10 shkurt 2010

Amauri, ja shifrat e krizës

Sulmuesi brazilian i Juventusit prej kohësh po kalon një formë të dobët me fanellën bardhezi, duke u bërë problem për klubin, në vend që të jetë një ndihmë më tepër në këtë moment të vështirë.

Në fakt, shifrat flasin qartë për krizën e sulmuesit, për të cilin “Zonja” derdhi në arkat e Palermos plot 22 milion euro. Gjatë gjithë vitit të shkuar e deri më sot, në të gjitha veprimtaritë, Amauri ka shënuar vetëm pesë gola gjithsej. Një katastrofë, po të kihet parasysh fakti që në këtë moment ekipi ka nevojë më tepër se kurrë për lojtarë goli.

Situata bëhet edhe më e rëndë për shkak të dëmtimeve të sulmuesve të tjerë. Trezege dhe Iakuinta mungojnë prej kohësh, kështu që e gjithë pesha e sulmit mbetet në këmbët e Amaurit dhe kapitenit Del Piero, të mbështetur nga Diego jo në formë të shkëlqyer. Trajneri Zakeroni ka kërkuar nga bomberi brazilian më tepër cilësi në lojën e tij, duke qenë se në këtë periudhë skuadra ndodhet në moment të vështirë. Se mos Amauri është më mirë!...