05 shkurt 2010

Maradona bën “rrëmujë”, thërret 5 të padisponueshëm

Miqësorja Argjentinë-Xhamajkë, e cila do të luhet javën e ardhshme në Mar del Plata (400 km në jug të Buenos Airesit), nuk i intereson shumë trajnerit argjentinas, Diego Armando Maradona, që u bë protagonist i një serie gabimesh me të vërtetë të bujshme, në formulimin e listës së lojtarëve të grumbulluar. Më poshtë po iu tregojmë për orët e rrëmujshme që kaloi Federata Argjentinase e Futbollit, si pasojë e mungesës së informacionit nga ana e trajnerit të “çelestëve”.
Mes 18 futbollistëve të zgjedhur për të përfaqësuar Argjentinën (ku nuk përfshihet asnjë lojtar që luan në Europë), dalloheshin emrat e Perezit, Boselit, Klementes dhe Sozës, që luajnë me Estuadiantesin. Probelmi është se në ditën e ndeshjes ndaj Xhamajkës, më 10 shkurt, këta lojtarë janë të impenjuar në Kupën Libertadores.
Në këtë mënyrë, vetëm pak orë më vonë, Diego u detyrua t’i heq nga lista këta lojtarë, duke i zëvendësuar me katër emra të tjerë: Kanuto (Argentinos Jr.), Mendez (Boka), Toranzo (Hurakan) dhe Perejra (Tukuman). Nga këtu lind telashi tjetër, Perejra është i padisponueshëm, sepse u operua në hundë të hënën e kaluar, dhe nuk mund të jetë i gatshëm deri në fund të muajit.
Në këtë moment, Maradona mori dhe një herë gomën dhe lapsin për të bërë një tjetër ndryshim: jashtë Perejra, brenda Beiler, i cili bëhet automatikish lojtari i 102-të i grumbulluar nga Maradona, gjatë 15 muajve si trajner i përfaqësueses. Kanë qenë të shumtë në Argjentinë ata që kanë shtrembëruar surratin, apo ironizuan për atë që ndodhi. Por ky është Maradona, merreni ose lëreni…