10 shkurt 2010

Konfirmohet momenti jo i mirë i Lorik Canës

Lorik Cana po kalon një formë jo të mirë javët e fundit te skuadra e Sanderlendit në kampionatin anglez të futbollit.Forma e dobët e mesfushorit shqiptar ka ndikuar drejtpërsëdrejti edhe në rezultatet e ekipit të Sanderlendit, i cili nuk arriti do të shkonte mbrëmë më shumë se barazimi 1-1 në fushën e vet përballë Portsmuthit.
Rënien e kapitenit Cana e pranon edhe trajneri i ekipit, Stiv Brus, i cili tha sot për mediat britanike se, “forma e Canës ka rënë, por problemi i vërtetë është adaptimi me intensitetin e ndeshjeve më të shumta në Angli në krahasim me Francën. Problem është pikërisht intensiteti i ndeshjeve në Premier Ligë, por kjo kalon sapo fillon të ambientohesh. Unë nuk shikoj probleme te Loriku për sa i përket angazhimit të tij. E bëra kapiten dhe nuk jam penduar aspak për këtë. Ai ka vuajtur një farë rënieje, nëse ju doni t’ju them pikërisht këtë, por ai do të rikthehet në formë, dhe jam i bindur për këtë”.