19 shkurt 2010

Berluskoni nis kritikat e para ndaj Leos

Presidenti i kuqezinjve ka deklaruar gjatë një darke: Një Milan i madh, po të luajë siç duhet ama…
Një thumbim ndaj Leonardos, një kritikë për skuadrën e tij pas humbjes në “San Siro” kundër anglezëve të Mançester Junajtid. Fjalia e thënë nga kryeministri italian, në një darkë zyrtare, nuk ka kaluar pa u vënë re. “Milani është një skuadër e bukur, -ka thënë Berluskoni, - nëse do të luante siç duhet…”. Numri një kuqezi, kanë bërë të ditur disa nga personat që kanë marrë pjesë në këtë darkë zyrtare dhe ka kujtuar faktin se është presidenti që ka fituar më shumë në historinë e futbollit. “Edhe këtë vit Milanit nuk i mungon asgjë për të fituar, nëse do ta drejtonin skuadrën ashtu siç duhet…”, ka përsëritur presidenti milanist.
PARALAJMERIM - Fraza këto që bëjnë të mendohet për ndonjë fërkim me Leonardon. Braziliani, i cili ka përgjegjësitë e tij në ndeshjen e humbur kundër anglezëve, kritikohet për faktin se nuk i ka bërë asnjë ndryshim skuadrës pas golit të avantazhit të Ronaldinjos.
Dhe ndoshta edhe Berluskoni ka dashur të theksojë zgjedhjet e fundit jo të sakta të trajnerit kuqezi. Fjalët e Berluskonit kanë peshë pasi kanë ardhur nga ai që ka kërkuar gjithmonë lojë të bukur nga Milani i tij. Sigurisht, nuk duhen marrë plotësisht si një kritikë direkte ndaj Leos, por edhe në lidhje me “çështjen Mansini” presidenti kuqezi dhe trajneri brazilian kanë shprehur mendime të kundërta. Aq sa Leo ka pranuar se nuk mund të shqetësohej për atë që nuk mund të ndryshonte, siç janë mendimet e të tjerëve.
REVOLUCION KUQEZI - Eshtë dukur formacioni më i mirë i mundshëm, por ka rezultuar e kundërta. Pas një pjese të parë, të karakterizuar nga gabime të shumta para portës së kundërshtarit, Milani është fundosur në pjesën e dytë në “San Siro”, stadiumi i shtëpisë ku kuqezinjtë, këtë vit, në Champions nuk kanë fituar asnjëherë. Midis zgjedhjeve që nuk i kanë pëlqyer tifozëve, dy janë më të diskutuarat: Dida në vend të Abiatit dhe Huntelar në vend të Inzagit. Ka shumë mundësi që Leonardo, në pritje të ndeshjes së kthimit, do të udhëhiqet pak më shumë nga zëri i popullit kuqezi dhe ndryshimet e mundshme kanë të bëjnë me rolin e portierit dhe atë të sulmuesit.
PORTA - Midis shtyllave Dida nuk jep më asnjë siguri. Në veçanti, kur duhet të bëjë daljet e zakonshme. Edhe zënia e pozicionit në portë është një virtyt, që kohët e fundit braziliani duket se e ka humbur rrugës. Abiati, i kërkuar shumë nga tifozët milanistë, jep më shumë garanci dhe duket se është në formë më të mirë se kolegu i tij 36-vjeçar. Ndoshta, Leonardo do të zgjedhë Abiatin për sfidën e ardhshme në kampionat kundër Barit.
SULMI - Ndërsa, për sulmin nuk ka asnjë dyshim. Do të riniset me Borrielon. Sulmuesi, i cili ka munguar në ndeshjen e së martës për shkak të një dëmtimi, do të rikthehet në Bari, dhe është gati të zbresë në fushën e lojës për takimin e kthimit në “Old Traford”. Inzagi duket se pëlqehet më shumë se Huntelar. Holandezi nuk e ka perfeksionuar lojën e tij me Paton dhe Ronaldinjon dhe ka arritur të krijojë vetëm një rast (të shpërdoruar), gjatë sfidës me anglezët.