05 shkurt 2010

Liverpool s’ka para

“No money left”: nuk kanë mbetur më para. Ky është mesazhi i lëshuar nga Christian Purslow, zyrtar i Liverpool. Ose më mirë, klubi ka një borxh prej 270 milionë eurosh. Kjo deklaratë e ka shokuar jo vetëm grupin historik të tifozëve, por edhe tërë futbollin anglez. Jo vetëm kaq, sipas të përditshmes britanike, “Daily Mirror”, borxhi i madh i Liverpoolit mund t’i shtyjë pronarët Tom Hicks e George Gillett, që ta shesin klubin.
Mirëpo, Purslow më pas e ka përgënjeshtruar deklaratën e tij, duke thënë se i është keqinterpretuar. Në realitet, duket se e vërtet është deklarata e tij e parë, pasi që punët nuk po shkojnë mirë tek pesë herë kampioni i Evropës. Në mes të grupit të tifozëve dhe të zyrtarëve të klubit, tashmë ka plasur sherri. Tifozët vazhdojnë të besojnë në deklaratat e Purslow, i cili nuk ishte ndalur me kaq.
“Liverpool është në shitje. Pronarët duhet ta bëjnë këtë, sepse kanë mbetur pa para. Ka njerëz që dëshirojnë ta blejnë klubin. Natyrisht, problemet në fushë nuk janë të pronarëve aktualë, nuk mund të thuhet se pronarët e rinj do të garantonin rezultate të mira. Unë dëshiroja investime, siç dëshironi edhe ju, por premtimet e Hicksit dhe Gillettit, nuk janë mbajtur”, i ka thënë Purslow, grupit të tifozëve.
Më pas, Purslow ka thënë se u ka kërkuar tifozëve “që të heqin dorë nga protestat kundër pronarëve, ngase kjo mund t’i bllokojë investitorët e rinj”.
Përpos aspektit ekonomik, Liverpool po vuan edhe në aspektin sportiv. Ky klub e ka nisur mjaft dobët këtë sezon në Premierligë, ndërsa është eliminuar nga Liga e Kampionëve, qysh në fazën e grupeve.