ardhshme është më e rëndësishmja”. “Të Veçantit” nuk i intereson shumë skema që do të përdorë De Neri.

“Shumë skuadra, kur ndeshen me Interin, ndryshojnë modulin dhe qëndrimin. Sampdoria është një shembull: në takimin e fazës së parë ka luajtur me mesfushën në formë rombi, një sistem që nuk e ka përdorur më. Skuadra të tjera, kur përballen me Interin duket sikur po luajnë në finalen e Kupës së Botës. Ndërsa, në sfida të tjera duket sikur po luajnë një miqësore. Ne mund të kontrollojmë vetëm atë që bën Interi”.

ROMA E FORTE, KLUB DINAK - Nga Sampdoria tek Roma, e cila ndodhet në vendin e dytë në renditje. “Roma është një skuadër e madhe. Dhe klubi është dinak, - ka thënë Mourinjo. - Roma është në formë. Unë e kam thënë që gjithmonë se është një ekip që mund të luftojë për titullin, jam një nga të paktit që nuk e kam humbur asnjëherë respektin dhe admirimin për këtë grup lojtarësh.

Përsa i takon klubit mund të them vetëm se më duket dinak, sepse në momentin e merkatos ankohen se kanë nevojë për një lojtar dhe nuk kanë para. Por, më pas, kur dikush do të blejë një lojtar të tyrin ata refuzojnë”. Në lidhje me Milanin: “Një përballje me Milanin në çerekfinalet e Championsit do të ishte e mrekullueshme. Milani ka humbur kundër një skuadre të madhe, jo kundër një skuadre kamarierësh, - ka vazhduar Mou. - Në kampionat mund të kalojë në vendin e dytë, nëse respektoj Romën, respektoj akoma më shumë Milanin”.

JUVJA DHE DE LAURENTIS - Nëse Roma është cilësuar “dinake” në mënyrë polemizuese, më keq kanë shkuar gjërat për Juventusin dhe presidentin e Napolit, De Laurentis. “Ka vetëm një zonë rreptësie prej 25 metrash në Itali, - ka sulmuar Mourinjo, duke refuzuar kështu ftesën e Betegës për të mos folur më për bardhezinjtë. - Pse duhet të heshtim? Tani flitet për Bajern-Fiorentina. Të gjithë flasim, jo vetëm Fiorentina”. Në fund, thumbimi për De Laurentisin: “Ka thënë se nuk më do si trajner? De Laurentis nuk ka para të mjaftueshme për mua…”, ka përfunduar portugezi.