09 shkurt 2010

Kuze, realist

Pas kthimit nga Varshava, ku mori pjesë në tërheqjen e shortit për eliminatoret e Euro 2012, selektori i Kombëtares shqiptare, Josip Kuze, ka folur për objektivat e ekipit kuqezi.
Duke parë kundërshtarët që ka në Grupin D - Franca, Rumania, Bosnja, Bjellorusia dhe Luksemburgu - trajneri kroat ka qenë realist duke treguar se objektiv i tyre do të jetë vendi i tretë ose i katërt në grup, duke lënë pas dy apo tre skuadra: Bjellorusinë, Luksemburgun dhe Bosnjën.
“Objektivat me këtë short nuk janë të lehta. Unë jam trajner dhe më duhet të mbaj një qëndrim realist, por nga ana tjetër më duhet të jap edhe pak shpresë. Kam dëshirë të punoj në një atmosferë pozitive dhe realiste. Nëse do të flisja realisht në këtë situatë, ne duhet ta fillojmë nga pozicioni ku ishim përpara hedhjes së shortit. Ndodheshim në vazon e 5-të”, ka thënë ai në një konferencë për media.
Ish trajneri i Dinamo Zagrebit ka thënë se objektiv i tij është përmirësimi i futbollit, duke u renditur më mirë në grup sesa ajo që ka bërë Shqipëria në të kaluarën.
“Përmirësim për ne do të thotë që të ngrihemi në renditje, pra në vend të katërt apo të tretë. Gjithsesi unë jam trajner dhe më pëlqen të punoj në një atmosferë pozitive. Nuk dëshiroj të them se do të fitojmë ndonjë ndeshje speciale, por ne duam të fitojmë ndeshjet dhe pasi të kalojnë disa prej tyre mund të përgjigjem me realisht e të bëj një definicion të objektivit tonë”, ka theksuar Kuze, i cili Grupin D, e vlerëson si shumë të vështirë.
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuze, para se të mendojë për numrin e pikëve, të cilat mund t’i grumbullojë, ka thënë se së pari duhet të ndërtojë programin dhe të përzgjedhë lojtarët e duhur për të fituar pikët.
Kuze ka treguar se kur erdhi në krye të Kombëtares nuk kishte asnjë njohuri për lojtarët e Shqipërisë. Mirëpo, tani kroati ka njohuri për secilin futbollistë dhe kërkon të përmirësojë shumë gjëra për ta bërë një lojë më të fuqishme.
“Lojën e mirë që kemi bërë kundër Portugalisë, ne duhet ta zbatojmë edhe në ndeshjet që kemi përpara. Duhet të kemi ambiciet tona. Duhet të ndërtojmë një ekip që të ketë këtë filozofi. Opinioni im është të ndërtojmë një skuadër akoma më të fortë dhe shpresoj se mund të marrim disa pikë kundër ekipeve të forta. Nëse ju doni të arrini diçka në këto eliminatore, ideale do të ishte 20-22 pikë”, u shpreh kroati i cili ndeshjen e parë kërkon ta zhvillojë kundër Francës në Tiranë.
Mirëpo, Kuze dëshiron ta shohë situatën ndeshje pas ndeshjeje. Madje ai mendon se pas rezultateve në ndeshjet e para të ndërtojë edhe programin në lidhje me numrin e pikëve se sa do të mund t’i grumbullojë Shqipëria në këto eliminatore.