Trajneri i Italisë mund të vazhdojë të drejtojë “axurrët” edhe pas Botërorit
Marçelo Lipi ka pohuar se egziston mundësia që ai të qëndrojë në drejtimin e Italisë edhe pas Botërorit. “Nuk kam thënë se do të largohem pas Afrikës së Jugut: tani mendoj vetëm për Botërorin. Në fillim duhet të luajmë duke u impenjuar në maksimum, më pas do të shohim. Do të varet edhe nga rezulatet”, ka thënë ai. Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit, Xhiankarlo Abete, gjithsesi ka komunikuar se emri i trajnerit të ardhshëm të Italisë do të përcaktohet para nisjes për në Afrikën e Jugut.
“Me Lipin kemi një marrdhënie pozitive, - ka thënë Abete, - dhe kam marrë përsipër detyrën për të zbuluar emrin e trajnerit që do të drejtojë kombëtaren në të ardhmen, para nisjes për në Afrikën e Jugut. Unë do ta bëj detyrën time dhe ne do të shkojmë në Botëror me ide të qarta dhe vetdijen se duhet të përqendrohemi te kompeticioni”. “Midis meje dhe Abetes është gjithçka e qartë.
Presidenti është një person që unë e respektoj dhe me të flas gjithmonë në mënyrë të hapur”, ka konfirmuar trajneri i Italisë. Në lidhje me Juventusin: “Eshtë ndërtuar një histori në lidhje me marrdhëniet midis meje dhe Juventusit. Ndoshta një ditë do të jetë vetë Juvja që do të tregojë sesi qëndrojnë gjërat.
Unë mendoj vetëm për kombëtaren, duhet të gjej 4-5 lojtarë që më mungojnë, dhe për këtë arsye po ndjek rreth 20 të tillë. Më pas, në maj do të zgjedh ata që janë në formë më të mirë”. Përsa i takon momentit të bardhezinjve: “Po përpiqen t’i kalojnë me vendosmëri vështirësitë. Benitez? Nuk më takon mua të flas për këtë”, ka thënë Lipi.