20 shkurt 2010

Laçi: Vota e Partizanit e shenjtë, as shitet as blihet

Administratori i Partizanit, Paro Laçi, sqaron pozicionin e tij si delegat i të kuqve në asamble
Pasditja e së premtes së 18 shkurtit nuk ka qenë e qetë për Partizanin, pasi kanë lindur divergjencat e para në shoqërinë aksionare. Shkak është bërë se kush do ta përfaqësojë Partizanin në asamblenë zgjedhore, që FSHF do të organizojë më 9 mars.
Presidenti Albert Xhani pretendon se ai është personi që i takon të jetë në këtë asamble, por edhe administratori i përgjithshëm i shoqërisë, Paro Laçi, jep argumentet e tij që ai të jetë përfaqësuesi i të kuqve. Dje, “Sporti shqiptar” është munduar të kontaktojë me të dy protagonistët, por ka qenë i pamundur kontakti me presidentin Xhani. Ndërsa administratori Laçi sqaron mënyrën se si do të votojë Partizani në këtë asamble, marrëdhëniet me presidentin Xhani, pasojat që ka ekipi nga e kaluara, gjendjen aktuale si dhe të ardhmen e të kuqve.
Përfaqësimi. “Për sa i përket përfaqësimit të Partizanit në asamblenë zgjedhore të federatës, mund të them sa ka më shumë amplifikim të situatës, sepse shoqëria e ka të qartë se si do të procedojë. Për këtë rast nuk ka as debat, se me konsensus të të gjitha palëve është vendosur që Partizani do të propozojë Sulejman Starovën si kandidat për anëtar të komitetit ekzekutiv.
Ndërsa unë, Paro Laçi, me statusin e administratorit të përgjithshëm të shoqërisë aksionare “Partizani”, kam të drejtën e përfaqësimit ligjor në këtë asamble. Pra, këtu nuk ka prapaskena, siç mund të pretendohet nga ndokush, dhe për gjithçka është vepruar sipas një konsensusi të brendshëm.”
Vota kolegjiale. “Për Partizanin vota është e shenjtë dhe në asnjë mënyrë ajo nuk do të bëhet pjesë e klaneve. Vota do të jetë kolegjiale dhe disa ditë para zhvillimit të asamblesë të gjithë faktorët e kuq do të ulen dhe do të diskutojnë mënyrën se si do të votojë përfaqësuesi i Partizanit. Pra, do të bëhet një mbledhje e hapur mes drejtuesve të klubit, lojtarëve, stafit trajnues të ekipit të parë dhe të akademisë, ku do të jenë të ftuar edhe përfaqësues të medias.
Pasi të analizojmë platformat e të tre kantidatëve, do të vendosim se për këtë do të votojmë. Partizani duhet të jetë i ndërgjegjshëm për votën e tij dhe pa dyshim atë do ta meritojë ai që ka platformën më të mirë dhe që i leverdis së ardhmes së klubit. Ka ardhur momenti të marrë fund tallja me Partizanin, pasi një legjendë e futbollit shqiptar nuk duhet të përfundojë në këtë gjendje. Është herët për të thënë se për kë do të votojë Partizani në këtë asamble.
Të enjten në darkë ndoqa me interes paraqitjen televizive të Rudi Vatës, i cili është kandidat për t’u zgjedhur president i ri i FSHF-së. Realisht platforma e Vatës m’u duk interesante, por nuk mund të them asgjë pa parë edhe platformën e Armand Dukës dhe Refik Halilit. Për mua, aktualisht që të tre janë presidentë të barazvlefshëm të federatës dhe në fund do të përshëndes atë që do të fitojë me shumicë votash. Ndërsa vota e Partizanit do të jetë e hapur, kolegjiale dhe jo pjesë e pazareve që qarkullojnë lart e poshtë.”
Presidenti Xhani.
“Më habisin pretendimet mediatike të Albert Xhanit, pasi gjithçka është e qartë mes nesh se kujt i takon të jetë përfaqësues nga Partizani në asamblenë zgjedhore. Kjo prani është thjesht sa për të respektuar protokollin e asamblesë, pasi vota jonë do të bëhet e ditur pasi të merret një vendim kolegjial. Pra, i bie që ai që do të votojë për Partizanin, do të jetë thjesht për të hedhur letrën e votimit në kuti. Në këtë mes nuk ka vend për mëri dhe hatërmbetje, sepse vota jonë nuk do të jetë pjesë e pazareve të rëndomta.
Albert Xhani dhe shumëkush që i intereson dhe i dhimbset Partizani, të mos merren me fjalë, por të vijnë e të investojnë. Xhani ka kohë që është distancuar nga skuadra, pasi kur unë dhe të tjerët merremi deri me sigurimin e getave të lojtarëve, ai shkon nëpër stadiume duke parë ekipet e superligës dhe mungon kur luan Partizani.
Pra, që këtu shikohet se sa i intereson në të vërtetë Partizani Albert Xhanit dhe disa të tjerëve. Partizani ka nevojë për punë e jo për fjalë. Më habit fakti pse duhet të bëhet Partizani objekt në këtë fushatë zgjedhore të federatës, kur ne kemi një mijë e një probleme të tjera më të rëndësishme për të zgjidhur.”
E tashmja dhe e ardhmja e Partizanit. “Partizani i tanishëm nuk ka asnjë problem me rrogat, siç pretendohet nga disa media apo edhe individë të veçantë.
Madje ne kemi dhënë shembullin, pasi kemi paguar lojtarët pa kryer asnjë ndeshje zyrtare. Prandaj më habit edhe sjellja e fundit e presidentit Xhani, sepse te Partizani ka përfunduar epoka e talljes dhe e keqmenaxhimit. Po të ishte për interesa personale, ato i kam me ekipin e Laçit, por duke qenë tifoz i Partizanit, nuk mund ta duroja mjerimin që kishte përfshirë ekipin.
Nën menaxhimin e mëparshëm ekipi mbeti gati dy vite pa rroga dhe grupi akoma i ndien pasojat psikologjike të asaj situate. Kjo duket thjesht po t’u vonohen pagesat lojtarëve edhe me një ditë, pasi kanë frikë se po rikthehet epoka e errët që e degdisi Partizanin në kategorinë e parë. E keqja e Partizanit nuk qëndron se kush do ta përfaqësojë në asamblenë zgjedhore, por te ringritja e klubit. Partizani ka nevojë që t’i rrish përditë mbi kokë e jo të merresh me lojëra fjalësh.
Për momentin skuadra ka një gjendje të mirë financiare dhe ne jemi të hapur për investime, mision të cilin duhet ta përmbushë edhe presidenti Xhani. Gjatë kësaj kohe që jam bashkuar me Partizanin, jam munduar t’i shkrij të gjitha mundësitë e mia që ekipi të rikthehet në vendin që i takon dhe të marrë fund një herë e mirë nëpërkëmbja. Për momentin kam biseduar dhe kam rënë dakord edhe me pronarët e truallit të kompleksit, që Partizani të stërvitet në ato ambiente deri në kohën kur ne të kemi kompleksin tonë. Them se Partizani ka të ardhme, por nuk i përligj pretendimet e disa personave, që me veprat tyre nuk duan që ky ekip të ngrejë kokë.”

Zgjedhjet në FSHF, rivaliteti nis me delegatët

Afrimi i datës së Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore e ka ashpërsuar garën për vendet drejtuese të FSHF-së. 18 shkurti ishte afati i fundit i depozitimit të kandidaturave, pasi tashmë “topi” ka kaluar te komisioni i verifikimit, që do të shpallë zyrtarisht listën e kandidatëve për president, për anëtarë të komitetit ekzekutiv si dhe delegatët që do të përfaqësojnë me votën e tyre çdo anëtar të federatës. Për fat të keq, ka klube të përçara, që kanë sjellë në FSHF më shumë se një kandidaturë, si dhe emra të ndryshëm për t’i përfaqësuar si delegatë në asamble.
Sekretaria e FSHF-së ka qenë e hapur deri mesnatën e 18 shkurtit, kur kanë mbërritur zarfet e fundit me propozimet përkatëse. Çudia më e madhe ka ndodhur me rastin “Partizani”, kur në orët e vona të pasdites ka mbërritur një zarf “extra”, me emrin e delegatit të dytë, Albert Xhani, në një kohë kur Paro Laçi e kishte depozituar më parë emrin e tij si delegat i Partizanit.
Sipas burimeve pranë FSHF-së, korrieri që ka sjellë këtë zarf të dytë ka pranuar që është nisur nga vila “Goldi”, pronë e presidentit të Tiranës, Refik Halili, njëkohësisht rival dhe kundërshtar i hapur i presidentit aktual, Armand Duka. Përçarja e drejtuesve të Partizanit sa i përket zgjedhjes së delegatit për në asamble ka degjeneruar deri në përplasje fizike në zyrat e FSHF-së. Paradoksi i radhës ka të bëjë me delegatin e Tepelenës.
Ditë më parë ky klub ka zjellë zarfin me emrin përkatës të kandidatit për në KE, ndërsa në orët e fundit të 18 shkurtit është depozituar një tjetër zarf me vulën e këtij klubi, nga Riza Hicka (delegat i Tiranës), i cili ka pretenduar që kandidati në zarfin e dytë (Fatbardh Jera) është ai ligjor. Këto dy raste nuk janë të vetmet që tregojnë se si janë përçarë disa klube para zgjedhjeve të FSHF-së. Duket qartë se lufta mes kandidatëve për president dhe anëtar të komitetit ekzekutiv është shtrirë deri në bazë, çka ka sjellë përplasje deri fizike.