05 shkurt 2010

Yjet pa kontrata

Pa përfunduar mirë afati kalimtar i janarit, ku pati disa transferime të bujshme, klubet kanë filluar të mendojnë për përforcimet e tyre eventuale të verës. Janë shumë futbollistë të njohur që gjatë verës do të jenë të lirë, pasi u përfundon kontrata me klubet e tyre aktuale. Andaj, në bazë të rregullave të FIFA-s, ata mund t’i fillojnë negociatat apo të arrijnë marrëveshje me klubin e ri, 6 muaj para përfundimit të kontratës..

Janë shumë emra interesantë që gjatë verës mund ta ndërrojnë mjedisin, pasi nuk do t’u vazhdohet kontrata me klubin aktual. “Gjuajtjet” më të mëdha pritet të bëhen në kampionatet më interesante: Angli, Spanjë, Itali dhe Gjermani.

Trajneri i Chelseas, Carlo Ancelotti, rrezikon t’i humbasë mesfushorët Deco e Ballack: këta të dy nuk janë më të rinj, por natyrisht se kanë kualitet të pamohueshëm. Blues mund ta humbasë edhe mesfushorin tjetër Joe Cole, i cili nuk po gjen gjuhë të përbashkët me klubin londinez, për vazhdimin e kontratës.

Duke mbetur në Angli, ambientin mund ta ndërrojë edhe mbrojtësi 22 vjeç i Manchester United, Johnny Evans, i cili përkundër moshës së re, ka treguar pjekuri të madhe, por nuk ka vend në përbërjen e parë, pasi aty të pazëvendësueshëm janë Ferdinand e Vidic. Trajneri i Interit, Jose Mourinho, do ta “përqafonte” këtë lojtar, pa u menduar dy herë, por fjala e fundit i mbetet skocezit Alex Ferguson, i cili megjithatë mund të mbetet pa mesfushorin me përvojë, Scholes.

Duke udhëtuar drejt Gjermanisë, mund ta shohim sulmuesin e Schalke 04 pa kontratë, Kevin Kuranyi, që mund të largohet. Ndërsa, Bayern do të mundohet ta mbajë mbrojtësin Daniel Van Buyten, e mbi të gjitha mesfushorin Marc Van Bommel, të dy në skadim të kontratës.

Një transferim tjetër i madh mund të jetë edhe ai i sulmuesit të Bordeaux, Marouane Chamakh, që i skadon kontrata me kampionin francez. 26-vjeçari maroken nuk dëshiron ta vazhdojë kontratën me Bordeaux, kështu që ai mund t’i bashkohet Liverpoolit ose Arsenalit, gjatë verës.

Kalojmë në Itali. Janë katër futbollistë të Milanit, që në fund të sezonit pritet të largohen, pasi iu skadon kontrata. Bëhet fjalë për portierët Dida e Roma, si dhe veteranët e tjerë Favalli e Inzaghi.

Roma rrezikon ta humbë portierin Julio Sergio, pastaj Tonetton e Taddein. Edhe kampionit të botës, Fabio Cannavaro, i përfundon kontrata në verë, edhe pse ai e ka një opsion që ta vazhdojë, edhe për një vit, bashkëpunimin me klubin italian.

Pra, në Itali janë plot 52 futbollistë që do të ndahen nga klubet e tyre gjatë verës, përfshirë këtu edhe sulmuesin shqiptar Erjon Bogdani, që mund të përshëndetet me Chievon.