19 shkurt 2010

Milani, një përmbysje për historinë

“Për Milanin të fitojë 2-0 në Mançester do të ishte normale”. Eshtë kjo një nga fjalitë e thëna nga Leonardo menjëherë pas humbjes 2-3 të pësuar në “San Siro” nga “Djajtë e Kuq”. Por, statistikat të bëjnë të mendosh ndryshe, sepse përmbysja e kuqezinjve në Champions do të kthehej në një arritje historike. Kurrë, në 60 vite në kompeticionet europiane, Junajtid nuk ka humbur në “Old Traford” me dy gola diferencë. Ndërsa, në kampionatin anglez, një vit më parë Liverpuli ka fituar me rezultatin e thellë 4-1. Përveç se në forcën e tij dhe në cilësitë që zotëron, Milani mund të shpresojë edhe tek ligji i pashkruar i shifrave të rëndësishme, që, teorikisht, tregon se ka gjithmonë një herë të parë.
I ka shkuar shumë afër, pikërisht disa muaj më parë, CSKA-ja e Moskës, që deri 5 minuta para fundit udhëhiqte takimin 3-1, por golat e Skols dhe Valencias i kanë siguruar më pas barazimin skuadrës së Fergusonit. Në këtë edicion të Championsit, Mançesteri ka humbur në fushën e tij 1-0 kundër turqve të Beshiktashit, por duhet kujtuar se kualifikimi në vendin e parë të grupit ishte siguruar dhe se Sër Aleks Ferguson kishte bërë një rotacion të gjërë.
Përsa i takon Milanit dhe marrëdhënies së kuqezinjve me përmbysjet e rezultateve, një kuriozitet: pikërisht në debutimin e tyre në Kupën e Kampionëve, në vitin e largët 1955, kuqezinjtë janë përballur me një situatë të ngjashme, duke humbur ndeshjen në shtëpi 4-3 kundër Sarbrukenit për të përmbysur gjithçka në transfertë me një fitore 4-1. Kundërshtarë të ndryshëm, kohë të ndryshme. Ndërsa, në Mançester, “Djalli” ka fituar në 2005-ën: 1-0, falë një goli të Hernan Krespos. Kujtime këto mbi të cilat milanistët duhet të fillojnë ndërtimin e “misionit të pamundur” në “Old Traford”.