04 shkurt 2010

Liverpuli në shitje, Benitez në dilemë

Këshilltari Purslou pranon borxhin prej 270 mln eurosh, që mund t’i detyrojë pronarët ta shesin klubin

“Liverpuli nuk ka para, madje ka borxhe”. Fjalë të tilla kanë dalë nga vetë këshilltari i deleguar i këtij klubi, Kristian Purslou, gjatë një takimi me grupin historik të tifozëve të Liverpulit, “Spirit of Shankly” ka shpjeguar se Tom Hiks dhe Xhorxh Xhilet i kanë mbaruar paratë dhe se janë të detyruar ta shesin klubin, që ka 237 milionë stërlina borxh (afërsisht 270 milionë euro).

Versione kundërthënëse

Ky lajm i ka tronditur të pranishmit, por nuk kanë vonuar t’ia bëjnë të ditur këtë lajm gazetave. Menjëherë lajmi është publikuar nga “Daily Mirror”, edhe pse drejtuesi i Liverpulit më pas ka nxituar të përgënjeshtrojë dhe tani të dy palët janë duke u grindur se çfarë është thënë në të vërtetë në atë takim. Sipas versionit të tifozëve, fjalimi i Purslouit ka qenë ky: “Liverpuli është në shitje dhe do të shitet.

Pronarët janë të detyruar ta bëjnë sepse janë pa para. Banka kërkon që të shitet, edhe tifozët po ashtu. Njerëzit që duan ta blejnë janë. Sigurisht që problemet në fushë nuk janë faji i pronarëve dhe nuk mund të thuhet se pronarët e rinj do të garantojnë rezultate.

Unë kam dashur që të ketë investime në klub, ashtu si doni ju dhe premtimet që kanë dhënë Hiks dhe Xhilet kanë qenë të pafalshme.” Këto deklarata, ky drejtues më pas i ka mohuar në tërësi, duke thënë se u ka treguar tifozëve se duhet të ndalonin protestat kundër pronarëve amerikanë, sepse kjo po dëmtonte tentativat për të kërkuar investitorë të rinj.
100 milionë deri në korrik

Cilado qoftë e vërteta e asaj që është thënë në atë mbledhje, sipas gazetës “Times”, pronarët amerikanë kanë kohë deri në korrik për të gjetur 100 milionë stërlina (114 milionë euro) për të paguar borxhin që kanë ndaj Royal Bank of Scotland. Në të kundërtën, shitja e klubit mbetet zgjidhja e vetme, nëse nuk gjendet ndonjë tjetër bankë që do t’i japë Liverpulit borxh.