Mbrojtësi i Atletikos së Madridit, Tomas Ujfalushi, ka pranuar se paqëndrueshmëria e ka karakterizuar sezonin e kryeqyetasve, të cilët mund të “shpëtojnë” vetëm me një sukses në Kupën e Mbretit. Pikërisht forma e dobët në kampionat, ku të dielën u mundën 2-0 nga Malaga, duhet të shërbejë si stimul për të mposhtur Santanderin në gjysmëfinale. Ujfalushi tha: “Ndaj Seltës u kualifikuam duke fituar në Vigo një ndeshje, të cilën e luajtëm me shpirt dhe zemër.
Luajtëm mirë, ishim të organizuar dhe krijuam raste për shënim, por të dielën ndaj Malagas u kthyem sërish të varfër. Diçka e tillë ka ndodhur shpesh gjatë këtij sezoni. Pas dy ndeshjeve të mira ka ardhur një e dobët, kësisoj nuk duhet të gabojmë në kupë.” Mbrojtësi çek mendon se Atletiko e Madridit nuk mund të konsiderohet e kënaqur me sezonin aktual, edhe nëse arrin në finalen e Kupës së Mbretit. “Arritja e finales është objektivi minimal që kemi, sepse na duhet të luftojmë edhe për synime të tjera. Duam të arrijmë në vend në Europë, por aktualisht të gjitha mendimet tona shkojnë për Santanderin. Tifozët presin diçka të rendësishme prej nesh.”