11 shkurt 2010

Maradona: “101 të grumbulluar? Nëse do të duhet, do të thërras 150”

“Mundem të thërras edhe 150 lojtarë, nëse do të jetë e nevojshme”. Diego Armando Maradona vazhdon të japë spektakël nën petkun e trajnerit të Argjentinës. Pas grumbullimeve të gabuara për miqësoren me Xhamajkën (kishte futur në listë pesë lojtarë të padisponueshëm) ka edhe numrin rekord të 101 lojtarëve të thirrur gjatë drejtimit të tij. Ish-ylli argjentinas del hapur kundër fushatës së shtypit, që dëshiron rikthimin në përfaqësuese të Huan Roman Rikelme. Trajneri nuk dëshiron të dëgjojë arsyet në lidhje me këtë çështje. “E kam thirrur herën e fundit në mars dhe nuk ka ardhur. Më pëlqen si lojtar dhe shpresoj të rikthehet në formën e tij më të mirë fizike, sepse Boka Juniors ka nevojë për të, por me Kombëtaren është një diskutim i mbyllur”. Një gjë e tillë shuan përfundimisht shpresat e ish-regjistrit të Vijarealit për të gjetur një vend mes 23-shes që do të shkojë në Afrikën e Jugut. Për sfidën me Xhamajkën do të jenë vetëm lojtarë, që i përkasin kampionatit argjentinas. “Në Europë ka shumë që qëndrojnë në pankinë, prandaj shanset për atë që luan në Argjentinë shtohen”, ka shpjeguar Maradona, i cili ka ilustruar edhe idetë e tij për Botërorin. “Ka kohë për listën përfundimtare, por i kam tashmë në kokë 60% të lojtarëve për në Afrikën e Jugut”.