18 shkurt 2010

FSHF, një fanellë me numrin 10 për presidentin Sejdiu

Vizita në kompleksin e familjes Jashari dhe në varrin e ish-presidentit Rrugova
Sapo dera e aeroplanit të linjës Shqipëri-Kosovë është hapur, një delegacion i Federatës Kosovare të Futbollit ka shpërndarë buqeta me lule për presidentin e FSHF-së, Armand Duka, ministrin e Sporteve, Ferdinand Xhaferi dhe drejtorin e sporteve, Vasil Bici, por edhe presidentët e klubeve të Superiores, Hasanbelliu, Fushaj e Bizhdili. Një pritje modeste, por mjaft e ngrohtë, e shoqëruar me falënderimin për prezencën në festën e dyvjetorit të lindjes së shtetit më të ri në Europë. Sytë e atyre pak kundërshtarëve që ndodheshin në aeroportin e Prishtinës ndiqnin me kureshtje çdo lëvizje të delegacionit të sapombërritur shqiptar. Natyrisht, vëmendja ishte përqendruar te skuadra, protagonistja e vërtetë e miqësores së pavarësisë. Me autobusin që i shoqëronte, të përzgjedhurit e Josip Kuzhe kanë udhëtuar drejt kryeqytetit, për t’u përgatitur për ndeshjen, ndërsa përfaqësuesit e federatës dhe MTKRS-së, të shoqëruar nga gazetarët e shumtë, nisën udhëtimin për në Prekaz. Një vizitë në kompleksin përkujtimor “Adem Jashari”, komandantit legjendar që u masakrua së bashku me pjesën më të madhe të familjes nga ushtria serbe në mars të vitit 1998. Ajo që binte në sy ishte tabela e vendosur prej dy vjetësh në fshatin e liderit të UÇK-së. Pak fjalë, por që të krijojnë të gjithë idenë: “Bac, u kry”, duke iu referuar sovranitetit të Kosovës. Pas vizitës në varrezat e familjes Jashari, delegacioni shqiptar dhe ai kosovar u nisën drejt Prishtinës, ku janë takuar me presidentin e Republikës, Fatmir Sejdiu. Në prezencën e ministrit Xhaferi dhe të ambasadorit shqiptar në Kosovë, Islam Lauka, presidenti i FSHF-së, Armand Duka i dhuroi kreut të shtetit fanellën kuqezi, me emrin e dedikuar dhe numrin 10. Sipas axhendës, më pas të gjithë kanë vizituar edhe varrin e ish-presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, kreut të parë të shtetit kosovar dhe një prej figurave më të rëndësishme të këtyre viteve të fundit..