02 shkurt 2010

Bunjaku: Përzgjedhësi Hitzfeld më dërgoi një SMS...

Shqiptari Albert Bunjaku, futbollist që çmendi të shtunën që e lamë pas tërë futbollin gjerman me tri gola të shënuar në fanellën e Nurnbergut. Bunjaku për herë të parë shënoi dhe het-trikun e parë, kësisoj arriti në nëntë golat e tij të shënuar nga 16 sa ka shënuar skuadra e Nurnbuergut. Tri golat e Bunjakut janë edhe shenjat e parë se do të jetë edhe në përbërjen e kombëtares së Zvicrës për Kampionatin botëror që do të mbahet gjatë verës në Afrikën e Jugut. Edhe përzgjedhësi i kombëtares së Zvicrës, Hitzfeld, e ka përgëzuar për fitoren dhe golat që ka shënuar në skuadrën e Nurnbergut. Bunjaku është vlerësuar lart edhe nga gazeta autoritative gjermane e futbollit, Kicker. Kjo gazetë e ka shpallur Bunjakun futbollistin më të mirë të javës në elitën gjermane. Edhe në mediat e ndryshme gjermane, por edhe në ato zvicerane vlerësohet me nota të mëdha loja e Bunjakut që dëshmoi në javën e 20-të të elitës gjermane dhe tri golat që i shënoi si udhëtues kundër Hannoverit. Gazeta zvicerane, “Blick”, ka publikuar një intervistë të shkurtër me sulmuesin e tretë në elitën gjermane.

Pas gjashtë ndeshjeve pa gola, shënuat sërish. Jeni çliruar?

Albert Bunjaku: Shumë. Nëse nuk shënon, të gjithë fillojnë të dyshojnë. Media, rrethi, vetvetja dhe tani çdo gjë është në vendin e vet.

Prej nga vinte presioni më i madh?

Albert Bunjaku: Nga vetvetja, pasi dëshiroja të tregoj se nuk jam vetëm përkohësisht dhe të konfirmoj fillimin e mirë të stinorit.

A ishe i shqetësuar edhe për vendin në kombëtaren e Zvicrës?

Albert Bunjaku: Po, si sulmues matesh në bazë të golave. Vetëm trajneri, Dieter Hecking, më thoshte gjithmonë të mos nevrikosem, sepse golat do të vijnë sërish.

Një tregolësh dhe paraqitje e shkëlqyeshme nga ti?

Albert Bunjaku: Mendoj se arrita me mund, kush do që gjuajë, mund të shënojë. Jam krenar me shënimet që i kam bërë dhe tani kam 9 gola.

Shumë shpejt vijnë përgatitjet për kupën e botës, çka thotë selektori Ottmar Hitzfeld?

Albert Bunjaku: Z. Hitzfeld më kontaktoi gjatë Krishtlindjeve dhe festës së Vitit të Ri, dhe dje më dërgoi një SMS. Ai më uroi për performancën dhe fitoren, duke më dëshiruar edhe më shumë sukses.