Deklarata e dhënë disa ditë më parë nga presidenti i Milanit, Silvio Berluskoni, se “Milani do të fitonte nëse do të luante në mënyrën e duhur”, ka bërë që të startojë gara për pasardhësin e Leonardos. Tekniku brazilian, në fakt, do të shkarkohej nga detyra nëse Milani nuk do të arrinte të kualifikohej në Champions. Një trajner që dukej i sigurtë deri pak ditë më parë, por disa gabime të bëra gjatë sfidës me Junajtid, mbi të gjitha zgjedhja e Didës para Abiatit, kanë vënë gjithçka në diskutim. Duket se po mendohet për Van Bastenin ose Alegrin. I pari pëlqehet shumë nga Berluskoni.
Problemi kryesor është se tre herë fituesi i “Topi të Artë” ka dështuar gjatë eksperiencave të tij në drejtim të Hollandës dhe Ajaksit. Ndër të tjera, nuk do të ishte në harmoni me Klarenc Sedorfin. Ndërsa, është e ndryshme rruga që të çon tek Alegri. Tekniku i Kaljarit është kontaktuar gjatë verës së kaluar, por Çelino ka arritur ta bindë trajnerin të mos largohet. Por gjithçka mund të ndryshojë mbas disa muajsh dhe duket se presidenti kuqeblu është vënë që tani në kërkim të një trajneri të ri.