20 shkurt 2010

Del Piero-Amauri, Juvja rigjen sulmin

Trajneri Zakeroni përgëzon dyshen ofensive që përmbysi rezultatin ndaj Ajaksit

Nga transferta e Amsterdamit, Alberto Zakeroni, ka marrë aspektin më pozitiv. Ose më saktë, rezultatin: “E kisha parashikuar mundësinë se mund të viheshim në vështirësi nga loja e kundërshtarit, - ka thënë tekniku bardhezi.

- Ajaksi në aspektin kolektiv ka një personalitet të madh falë lojës dhe futbollit kolektiv që zhvillon. Kam thënë se nuk do të ishte e lehtë dhe se duhet të godisnim në momentin e duhur dhe këtë kemi bërë”. Trajneri i Juventusit, më pas, ka paralajmëruar lojtarët e tij: “Kujdes, - ka vazhduar ai, - kualifikimi nuk është siguruar akoma”.

Në lidhje me Amaurin: “Edhe para se të kthehej tek goli kam thënë se me të në skuadër nuk luan asnjë herë me 10 lojtarë, di të luajë shumë mirë me shpinë nga porta, por di të luajë akoma më mirë me fytyrë nga porta e kundërshtarit. Lojtarët e kanë kërkuar dhe ai ka qenë gati”.

Midis fytyrave më të qeshura të Juves në Amsterdam është padyshim ajo e Amaurit, autor i dygolëshit vendimtar: “Jam i kënaqur, këto gola më duheshin shumë, pres me padurim të shënoj përsëri”. Braziliani më pas ka shpjeguar: “Tani shpresoj të vazhdoj kështu, sepse është shumë e rëndësishme për mua. Kam patur një problem të vogël fizik ashtu si të dielën e kaluar në kampionat, por nuk është një gjë serioze”.

Amauri i ka ndarë meritat me shokët e skuadrës: “Gjithë skuadra po përmirësohet, - ka thënë ai, - dhe për këtë jam i kënaqur. Përsa i takon golave të mi kur vijnë pasime të mira është më e lehtë ta çosh topin në rrjetë. Kundër Ajaksit kanë ardhur dy krosime të mira dhe unë i kam shfrytëzuar në mënyrën e duhur”.

Falënderoj shumë Zakeronin për fjalët e bukura që më ka thënë personalisht dhe shokët e skuadrës për paraqitjen e mirë që kanë bërë”. Këto kanë qenë fjalët e Alesandro Del Pieros, një nga protagonistët e fitores së Juventusit kundër Ajaksit në Amsterdam, i cili në fundin e takimit ka shprehur gëzimin e tij: “Jam 35 vjeç e gjysëm, por ndihem më i ri. Jam në formë të mirë dhe dua të vazhdoj të luaj për sa më shumë kohë që të jetë e mundur”. Ndërsa, Diego i ka bërë komplimenta shokëve të ekipit: “Amauri perfekt, Del Piero i mrekullueshëm”. Braziliani është shprehur optimist për të ardhmen e Juventusit: “Zakeroni na ka pozicionuar në fushën e lojës në mënyrë shumë të zgjuar. Tani nuk duhet të mendojmë se e kemi siguruar kualifikimin”, ka thënë Diego.