11 shkurt 2010

Edhe Milani, në gjurmën e Rafa Benitez

Leonardo rrezikon të mos realizojë objektivat dhe të largohet në qershor
Në të përditshmet angleze vazhdojnë të dalin lajme të “çuditshme” në lidhje me të ardhmen e Rafa Benitez, trajnerit të Liverpulit. Pas interesimit të fortë të Juventusit, që ka provuar të marrë në Torino tekniku spanjoll që nga fillimi i sezonit, tashmë, sipas “Daily Mail”, edhe Milani është në garë për të arritur te Benitezi. Në fakt, për të përditshmet angleze, Leonardo rrezikon shumë, nëse nuk do të mundet të arrijë objektivat e paracaktuar, dhe ngaqë titulli është tashmë praktikisht në dorën e Interit, duke marrë në konsideratë edhe eliminimin nga Kupa e Italisë dhe vështirësitë për t’i shkuar deri në fund Champions Leagues, pozicioni i teknikut brazilian të Milanit është më se i rrezikuar. Benitez do të ishte një zgjedhje ideale për shoqërinë kuqezi, i cili flet në mënyrë të përsosur italisht, ka një përvojë të madhe ndërkombëtare, mbi të gjitha në Champions League, kompeticion praktikisht shumë i dashur për Milanin. Përveç të tjerave, spanjolli mund të menaxhojë i vetëm merkaton, duke bërë zgjedhjet e duhura dhe duke shmangur gabimet e fundit në menaxhim të skuadrës kuqezi. Ndërkohë që sipas “Mail”, Leonardo rrezikon shumë, mbi të gjitha nëse nuk do të ecë përpara në Champions League, sidomos tani që fitimi i titullit nga ana e Interit është i mbaruar. Benitez ndiqet vazhdimisht nga Juventus, prandaj, në “pole position” në rastin që braziliani nuk do të rikonfirmohet në pankinën e kuqezinjve, ka edhe alternativa të tjera. Alternativa e parë do të ishte ish-trajneri i Totenhemit, CSKA së Moskës dhe Realit të Madridit, Huande Ramos. Njëkohësisht në kampin e klubit të Milanit priten zhvillime të rëndësishme. “Emirates” e sheikut Ahmed bin Saeed Al Maktoum do të jetë sponsori i përgjithshëm i skuadrës, duke filluar që nga sezoni i ardhshëm. Kompania e fluturimeve ka gjetur një marrëveshje me Milanin për pesë sezonet e ardhshme dhe do të garantojë një përfitim prej 75 milionë eurosh, të cilat mund të shtohen edhe më shumë, nëse klubi do të arrijë suksese në Itali dhe në Europë. Një valvul e rëndësishme oksigjeni për Adriano Galianin, të detyruar të punojë me vetëmenaxhim klubi në vitet e ardhshme.