12 shkurt 2010

Kuqi ka mundur ta përfundojë karrierën

Kapiteni i Swanseas, Garry Monk ka kritikuar homologun e tij nga Crystal Palace, Shaun Derry, duke insistuar se ndërhyrja e ashpër e tij ndaj Shefki Kuqit ka mundur t’ia përfundojë karrierën sulmuesit kosovar.
Kuqi pati një rikthim të shkëlqyeshëm në Selhurst Park, pasi të martën shënoi golin e fitores për Swansean. Por, në pjesën e dytë të këtij takimi, nata për Kuqin ka mundur të përfundojë shumë keq për shkak të ndërhyrjes së ashpër me dy këmbë ndaj tij nga ana e kapitenit të Palace.
“Ishte një ndërhyrje e turpshme. E pash shumë qartë dhe më nervozoi shumë sepse është nga ato ndërhyrjet që mund t’ia përfundojë karrierën futbollistit. Kuqi ishte me fat që nuk i ndodhi asgjë”, ka thënë kapiteni i Swanseas, Garry Monk.
Duke marrë parasysh frustrimin e Monk, ju mund të prisni që Kuqi është zemëruar edhe më shumë. Por, sulmuesi shtatlartë ka refuzuar t’i “hedhë benzinë zjarrit”.
Kuqi ka thënë se Derry i ka kërkuar falje pas përfundimit të ndeshjes. “E njoh Derryn mirë dhe ai erdhi të më kërkojë falje. Ishte një ndërhyrje e ashpër, por është diçka që ai e bën shumë herë dhe është një njeri, nuk ndërrohet. Nëse do të më kishte ndodhur diçka, do të mund të thosha diçka tjetër tani. Por, duke iu falënderuar Zotit, gjithçka kaloi mirë. E pranova kërkim faljen e tij dhe çfarë mund të bëni tjetër? Jam mjaft i fortë për të qenë OK pas një ndërhyrjeje të tillë”, tha Kuqi.