14 shkurt 2010

Huntelar: Shpresoj të luaj më shpesh

Sulmuesi holandez ka qenë vendimtar për kuqezinjtë me dygolëshin kundër Udinezes
Nëse sytë e Aleks Fergusonit i bëjnë këtë efekt Klas-Jan Huntelarit, është gjë e mirë për Milanin, që në takimin e ardhshëm do të jetë kundër Mançester Junajtid. Trajneri skocez është admirues i holandezit, që akoma nuk ka bindur plotësisht te Milani.
E ka ndjekur për shumë kohë, ka menduar për të edhe gjatë këtij viti. Tani, Klas ka shënuar dy gola para syve të tij dhe ka një mesatare cilësore: një gol çdo 120 minuta. Huntelar deri tani ka realizuar pesë herë: dy dygolësha, një penallti të dhuruar nga Ronaldinjo dhe Bekham kundër Xhenoas.
Lidhur me Ronaldinjon, dhuratat më të bukura kanë qenë ato që i ka bërë të premten në mbrëmje: pasime perfekte për ta çuar topin me lehtësi në rrjetë. Ai dhe Pato tani janë rikthyer në formë të shkëlqyer. Por tani vëmendja është ndaj Klas-Jan, që mund të jetë titullar edhe kundër Junajtid, të martën. Borrielo ka disa probleme fizike, duhet të rikuperohet në kohë. Eshtë edhe Inzagi, i cili në Europë gjithmonë ka qenë vendimtar.
Megjithatë, shumë sinjale të vogla bëjnë që holandezi të shpresojë dhe të jetë më i qetë pasi ka vendosur të qëndrojë në Milano, pavarësisht nga ofertat që i kanë ardhur në janar. Nëse është e vërtetë se Ferguson nuk ka bërë një ofertë konkrete, gjithashtu është e vërtetë se oferta e Totenhemit ka shkuar në tryezën e Adriano Galianit. “Kur Huntelar më ka kërkuar të largohet, unë e kam përzënë”, ka treguar Galiani.
Në të vërtetë, Milani e ka bindur të qëndrojë, edhe pse nuk ka gjetur zëvendësuesin e duhur për të lënë të lirë një lojtar për të cilin ka shpenzuar 15 milion euro. “Ka shënuar dy gola si qendërsulmues, nga ana tjetër Huntelar i ka bërë gjithmonë”, ka thënë shkurt drejtuesi kuqezi. “Jam i lumtur për golat dhe për fitoren. Roma ka rekuperuar shumë pikë. Duhej të fitonim, dhe e kemi bërë këtë. Edhe pse kemi pësuar gola që mund t’i kishim evituar, mendoj se kemi luajtur shumë mirë. Tani shpresoj të luaj më shpesh”, ka thënë Huntelar.