18 shkurt 2010

Kreu i FFK, Vokrri: Faleminderit Shqipëri!

Fadil Vokrri, presidenti i Federatës Kosovare të Futbollit ka theksuar edhe një herë mirënjohjen për ndihmën e ardhur nga Shqipëria gjatë gjithë këtyre muajve. Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në fund të miqësores së pavarësisë, ai deklaroi: “Falënderoj Kombëtaren shqiptare, e cila ishte këtu me ne për të festuar së bashku ditën e pavarësisë. Bashkëpunimi me FSHF-në nuk ka munguar asnjëherë, dhe kjo u dëshmua edhe me këtë ndeshje miqësore. Shpresoj dhe besoj se në të ardhmen ky bashkëpunim do të intensifikohet edhe më tej, në mënyrë që edhe futbolli i Kosovës të përparojë”, deklaroi ai. FSHF ka bashkëpunuar ngushtë me FFK-në që prej zgjedhjes së Vokrrit në krye të federatës në shkurtin e vitit 2008, duke bërë lobing për njohjen ndërkombëtare të përfaqësueses së Kosovës..