Java e 19‑të e superligës, qetësia e beftë pas stuhisë!
Java e 19‑të rezultoi si “qetësia pas stuhisë”. Shtatë ditë diskutime e polemika, ngrirje dhe shkrirje komisionesh juridike në FSHF, gjoba e pezullime për lojtarë dhe skuadra të ndryshme, por edhe riluajtje e ndeshjes së Vlorës, Flamurtari‑Besa, u paraprinë ndeshjeve të fundjavës që shkoi. Duket se u shuan polemikat tepër të ndezura të ditëve të fundit, në përgjigje të një opinioni unanim sportiv, i cili e vlerësoi me të drejtë një “gjendje të jashtëzakonshme” fundin e derbit Tirana‑Dinamo, por edhe çudirat e Vlorës, që në shtypin e huaj tregoheshin si barceleta. Nëse në kategorinë e parë nuk u luajtën dy ndeshje, për shkak të dëborës, në superligë u rishfaqën fushat e baltosura, si në Peqin dhe Shkodër, duke e nxirë akoma më shumë situatën e vështirë të Flamurtarit dhe Vllaznisë.
Në “Qemal Stafa”, Dinamo kreu ritin, fitoi, ashtu sikurse e prisnin të gjithë. Ndaj një Skënderbeu thuajse të panjohshëm, që pësoi humbjen e tretë radhazi “made in Marko” në këtë fillimviti. Skuadra korçare i ngjan më së shumti një “kove pusi”, që vijon rënien e lirë, me pak shanse, më pak së të gjitha skuadrat e tjera të superligës, për të mbijetuar mes më të mirëve. Edhe pse nuk mund të bënte shumë ndaj kryesuesve të garës, që vinin nga suksesi i rëndësishëm kundër Tiranës në derbi, Skënderbeu dukej një skuadër emergjence.
Besa nuk e humbi mundësinë e radhës në Fier për të ushtruar presion mbi Dinamon. Fitorja ndaj Apolonisë tregoi ndryshimet te verdhezinjtë, edhe në planin individual, të cilat, kësaj here rezultuan për të mirë dhe konfirmuan një Besë konstante. Ndeshja në fjalë nuk mund të analizohet në mënyrë shteruese vetëm përmes episodeve, që vendosën edhe fatin e saj, megjithatë i rëndësishëm mbetet fakti se shumë gjëra në ekipin e drejtuar nga Duro po funksionojnë për së mbari. Krejt ndryshe, tek Apolonia po konstatojmë nga java në javë një qëndrim disfatist dhe jo shumë të matur taktikisht. Për shembull, tek lojtarët fierakë konstatohet qartë një lloj frike dhe ngërçi i pashpjegueshëm ndërveprimi trajner‑skuadër. Të tjerat janë të lidhura me vendimet e klubit, që pas humbjes terren në renditje nuk i ka bërë të qarta kufijtë deri ku kërkon t’i shtrijë këmbët skuadra e tyre. Komentet e trajnerit Lika pas lojës mbeten si në çdo rast të tillë, të përgjithshme, ndërkohë që trajektorja nëpër të cilën ka ecur Apolonia javët e fundit imponon guxim për një analizë më të thelluar; jo vetëm referuar episodeve të 90‑minutëshave të veçuar, por edhe pritshmërive të tifozëve fierakë karshi skuadrës së tyre të zemrës. Sepse, tifozëria e Apolonisë përbën një shembull nga më pozitivët në Shqipëri, që duhet ndjekur edhe nga të tjerët, qoftë për mbështetjen e pakursyer karshi skuadrës së saj të zemrës, por edhe në “fair‑play”‑in që demonstron. Ajo që bie në sy te Besa, është fakti se përforcimet e janarit po integrohen menjëherë me grupin, madje përbëjnë me të vërtetë një vlerë të shtuar për kavajasit. Mjafton të themi se Sinani e gjeti golin në ndeshjen e dytë me fanellën verdhezi, gjë të cilën mezi e ka bërë një herë të vetme në 17 javë kampionat, si lojtar i Vllaznisë. Dueti i tij me Daniel Xhafën, por edhe shërbimet e një organizatori të spikatur, si Shkëmbi, përbëjnë tashmë kolona të forta, ku mund ta bazojë suksesin Besa, pa harruar edhe lojtarët e tjerë të saj, që kanë mbi super vite të tëra karrierë, por edhe trofe të fituar.
Në “Niko Dovana” sikur ndodhi një shpërthim i vërtetë. Që kishte ngjyrat bardheblu. Fitorja e Tiranës, kartoni i kuq për Lilën e kësaj të fundit, por edhe shkarkimi i trajnerit të “djemve të detit”, Mirel Josa, një prodhim bardheblu, mbyllën njëlloj “çarku të shkurtër” në aksin Tiranë‑Durrës. Duket shumë i rëndësishëm goli i Plakut, jo vetëm se pati vlerën e 3 pikëve, por sepse e “hipotekoi” si të suksesshme këtë blerje të Tiranës në merkaton e dimrit. Posedimit të topit dhe aksioneve ofensive nga “djemtë e detit” u mungoi vetëm finalizimi në portën e bardhebluve. Nga ana tjetër, ishte maturia e miqve nga kryeqyteti, që bëri dallimin në këtë ndeshje. Mendoj se ishte superioriteti i vlerave teknike e individuale, faktori që ndikoi në fitoren e 24 herë kampionëve të vendit.
Një javë “ferri” për Flamurtarin, që e pa veten brenda pak ditësh me 3 pikë më shumë, por edhe pa to, disi larg vendit të fundit, por sërish në të. Në pritje të riluajtjes me Besën, tashmë në një stadium pa tifozë, Magani tentoi të pamundurën në “origjinë”. Por peqinasit nuk e mëshiruan aspak atë, as Flamurtarin, duke bërë të pavlefshëm edhe debutimin e një lojtari me pritshmëri të mëdha në Vlorë, Memellin. Ky i fundit e nisi me “këmbën e keqe” udhëtimin e tij si shpëtimtar me Flamurtarin, edhe ngaqë humbi atë penallti. Duke ia rritur kredencialet Shkumbinit vendas, që tashmë duket se është futur në “shinat” e duhura, ato që e shpien si zakonisht, vitet e fundit, në mesin e artë dhe të sigurt të klasifikimit. Ndërsa për Flamurtarin vuajtja vazhdon. Laku sa vjen e ngushtohet, gjë që duket edhe në shpërthime si ato të ndeshjes së javës paraardhëse, që do të riluhet, me Besën.
Kastrioti fitoi derbin e debutuesve në superligë, edhe pse me një gol të vetëm, duke “ngrirë” Gramozin mik. Sa i takon skuadrës krutane, vlen të evidentohet merkatoja që ka bërë në janar, ku spikat portieri Lika, por edhe kroatët e larguar nga Skënderbeu. Shenjë e mirë kjo, që tregon se drejtuesit e Kastriotit po i dalin së keqes përpara, me përforcime cilësore, për të mbijetuar në superligë. Gjë të cilën s’mund ta thuash edhe aq për Gramozin. Vllaznia kishte synime maksimale këtë herë. Midis shënimeve trishtuese të së dielës që shkoi, predominojnë gabimet e mbrojtjes kuqeblu, falë së cilave duhet të presim ende për të përjetuar kthesën e vërtetë të Vllaznisë. Trajneri Martini ende nuk i ka marrë në duart e tij problemet e vërteta të këtij ekipi, pavarësisht se udhëhoqi merkaton dhe përgatitoren dyjavore të dimrit. Besimi mungon dukshëm te skuadra shkodrane, çka doli në pah pas minutës së 70‑të të ndeshjes së fundit me Laçin. Lojtarët kuqeblu bien shpejt në depresion, atyre u mungon kurajoja e madhe për të tejkaluar momentet e vështira që mund t’ua rezervojnë edhe kundërshtarë në dukje jo fort seriozë, të paktën në letër, si kurbinasit. Mungesa e ekuilibrit dhe e harmonisë mes reparteve kuqeblu, prapavija e mbushur me gabime, por edhe ndonjë vendim i gabuar i gjyqtarit, ishte arsyeja e vërtetë që shoqëroi Vllazninë në lënien e tri pikëve të tjera në shtëpi. Nga ana tjetër, merita qëndron edhe në aftësitë e lojtarëve të Laçit, që jo vetëm shfrytëzuan momentin e vështirë, që po përjeton skuadra shkodrane, por përsëritën lojën e bukur, të saktë dhe me intensitet të lartë gare, që i ka karakterizuar rregullisht në këtë kampionat. Sekreti i suksesit të Laçit (njëherazi sekreti i mossuksesit të kuqebluve) në këtë ndeshje qëndroi në kontrollimin dhe kursimin e forcave gjatë pjesës së parë, me qëllimin që t’i shfrytëzonte ato, siç ndodhi, në pjesën e dytë të lojës, kur Vllaznia lëshoi në rendimentin e lojës.
Muça: Kundërshtar terreni, jo Skënderbeu
Sipas trajnerit Shkëlqim Muça, terreni i rënduar i ka marrë shumë energji Dinamos
Dinamo ka bërë detyrat e shtëpisë ndaj Skënderbeut në javën e 19-të të kampionatit të 71-të kombëtar dhe tashmë mendon për sfidën e radhës. Përballë do të jetë një ekip debutues në kategorinë superiore, siç është edhe Gramozi i Ersekës. Kolonjarët, të drejtuar nga ish tekniku blu Agim Canaj, do të jenë “barrikada” e radhës për dinamovitët. Gjithsesi, të qetë në detyrat e tyre, tashmë blutë nuk kanë tensione. Këtë e pohon edhe trajneri Shkëlqim Muça, gjatë një interviste.
Zoti Muça, ngjarja me mbrojtësin serb Marko Putinçanin ju ka tensionuar pa masë përpara sfidës me Skënderbeun, apo jo?
Ai ishte një moment që, me të thënë të drejtën, u trembëm të gjithë. Por jemi të gëzuar që Putinçanin nuk ka probleme serioze. Ka qenë një infeksion në sy, pak i zgjatur dhe që nuk është kuruar në kohë. Kjo është ajo që na ka thënë nga Serbia. Dhe jemi të gëzuar që nuk ka probleme serioze për jetën.
A do të jetë në gjendje për të luajtur?
Nuk e di. Putinçanin do të vijë të mërkurën dhe do ta shohim nga afër.
Ç’mund të na thoni për fitoren e fundit?
E rëndësishme është fitorja. Ndeshja është zhvilluar në një terren të rënduar. Do të kemi probleme në ndeshjet e ardhshme në atë terren, sidomos në kohë shiu. Në atë fushë skuadra shpenzoi shumë energji. Luajti një ndeshje të mirë, por joperfekte. Skuadrat e tipit të Skënderbeut dihet që kanë ritëm të ulët loje. Megjithatë, e rëndësishme është që fituam. Duhet mbajtur ky ritëm, sepse ndeshjet sa vijnë e bëhen më të vështira.
Shtyrja e Kupës, pro apo kundër Dinamos?
Nuk do të thoja në favor, sepse normalisht ishim përgatitur për ta luajtur ndeshjen e Kupës së Shqipërisë me Shkumbinin më 3 shkurt. Por kjo është për të gjitha skuadrat, kështu që nuk shkakton probleme për ne.
Ky spostim mund të ketë favorizim të rivalëve në kampionat?
Nuk e besoj. Të gjithë kanë ndeshjet e tyre për të luajtur, pra kjo nuk është vetëm për ne. Aq më tepër që Besa ka ndeshjet e veta, teksa në Kupën e Shqipërisë do të luajë me Tiranën.
Sot (dje) jeni stërvitur në fushën e re…?
Më në fund, jemi në një terren ideal stërvitor. Këtu stërvitjet bëhen të plota si në anën fizike, ashtu dhe teknike. Sepse në terrene të këqija, përveç aspektit të humbjes së energjive, humbet dhe ritmi i lojës. Kurse në këto terrene ideale rregullohet vetvetiu ritmi, futbollistët arrijnë të korrigjojnë veprimet e tyre dhe të luajnë më me pak takime. Eshtë një fushë, që duhet shfrytëzuar maksimalisht nga të gjithë.
Putinçanin, të mërkurën pranë bluve
Mbrojtësi i djathtë serb i Dinamos, Marko Putinçanin, duket se ia ka hedhur paq me problemet shëndetësore të kaluara pas ngjarjes tronditëse në pragsfidën me Skënderbeun. Lojtari dinamovit është ekzaminuar dhe, si përfundim, ka rezultuar vetëm me një infeksion në syrin e tij. Të mërkurën, pra nesër, ai do të mbërrijë pranë skuadrës. Ky lajm i ka gëzuar pa masë djemtë e skuadrës blu, të cilët ishin shokuar pas zërave të ndryshëm që qarkullonin rreth shokut të tyre të skuadrës.
Dinamo përuron fushën e re
Dje blutë kryeqytetas kanë përuruar fushën sportive të sapoezauruar. Në ushtrime të ndryshme me topin, dinamovitët janë dukur tepër të lumtur për kushtet në të cilat do të stërviten tani e tutje. Fusha me bar sintetik është një sponsorizim i Federatës Shqiptare të Futbollit, si “kusht” i titullit kampion fituar gjatë edicionit 2007-2008. Grupi i futbollistëve ka qenë i plotë, edhe pse kapiteni Arian Pisha dhe senegalezi Papa Diop, të pezulluar, do të mungojnë me Gramozin.
Sinani-Xhafaj, dyshja që mund të bëjë çudira
Sinani i bën të gjitha, traversë në Korçë, asist goli dhe gol në Fier, pa harruar Xhafajn
Besa ka bindur dhe këtë e ka bërë në vetëm katër ditë. Në fillim Skënderbeu e më pas Apolonia kanë provuar forcën e kësaj Bese të fillimvitit 2010. Në Korçë dyshja Xhafaj-Sinani i ndau fatet e tyre, kur i dyti “zgjodhi” shtyllën dhe Xhafaj golin.
Ky paralajmërim i goleadorit Vioresin Sinani do të realizohej pikërisht ndaj Apolonisë. Sulmuesi i shquar shkodran në minutën e 27-të, pas një asisti të Daniel Xhafajt, lëshon një nga ato goditjet e tij dhe shënon golin e parë verdhezi. U kthye Sinani, ky është lajm.
Po vetë goleadori, si e përjetoi golin e parë verdhezi? Kujt ia dedikon golin “Ujku”? Ja si përgjigjet ai: “E kërkova golin që ndaj Skënderbeut dhe traversa më tha “jo”. Ndaj Apolonisë e ndjeja se do të shënoja, sepse pa golin unë nuk mund ta mendoj veten. Këtë gol ua dedikoj, para së gjithash, tifozëve kavajas, por edhe presidentit Bizhdili e trajnerit Duro. Ata të gjithë besuan tek unë e kjo më detyroi e detyron të bëj maksimumin. Sigurisht, në partneritet me Xhafajn, besoj se golat do të vijnë në çdo ndeshje.
Ndaj Apolonisë ishte vetëm fillimi.” Një goleador si Sinani duket se vërtet pa golin nuk jeton dot. Goli i parë me fanellën verdhezi ka risjellë në skenë atë Vioresin Sinan për të cilin të gjithë kishim nevojë. Por Besa ndaj Apolonisë paraqiti edhe risi të tjera. Për herë të parë, pas shumë e shumë hamendjesh, mesfushori korçar Bledi Shkëmbi luajti me fanellën verdhezi e tregoi se mbetet truri i mesfushës, për të cilin Besa kishte aq shumë nevojë.
Trajneri Duro kishte të drejtë kur kërkonte me ngulm Shkëmbin dhe korçari që në premierë bindi, duke krijuar trinomin Xhafaj Shkëmbi Sinani. Një treshe e frikshme, që në fakt risolli edhe një Poçi në një paraqitje absolute, duke qenë tashmë i lirë në zgjedhjen e tij taktike. Daniel Xhafaj gjatë 2009-s shënoi vetëm 5 gola, ndërsa dy tani në Korçë e Fier.
Tashmë meraku i Shpëtim Duros duket se është tejkaluar, kur Besa në dy transferta shënon katër gola dhe merr pikët maksimale. Kjo Besë e vitit 2010 ka shpalosur tërë forcën e saj e prurjet e Shkëmbit e Sinanit po rezultojnë jo vetëm produktive, për vetë klasin e tyre, po kanë çliruar në veprime edhe Daniel Xhafajn. Me 6 pikët e marra, tashmë Besa shpall hapur ambiciet e saj për titull.
Tregu i fshehtë i presidentit Bizhdili
Nuk është vetëm Shkëmbi dhe portieri Bakaj të federuarit e Besës në merkaton dimërore. Presidenti Bizhdili ka dashur të federojë edhe 6 lojtarë të tjerë, këta të fundit në limitin e mbylljes së merkatos. Dy janë të njohur, bëhet fjalë për Fortunat dhe Nana, ndërsa 4 të tjerët janë nga Franca. Megjithatë, janë federuar vetëm dy të parët, për shkak se 4 të tjerët kanë pasur mungesa në dokumentacion. Tashmë Fortunat dhe Nana mund të aktivizohen që nesër.
Çaushaj, shënuesi më i mirë i Shkumbinit
Mesfushori i Shkumbinit, Ilirian Çaushaj, ishte autor i dy golave që i dhanë fitoren Shkumbinit në ndeshjen e fundit me Flamurtarin në Peqin. E veçanta në këtë takim ishte se golat erdhën nga pika e 11 metërshit, kur 22 vjeçari u tregua tepër i saktë, ndërkohë që kundërshtari e shpërdoroi një mundësi të tillë me anë të sulmuesit Memelli.
Me dy golat e fundit, mesfushori Çaushaj është golashënuesi më i mirë i ekipit të Shkumbinit me 7 gola, duke qenë më i sakti në kampionatin tonë me gjuajtjet nga pika e penalltisë me 5 gola. “Të them të drejtën me zor e prisja këtë takim, pasi sikur e ndjeja që do të shënoja ndaj ish ekipit tim, që sigurisht e njoh më mirë nga të tjerët.
Më vjen mirë që kam kontribuar. Ishte një fitore që Shkumbini e meritoi plotësisht dhe tregoi punën që bëhet për të realizuar objektivat,” - shprehet Çaushaj, autor i dy golave të Shkumbinit me Flamurtarin. Dy fitoret e fundit, me Vllazninë dhe Flamurtarin, për Çaushajn tregojnë formën e mirë që po kalon ekipi i tij, ku rol jo të vogël kanë luajtur përmirësimet e bëra në merkaton e dimrit. Ai është optimist edhe për takimin me Laçin, duke besur te forca e grupit për një rezultat pozitiv për të ruajtur vendin e katërt në renditje.
Magani: Besën e mundim edhe pa tifozë
Trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, pohon se ekipi është i karikuar në maksimum
Flamurtari ka vijuar ditën e hënë stërvitjen në kuadër të ndeshjes përballë Besës, që do të luhet nesër në Vlorë pa praninë e tifozëve. Eshtë ndeshja që do të përsëritet, vendim ky i marrë nga komisioni i disiplinës. Në kampin vlonjat janë të bindur për të ndëshkuar sërish ekipin e Besës, ashtu siç fitoi në fakt në ndeshjen e parë. Për këtë qëllim, seancat stërvitore të trajnerit Magani dhe stafit të tij janë përqendruar gjatë dy ditëve të fundit në fushën e aneksit pranë stadiumit.
Magani ka kërkuar nga futbollisët më të mirën e tyre në këtë ndeshje të dytë përballë Besës. Enigmë mbetet formacioni, i cili ndoshta do të zbulohet përpara ndeshjes, ndërsa pritet ndoshta që edhe blerja më e fundit e ekipit vlonjat, shqiptaro maqedonasi Lena, të jetë në fushën e lojës.
Gjithsesi, këto mbeten për t’u zbuluar nesër. Trajneri Magani ka pranuar se nuk është një takim i lehtë, megjithatë faki që do të luhet në Vlorë, edhe pse pa tifozë, nuk do të thotë që kundërshtari ka më shumë shanse për të fituar. “Besa vjen në Vlorë me qëllimin për të marrë diçka dhe për t’u afruar me ekipin e vendit të parë, por ne dëshirojmë që ai tripikësh i mohuar në ndeshjen e parë, të jetë sërish për Flamurtarin.
Ndaj në fushën e lojës do të hyjmë vetëm për fitore, pasi kjo është rruga e vetme për ekipin tonë, kjo duke parë edhe renditjen e krijuar në superligë. Natyrisht, në fundjavë kemi humbur një mundësi të mirë përballë Shkumbinit për të marrë të paktën një pikë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që nuk do të luajmë për fitore në këtë përballje.
E kam thënë edhe më parë, se kundërshtari është një ekip që e kemi vlerësuar, por kjo nuk do të thotë se na tremb. Përkundrazi, besojmë se do të jemi në lartësinë e duhur për të dhënë më të mirën e mundshme në fushën e lojës dhe natyrisht që edhe vetë fubollistët e kanë kuptuar gjatë këtyre ditëve, ku fitorja mbetet alternativa e vetme për ne,” ka theksuar trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, duke pasur besim për ndeshjen e nesërme ndaj Besës, që do të thotë pa dyshim tri pikë, edhe pse takimi do të luhet pa praninë e tifozëve, fakt ky që nuk pritet të influencojë në angazhimin e futbollistëve vlonjatë.
Ndreu kërkon më shumë gola nga Kastrioti
Ajo që duhet pranuar është se skuadra krutane dy ndeshjet e para të këtij viti i ka bërë një prezantim mjaft të mirë. Në dy ndeshjet e zhvilluara, skuadra e Ndreut ka mundur të marrë maksimumin e pikëve. Përveçse kaq, ajo ka mundur të mposhtë dy skuadrat rivale për mbijetesë, duke siguruar kështu qetësinë e duhur për ndeshjet e mbetura. “Ndaj Gramozit kemi qenë superiorë në të gjithë komponentët, kemi krijuar raste të pastra për gol, por nuk kemi qenë aq konkretë në finalizimin e aksioneve, pavarësisht fitores,” - shprehet trajneri i Kastriotit, Ramazan Ndreu, i cili ende e ndien të nevojshme harmonizimin e skuadrës, duke qenë se prej saj në fillim të këtij viti janë larguar mjaft futbollistë dhe ardhja e futbollistëve të tjerë pa dyshim që sjell pak vështirësi në adoptim.
Dje ekipi krutan ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës me Besën, e cila do të zhvillohet në Kavajë. Seanca e paradites është zhvilluar në ambientet e Liqenit Artificial në kryeqytet, ndërsa ajo e pasdites në kompleksin sportiv të ekipeve kombëtare në Kamëz. Dje ka munguar mesfushori Olsi Gocaj. Sipas drejtuesve të skuadrës, mësojmë se 21-vjeçari është në sezonin e provimeve, ku ai po studion për drejtësi në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.