23 shkurt 2010

Kristiano Ronaldo, kur shfaqja merr “flakë”!

Portugezi ka marrë elozhet e shtypit spanjoll pas paraqitjes në fitoren 6-2 ndaj Vilarealit

Kristiano Ronaldo ishte dirigjenti i Real Madridit në fitoren e tyre të mrekullueshme 6-2 kundër Vilarealit në kampionatin spanjoll të dielën në mbrëmje. Sulmuesi portugez hapi serinë e golave me një goditje të lirë në minutën e 18-të dhe ishte në formë të jashtëzakonshme duke qenë protagonist në aksionet e katër golave të tjerë. Reali e shkurtoi në dy pikë diferencën me Barcelonën kryesuese pas kësaj fitoreje.

Kjo ishte ajo që kërkonte edhe trajneri Manuel Pelegrini pas humbjes 1-0 në Ligën e Kampionëve kundër Lionit të martën. Kjo fitore erdhi një ditë pas përmbytjeve që përfshinë Madeiran e Portugalisë, vendlindjen e Kristiano Ronaldos, përmbytje që shkaktuan të paktën 42 viktima.

“Ishte një shfaqje e jashtëzakonshme”, shkruan “El Pais”, nën titullin “Kristiano merr flakë”. Ronaldo është inspiruar nga “natyra e tij kompetitive, që e ka karakterizuar që fëmijë, ose nga shirat e rrëmbyer që përfshinë vendlindjen e tij. Ndoshta është motivuar nga humbja kundër Lionit dhe donte ta shlyente atë sa më parë”, shkruan kjo gazetë. Lojtari më i shtrenjtë në botë është kritikuar disa herë për egoizëm, por kreativiteti dhe bujaria e tij, e përforcuar nga talenti i rrallë, ranë në pah në ndeshjen kundër Vilarealit.

“Sulmi i Realit kishte vetëm një dirigjent, që ishte i aftë të shprehej në atë ofensivë të pandalshme”, shkruan Orfeo Suarez në “El Mundo”. “Ai tregoi fuqi në golin e parë, shpejtësi dhe preçizion në të tretin, inteligjencë në të katërtin dhe mprehtësi për penalltinë e golit të gjashtë”, shtoi ai.

“Ky Madrid, Madridi i Kristianos, është si grabitqar: nëse e lejon të kalojë në epërsi, nuk ka më mëshirë dhe vret çdo kundërshtar.” Në “Publico”, Ladislao Monino shkruan se vendimi i Pelegrinit për të aktivizuar Ronaldon në krah ka qenë vendimtar. “Pa dyshim që Ronaldo luajti ndeshjen e tij më të mirë me fanellën e Realit”, shkruan Monino. “Ai u kthye në origjinën e tij.

Në krah, ku hapësirat janë të kufizuara për një mesfushor, ku hapësirat krijohen falë aftësisë teknike dhe shpejtësisë, Kristiano na tregoi versionin e tij më ekstrem.” Ronaldo ka shprehur solidaritetin e tij me njerëzit e Madeiras dhe pasi shënoi gol, ai zbuloi nën fanellë një bluzë me emrin e ishullit ku ka lindur.

Editorialisti i gazetës “Marca”, Roberto Palomar, shkruan se 25-vjeçari është motivuar nga përmbytja e Madeiras. “I shtyrë emocionalisht nga tragjedia në Madeira, ai na shfaqi tërë repertorin që presim prej tij. Ai na bindi se përveç gjuajteve të bukura, dhënies së asisteve, ekzekutmiit të gjuajteve të lira dhe pasimeve të sakta, ai bën gjithçka, vetëm bileta stadiumi nuk shet”, ka shkruar Palomar.´..