17 shkurt 2010

Kategoria Superiore ne GrandeJuve

Testet fizike lënë në “klasë” bardheblutë

Gjatë testimit që ka bërë dje përgatitësi atletik, Rauf Dimraj, skuadra ka lënë për të dëshiruar
Pavarësisht se vetëm para një muaji kanë zhvilluar një fazë përgatitore në kushte mjaft të mira në Kemer, bardheblutë sërish vazhdojnë të tregojnë mangësi të theksuar në përgatitjen fizike, çka e kanë demonstruar edhe në ndeshjen e fundit në kampionat.
Kështu, në testet fizike që ka bërë dje paradite në stadiumin “Selman Stërmasi” me të gjithë lojtarët shefi i klubit, Rauf Dimraj, i cili njëkohësisht është edhe përgatitësi atletik pranë bardhebluve, ekipi ka lënë shumë për të dëshiruar. Pra, testet duket se kanë lënë në “klasë” bardheblutë. Madje edhe gjendja jo e mirë me Besën në Kavajë për Kupë dhe me Shkumbinin për kampionat, kanë treguar se kryeqytetasit në pjesët e dyta, në dy sfidat edhe pse kanë qenë në epërsi numerike nuk kanë ditur ta shfrytëzojnë një gjë të tillë.
Jo vetëm kaq, por kanë shfaqur edhe rënie të përgatitjes fizike. Dje është zhvilluar një testim për rezistencën dhe kryesisht të gjithë lojtarët që kanë qenë në dispozicion të stafit kanë zhvilluar një vrapim 3000 metra. Mirëpo pjesa më e madhe e tyre nuk kanë arritur ta përballojnë një gjë të tillë, duke hasur vështirësi!
Këtë e bëjnë me dije edhe burime brenda ekipit. Shefi Dimraj ka mbetur i pakënaqur nga ajo që lojtarët kanë “prodhuar” në seancën stërvitore, duke e lidhur këtë edhe me mospërgatitjen e duhur fizike që ka aktualisht skuadra e Tiranës. “Kemi zhvilluar testet fizike, kryesisht rezistencën me vrapim 3000 metra, dhe jam mjaft i zhgënjyer, pasi lojtarët këtë ushtrim nuk kanë arritur ta përballojnë siç duhet, duke treguar qartë shenja lodhjeje.
Madje edhe një pjesë e mirë e disa lojtarëve me eksperiencë nuk kanë arritur të jenë në lartësinë e duhur, çka është për të ardhur keq. Kjo gjendje në të cilën ndodhet aktualisht skuadra vjen edhe nga moszhvillimi i një fazë përgatitore për të qenë në verë, kur koha ishte e mjaftueshme për ta bërë një gjë të tillë. Ndaj edhe gjatë këtyre ditëve e kam marrë vetë situatën në dorë dhe jam munduar që ekipin ta fus në shinat e duhura, edhe pse është pak vonë për të arritur aty ku duhet,”- deklaroi përgatitësi atletik i bardhebluve, Rauf Dimraj
- Dje bardheblutë kanë zhvilluar dy seanca stërvitore, paradite në “Selman Stërmasi” dhe pasdite në “Skënder Halili”.
- Mbrojtësi korçar Tefik Osmani ka dy ditë që mungon, pasi ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësore.
- Portieri i 3-të i bardhebluve, shtatlarti 19-vjeçar Klajdi Kuka, është huazuar tek ekipi i kategorisë së dytë, Tomori.

Soza: Tani, edhe Kupën e Shqipërisë

Sipas “ndëshkuesit” tw Besës, Rafael Soza, Dinamo duhet të mendojë për një tjetër trofe
Me mbërritjen e tij në radhët e bluve, sulmuesi Rafael Soza nuk është pritur me optimizëm nga stafi dinamovit, por tashmë duket se me performancat e tij, nr.17 i bluve ka fituar bastin e jetës i vetëm ndaj të gjithëve. Ndeshja e fundit ndaj Besës, por edhe shumë të tjera më parë, kanë qenë për t’u vendosur në kornizë. Gjatë një prononcimi për “Sportin shqiptar”, talenti argjentinas përshkruan në detaje situatën rreth tij, por edhe Dinamos

Ndëshkuesi i Besës

Si në ndeshjen e parë përballë Besës në Kavajë, por edhe në ndeshjen e kthimit në Tiranë, Rafael Soza ka qenë ndëshkuesi i kavajasve me dy golat e tij. Ndërkohë që dikush thotë që pas Bakajt, renditet Soza në radhët e bluve, por vetë argjentinasi me nr.17 kërkon të qëndrojë me këmbë në tokë. Atij i pëlqen të quhet lojtar i rëndësishëm, jo numri një.
“Nuk e di a jam unë apo jo një “armik” kryesor i Besës, por më vjen mirë që në dy ndeshje tepër decizive kam shënuar. Te Dinamo kam gjetur veten time dhe më vjen mirë që klasifikohem ndër lojtarët më të rëndësishëm të këtij ekipi. Nuk më takon mua të them jam lojtari kyç i Dinamos, unë gjithnjë kam dhënë më të mirën time. Detyra e një futbollistë është të jap maksimumin në fushën e blertë, më pas janë të tjerët që bëjnë vlerësimet,”- thotë për “Sportin shqiptar” futbollisti i palodhur i Dinamos.

Kampionati i parë profesionist

Edhe pse është një lojtar në pronësi të skuadrës së njohur argjentinase Estudiantes, Rafael Soza është aktivizuar gjithnjë në liga inferiore të Argjentinës, duke mos pasur mundësi të tregojë vlerat e tij në një skuadër profesioniste. Por tashmë Soza i ka dhënë provat se mund të luajë fare mirë edhe në nivele profesionale.
“Është kampionati i parë që zhvilloj në nivele profesionale dhe ndihem shumë i lumtur pas gjithçkaje që kam dhënë deri tani për blutë. Ishte një provë e re për mua, një eksperiencë enigmatike në një kampionat që nuk kisha dëgjuar kurrë më parë as të flitet, jo më të dija stilin e futbollit të tij. Por tashmë gjërat nuk janë të panjohura për mua,”- citon Soza.

Kupa e Shqipërisë

Duket se kampionati tashmë është siguruar në duart e dinamovitëve, pasi 15 pikë janë shumë, kur duhen edhe 12 javë deri në fund të sezonit futbollistik 2009-2010. Këtë fakt e kanë kuptuar mirë protagonistët e kampit blu, të cilët tashmë kanë filluar të mendojnë për ndeshjen e Kupës së Shqipërisë, ku përballë në çerekfinale do të jetë i vetmi ekip që i ka shkaktuar humbjen e vetme në kampionat, Shkumbini i Peqinit. “Tashmë që kampionati pothuajse është siguruar, ne kemi nisur të mendojmë për Kupën e Shqipërisë. Ky është objektivi i mbetur,”- komenton nr.17 i bluve, Rafael Soza.

Kontrata e re

“Nuk është në dorën time nëse do të vazhdoj edhe një sezon më pas me Dinamon. Dëshira ime është që të jem sërish në këtë skuadër. Duhet të ulemi në diskutime me klubin në përfundim të kampionatit dhe më pas do të shohim dhe vendosim për të ardhmen time,”- e mbyll prononcimin e tij, futbollisti i kudondodhur i bluve, Rafael Soza.

Ferraj: Isha i dëmtuar, s’kam debatuar

Mesfushori Nertil Ferraj ka qenë një nga më të mirët në fushën e blertë edhe përballë Besës së Kavajës. Në momentin e daljes nga loja lojtari ka pasur një irritim të lehtë, që në plan të parë u duk si një shenjë proteste përballë trajnerit, por vetë futbollisti dje ka sqaruar gjithçka. “Nuk kam pasur asnjë debat me trajnerin. Unë isha i dëmtuar dhe e kërkova vetë ndërrimin. Nëse kam dal me nerva nga loja, kishte të bënte me faktin se doja ta vazhdoja sfidën, por dëmtimi ma ndaloi një gjë të tillë,”- tha Nertil Ferraj.

Qetësi te Vllaznia, shihet për më lart

Pas fitores me Skënderbeun dhe ngjitjes në klasifikim, kuqeblutë mendojnë për mesin e tabelës
Tri rezultatet e fundit pozitive të Vllaznisë, dy në kampionat dhe një në kupë, kanë filluar t’i ngrohin të gjithë në Shkodër. Tifozët e kësaj skuadre tashmë duken më shumë optimistë se më parë. Kanë filluar të kenë besim te skuadra e tyre dhe tashmë frika e rënies nga kategoria duket se nuk ekziston më.
Kjo bazuar edhe në deklaratat e pjesëtarëve të stafit drejtues, që nuk e kanë vënë asnjëherë në dyshim këtë gjë. Madje zëvendëstrajneri Esat Rakiqi, ka deklaruar: “E kam dhe e them përsëri: Vllaznia nuk vdes kurrë. As që më shkon ndër mend se skuadra do të bjerë nga kategoria, sepse nëse vetëm do ta kisha menduar këtë gjë, unë sot nuk do isha pjesë e saj.”
Edhe trajneri Edi Martini gjithnjë ka qenë i mendimit se skuadra nuk e kishte vendin në fund. Pavarësisht humbjes “aksidentale”, kështu vazhdon të quhet në kampin shkodran humbja me Laçin dy javë më parë, skuadrës i është rikthyer besimi. Fitorja me Tiranën ka qenë ajo që ka ngritur moralin dhe tashmë gjërat duken më të lehta.
“Na ka mbetur për të përmirësuar edhe pak gjëra dhe kur t’i arrijmë këto, besoj se keni për të parë një Vllazni shumë më të fortë,” ka thënë trajneri Martini. Një besim që mbështetet te puna e bërë nga grupi që nga fillimi i janarit dhe deri më tani.
Ka seriozitet maksimal, ka dëshirë dhe përqendrim maksimal për të bërë më të mirën. Por nga ana tjetër, nuk ka deklarata pompoze për t’i bërë jehonë një apo dy fitoreve të arritura. Kjo duket mjaft qartë edhe te presidenti Valter Fushaj, që prej disa ditësh nuk është shfaqur fare në media. Ai vetë ka dëshiruar të qëndrojë disi larg tyre gjatë kësaj periudhe, në mënyrë që skuadra të vazhdojë punën dhe të mos i rritet “mendja”.
Numri një i klubit ka dhënë mbështetjen e plotë për skuadrën, i ka plotësuar të gjithë detyrimet që ka ndaj saj dhe pret reagimin në fushën e lojës. Vllaznia është thuajse një hap larg gjysmëfinales së kupës dhe po ashtu edhe në kampionat po tregon përmirësime. Këto megjithatë nuk mjaftojnë, sepse duhet edhe një tur i kaluar në kupë dhe njëkohësisht edhe disa vende më lart në renditjen e kampionatit. Këto objektiva janë më se të arritshme, por duan ende shumë punë për t’i arritur.
E rëndësishme është që atmosfera është shumë positive në skuadër. Futbollistë, trajnerë dhe drejtues, janë entuziastë se mund t’ia dalin. Për ta është jo shumë pozitiv fakti se, pavarësisht rezultatit me Gramozin, do ta shohin veten në gjashtëshen e dytë në fazën e tretë. Çka do të thotë se shorti i kësaj faze për ta nuk do të jetë shumë favorizues, teksa do të luajnë vetëm 5 ndeshje

Kuqeblutë në Ersekë, mbase me një sulmues

Edhe për ndeshjen e radhës me Gramozin, që do të luhet në transfertën e vështirë të Ersekës, Vllaznia pritet të luajë me një sulmues të mirëfilltë. Kjo ngaqë në këto takimet e fundit jashtë Shkodre, trajneri Martini ka preferuar këtë stil loje.
Ka luajtur kështu ndaj Tiranës për kampionat dhe kjo skemë rezultoi e suksesshme, sepse Vllaznia fitoi dhe po ashtu edhe ndaj Skënderbeut për kupë, teksa ndeshja u mbyll në barazim. Ndryshimi është se në ndeshjen e parë ka luajtur Bala në sulm, ndërsa në të dytën ka qenë Haxhibuliç. Ende nuk dihet se kush mund të luajë në Ersekë, por nuk përjashtohet mundësia që të luajnë të dy, por Haxhibuliç mund të ketë për detyrë të luajë më prapa në mesfushë, ngaqë në këtë ndeshje do të mungojë edhe Nallbani.

Klubi “Vllaznia” dje mbushi 91 vjeç

16 shkurti, siç dihet, është data e themelimit të klubit “Vllaznia”. Ka ndodhur në vitin 1919 dhe pikërisht dje ky klub ka patur përvjetorin e 91 të të krijimit të tij. Megjithatë, kjo datë është lënë krejtësisht në harresë dhe në Shkodër nuk ka pasur as më të voglin aktivitet për ta kujtuar këtë datë.
Vërtet nuk ka qenë një përvjetor i plotë, por të paktën një kujtim i vogël duhej të ishte. Klubi i futbollit “Vllaznia” në fakt e kishte programuar një aktivitet shumë të zgjeruar, por kjo nuk u realizua për shkaqe të ndryshme. Sa për klubin shumësportësh, nuk ka pasur asnjë organizim dhe në këtë mënyrë 91-vjetori i këtij klubi, më të vjetrit në Shqipëri, ka kaluar krejtësisht në heshtje.

Zeqiri: Tri pikët e radhës janë “jetike”

Mesfushori vlonjat Hair Zeqiri thotë se kurrsesi nuk duhet gabuar me Kastriotin në Vlorë
Qëndrimi në superligë mbetet tashmë objektivi i shpallur i Flamurtarit, duke parë që ka dalë jashtë nga Kupa e Shqipërisë. Me këtë qëllim, në merkaton e dimrit ekipi vlonjat nuk ngurroi të përforcohet me lojtarë të spikatur të kampionatit shqiptar dhe jo vetëm.
Në ndeshjet e vitit 2010 të gjithë janë të mendimit që është parë një Flamurtar krejt ndryshe dhe natyrisht tashmë të gjithë besojnë se arritja e objektivit në superligë është e realizueshme, teksa diçka e tillë pranohet edhe nga stafi teknik, futbollistët apo edhe drejtues të ekipit vlonjat. Ndeshjen e fundit të fazës së dytë Flamurtari e luan në shtëpi përballë Kastriotit dhe natyrisht prej ditës vëmendja e të gjithë opinionit sportiv në qytetin e Vlorës është përqendruar te kjo ndeshje, të cilën një ditë më parë trajneri i Flamurtarit e ka quajtur finale.
Por jo vetëm Magani, por edhe futbollistë të ekipit vlonjat pranojnë se në qëllimin e tyre në këtë ndeshje mbetet vetëm fitorja, ndërsa më pas llogaritë bëhen për fazën e tretë. Një prej futbollistëve vlonjatë dhe pikërisht mesfushori Hair Zeqiri pranon se humbja në Laç, megjithatë ato që ndodhën, është lënë në harresë, të paktën nga vetë futbollistët dhe natyrisht vëmendja është te Kastrioti.
“Do të kemi përballë një kundërshtar të vështirë, me lojtarë cilësorë në përbërje dhe që natyrisht, pas barazimit me Apoloninë në shtëpi, tashmë do të kërkojë që në Vlorë të marrin rezultat pozitiv. Nga ana tjetër, një fitore e Flamurtarit do të thotë që t’i afrohemi ndjeshëm, si Kastriotit, ashtu edhe ekipeve të tjera në renditje. Mendoj se të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme, si ato në krye të tabelës, ashtu edhe për ekipet në fund të saj.
Nuk e kemi menduar se mund të jemi një nga ekipet që do të bjerë një kategori më poshtë, për vetë kontigjentin, por edhe përforcimet e bëra gjatë merkatos së dimrit. Kemi një ekip që prodhon lojë, shënon dhe këtë e kemi treguar në çdo takim që kemi zhvilluar gjatë këtij viti. Qëllimi kryesor duhet të jetë që, veç takimeve në Vlorë, të marrim pikë edhe në transfertë.
Po mendojmë për ndeshjen përballë Kastriotit në Vlorë, ndeshje në të cilën objektivi i vetëm janë tri pikët dhe besojmë se i kemi mundësitë ta bëjmë një gjë të tillë. Në ndeshjen e fundit me Laçin nuk kemi zhgënjyer në lojën tonë, pavarësisht rezultatit. Përballë Kastriotit na duhet të shfaqim një ekip agresiv nga minuta e parë në kërkim të rezultatit dhe besojmë se do t’ia arrijmë të marrim tri pikët e fitores,” - ka përfunduar mesfushori vlonjat Hair Zeqiri.

Moçka, Roshi dhe Veliu në Kosovë

Do të jenë Moçka, Roshi dhe Veliu mungesat e Flamurtarit gjatë dy ditëve të ardhshme në seancat stërvitore, lojtarë këta të thirrur nga Kuzhe për ndeshjen në Kosovë. Mungesa që nuk sjellin shqetësim në stafin teknik, kur pritet që tre futbollistët t’i bashkohen Flamurtarit dy ditë përpara ndeshjes me Kastriotin.

Shuaipi: Sulmi, pika e dobët e Kastriotit

Skuadra krutane ka nisur përgatitjet per ndeshjen e radhës, ku në Vlorë do të ndeshet me Flamurtarin, një skuadër që kërkon me çdo kusht të marrë pikët e plota. Nisur nga rëndësia që merr kjo ndeshje, impenjimi i futbolistëve është në shkallën superiore.
Megjithatë, barazimi i arritur ndaj skuadrës rivale, Apolonisë, ende diskutohet në ambientet e sportdashësve krutanë. Të gjithë janë të mendimit se skuadra e tyre ka zhvilluar një nga ndeshjet e saj më të mira, por, për fat të keq, rezultati nuk ka shkuar më shumë se barazimi. Drejtori teknik i skuadrës krutane mendon se, ndonëse ka krijuar një volum të madh loje, ajo ka çaluar në momentet e finalizimit.
“Eshtë për t’u habitur se si një skuadër sulmon gjatë gjithë 90 minutave dhe nuk mund t’i gëzohet dot golit të avantazhit. Kastrioti, ndonëse tregoi shpirt gare, duke qenë superior gjatë gjithë lojës, mosfinalizimi i aksioneve nga ana e sulmuesve tanë vazhdon ta mundojë, kjo pasi ata janë të papërqendruar në momentet vendimtare para portës. Sulmuesit tanë i gëzohen golit ende pa e shënuar,” - do të shprehej drejtori teknik i skuadrës krutane, Sami Shuaipi.

Lika: Shkumbini na rikthen te fitoret

Lezhjani i korçarëve, Elton Lika, është i bindur se skuadra e tij do të fillojë “marshimin”
Dy seanca stërvitore për Skënderbeun e Josës gjatë ditës së djeshme, por duhet thënë se paradite ekipi është stërvitur në parkun “Rinia”, ku ka kryer vrapime dhe pasdite në orën 14:00, Skënderbeu ka zgjedhur kalçeton. Kjo do të thotë se trajneri Mirel Josa vazhdon të jetë me “dhimbje koke”, sepse akoma nuk po mundet të stërvitet në fushë të hapur.
“Jam vërtet shumë i shqetësuar për mungesën e terreneve dhe këtë po e ndiejmë, pasi nuk kam arritur të zbres një herë në fushë qysh ditën e parë që kam ardhur në Korçë. Jemi mbyllur brenda nga dëbora e madhe që ka rënë dhe një Zot e di se kur do të stërvitemi në fushë.
Të paktën nesër (sot) do të dal patjetër në terren dhe ku të gjejmë fushë do të zhvillojmë edhe stërvitje, sepse koha nuk pret më,” - kanë qenë fjalët e djeshme të Josës, para stërvitjes së pasdites në kalçeto. Pritet që sot të pastrohet dëbora në stadiumin “Skënderbeu” dhe Josa ka kërkuar që sot pa diskutim të zhvillojë një ndeshje kontrolli me të tijtë.
Të gjithë në Korçë tashmë e kanë mendjen vetëm te ndeshja e kësaj fundjave ndaj Shkumbinit, një 90-minutësh ku korçarët kërkojnë pa diskutim t’i rikthehen fitores. Të gjithë futbollistët e Skënderbeut janë shprehur të bindur edhe gjatë ditës së djeshme se me peqinasit do të fillojë kthesa e Skënderbeut.
Në lidhje me këtë, lezhjani Elton Lika deklaron: “Jam i bindur që ditët e vështira për Skënderbeun do të marrin fund vetëm këtë javë me Shkumbinin. Nuk kemi më kohë të gabojmë edhe me peqinasit, as barazimi nuk na bën punë.
Ky 90-minutësh do të jetë vetëm fillimi për këtë Skënderbe të ri dhe jo vetëm unë, por të gjithë shokët e skuadrës, do të bëjmë më të mirën në mënyrë që ta shpëtojmë Skënderbeun nga rënia prej superligës. Morali i skuadrës është shumë i lartë me afrimin e donatorëve të rinj. Kjo është ndierë qysh në ndeshjen e Shkodrës, ku ne pavarësisht se humbëm, kemi zhvilluar një ndeshje të mirë. Shkumbini është një skuadër mjaft e mirë, por ne jemi të destinuar vetëm për fitore në këtë ndeshje.”

Nuk dihet forma e dy egjiptianëve

Dy egjiptianët e Skënderbeut dje kanë zhvilluar seancën e dytë me skuadrën korçare, por akoma nuk kanë mundur të bëjnë një prezantim në fushë, pasi edhe dje në stërvitje, skuadra korçare nuk ka mundur të dalë në fushë për shkak të borës. Sulmuesi Hossam Hassan Mohammed Abdallah dhe mesfushori Ahmed Osama Fetouh është thënë se janë dy lojtarë që do t’i bëjnë shumë punë Skënderbeut, por fjalën e fundit do ta thotë vetë trajneri Josa, i cili edhe dje nuk ka mundur dot t’i shohë se çfarë janë në gjendje të bëjnë.

Shifrat e javës së 21 të të superligës:

- U realizuan 16 gola (12 në 45 minutat e para) ose mesatarisht 2.66 për çdo takim.
- Totali i golave të shënuar arriti në 266, që do të thotë mesatarisht 12.66 për çdo javë.
- Futbollisti dinamovit E.Bakaj udhëheq listën e golashënuesve më të mirë të kampionatit, me 11 gola.
- 3 lojtarë të huaj arritën të shënojnë gola përcaktues këtë javë: serbo boshnjaku Sead Haxhibuliç i Vllaznisë, serbi i Apolonisë M.Brkiç dhe argjentinasi i Dinamos R.Soza.
- U akordua vetëm një 11 metërsh, që u kthye në gol nga Sead Haxhibuliç i Vllaznisë. Kjo ishte penalltia e parë e dhënë për kuqeblutë.
- U regjistruan 5 fitore dhe 1 barazim, si në javën e 1 rë, 2 të, 5 të, 9 të, 15 të dhe 18 të.
- Shkumbini e Tirana luajtën takimin e 40 të jubilar. Duke fituar 1 0, peqinasit përsëritën rezultatin e arritur më 23.3.2008.
- N.Shtubina i Vllaznisë është autor i golit të 175 të jubilar të shkodranëve ndaj Skënderbeut.
- Duke mundur Flamurtarin, Laçi barazoi në 7 7 fitoret me vlonjatët, ndërsa dy lojtarë realizuan golat e 25 të jubilarë: J.Brahja për Laçin dhe M.Memelli për Flamurtarin.
- Gjyqtari i ri i FIFA s, L.Jemini (Tiranë), drejtoi takimin e 15 të jubilar në këtë kampionat.
- U dhanë 24 kartonë të verdhë dhe numri i tyre i përgjithshëm shkoi në 489, që është mesatarisht 23.28 për çdo javë.
- U dha vetëm një karton i kuq dhe numri i përgjithshëm i tyre shkoi në 42, ose mesatarisht 2 për çdo javë.

Humbja me Dinamon “qetëson” Besën

Verdhezinjtë e Besës janë tashmë më të qetë drejt kupës dhe vendit të dytë në kampionat
Të shpresosh nuk ka asgjë e keqe, por kjo shpresë kur të cënon objektiva të tjerë, nuk quhet më shpresë. Kjo ka ndodhur me Besën, që deri dje shpresonte se, me një fitore me Dinamon, mund të shpresonte edhe për titullin. Në fakt, kushdo që njeh rregullat e futbollit, konjukturat, fatin, por mbi të gjitha gjendjen reale të sotme të Dinamos, ka qenë dhe është edhe sot i bindur se titulli tashmë është “pronë” e Dinamos. Besa ndaj bluve kërkoi me ngulm fitoren, nisur nga kjo shpresë. Ndërsa Dinamo duket se kishte llogaritur edhe barazimin, kur trajneri Muça hodhi në fushë plot 6 mbrojtës.
Dikush harroi edhe një faktor të rëndësishëm, faktin që Besa kishte luajtur 4 takime në 10 ditë, Dinamo një takim në 10 ditët e fundit. Në këto kushte, verdhezinjtë bënë atë çfarë mundën. “U munduam të bëjmë më të mirën, por fati ishte me Dinamon. Kishim katër mungesa që na kushtuan jo pak.
Fundja, ky është futbolli, dikush fiton, dikush luan mirë e humbet. Tani mund të them se Besa nuk ndodhet në garën për titull dhe Dinamo pothuajse është tashmë kampione. Objektivi ynë mbetet vendi i dytë dhe Kupa e Shqipërisë. Tani lufta kanalizohet në ruajtjen e vendit të dytë dhe kupë. Dendësia e ndeshjeve që Besa ka edhe në vazhdim, mund të rrezikojë edhe aty ku nuk e pret. Në këtë kuptim, humbja me blutë e qetëson besën për këto dy objektiva, që nuk janë pak.
Duke filluar nga kjo javë, kur presim Teutën, e pastaj plot 6 takime të tjera në Kavajë në fazën e tretë, mjaftojnë të luajmë e qetë dhe të sigurt në fushën tonë, për të mbajtur vendin e dytë, duke llogaritur fitore,” - shprehet trajneri Shpëtim Duro. Ndërsa për Kupën e Shqipërisë, fitorja pastër 2-0 në takimin e parë me Tiranën, është një hap i madh drejt kualifikimit. Kjo nisur edhe nga gjendja që kalojnë të dy kampet, ku Besa, krahasuar me Tiranën, gëzon formë më të mirë.

Feruzoviç: Ia vlejti sakrifica ndaj Tiranës

Të martën peqinasit kanë zhvilluar seancën e parë stërvitore të javës në përgatitje për ndeshjen e radhës me Skënderbeun. Ra në sy mungesa e mbrojtësit Edin Feruzoviç, që stërvitej veçmas nën mbikqyrjen e stafit mjekësor. Boshnjaku, që erdhi në merkaton e dimrit nga Apolonia, pësoi një dëmtim në vetullën e djathtë në ndeshjen e fituar me Tiranën.
Feruzoviç deklaron se ia vlente një sakrificë e tillë në atë ndeshje me kampionët e Tiranës, ku ai, ishte nga më të mirët e ekipit peqinas, duke kontribuar në mbrojtje, por edhe duke dhënë ndihmesën e tij në aksionet sulmuese. “Eshtë e vërtetë që në mesin e pjesës së parë pësova një çarje në vetull nga ndërhyrja e një futbollisti kundërshtar që për mua ishte e qëllimshme dhe nuk u ndëshkua nga gjyqtari.
Për fat të mirë, plaga nuk ishte aq rëndë sa të dilja nga fusha e lojës,” - thotë mbrojtësi Feruzoviç, i cili në fund thotë: “Fituam me meritë një tripikësh, por nuk duhet harruar se sportëdashësit tanë na mbështetën fuqimisht gjatë gjithë ndeshjes. Të fitosh me 10 vetë me Tiranën, nuk ishte aspak e lehtë, por skuadra tregoi karakter të fortë dhe duhet të ruajë vazhdimësinë e rezultateve pozitive. Ndaj këtë fundjavë as e mendoj humbjen në Korçë në ndeshjen e fundit të fazës së dytë.”

Ylli Shehu, një start me fitore te Teuta

“Kemi punuar më shumë në drejtim të kompaktësimit të ekipit, ndërkohë që nuk kemi ndryshuar shumë skemën taktike që përdorte Josa.” Kështu shprehet trajneri i Teutës, Ylli Shehu, që ka debutuar me sukses në drejtim të Teutës. Sipas Shehut, është vazhduar edhe në këtë ndeshje me skemën që ka përdorur Josa, por ekipi ka pësuar ndryshime të tjera. “Nuk ishte e nevojshme që të ndryshonim modulin taktik të përdorur nga Josa në ndeshjen kundër Gramozit, pasi nuk kishim probleme me skemën e vendosjes së lojtarëve në fushë.
Ajo që kemi bërë është se kemi punuar më shumë në motivimin e lojtarëve, që kanë luajtur me dëshirë e me shpirt kundër Gramozit. Natyrisht, kemi bërë disa lëvizje taktike në varësi të ekipit që kemi përballë, por skema në vija të trasha mbeti e njëjtë, si ajo e Josës. Nuk mund të them se do të vazhdojmë gjithnjë me të njëjtën skemë, pasi ajo ndryshon në varësi të kundërshtarit, madjë mund të them se e sigurt është që kjo skemë do të ndryshojë shumë kur të përballemi me Skënderbeun, pasi përballë kemi një kundërshtar me trajner Josën, që e njeh mirë ekipin tonë,” - theksoi Shehu

Spaho: Tani vjen ngjitja e Apolonisë

Eshtë rikthyer bindshëm mbrojtësi Norion Spaho dhe kërkon që ekipi t’u rikthehet fitoreve në Fier
Barazimi që kanë arritur së fundmi në ndeshjen kundër Kastriotit, i ka mbushur me besim dhe ka rritur optimizmin te skuadra fierake. Apolonia ka fituar shumë nga transferta e Krujës: ka shënuar, ka marrë një pikë dhe ka kthyer në njëfarë mënyre besimin te vetja, që është aq i nevojshëm për ekipin në këto momente. Në lidhje me këtë sfidë, është mbrojtësi i Apolonisë, Norion Spaho, që flet për atë që skuadra bardhejeshile pritet të japë në fushë, si dhe për çfarë duhet të presë sportdashësi i zjarrtë fierak në fundjavën anti Dinamo.
- Apolonia ka dalë te pozitivja. Një barazim në transfertë, një rezultat i mirë, besojmë…?
- Pa dyshim. Të luash një transfertë në Krujë, nuk është e lehtë, pasi Kastrioti ka një ekip të mirë në këtë kampionat. Nuk duhet të harrojmë që ajo ka qenë skuadra që na ka shkaktuar humbjen e parë në shtëpinë tonë në fazën e parë, kur ne kryesonim 2 0. Nisur nga kjo, por edhe nga rrethana të tjera, ne e vlerësuam në maksimum Kastriotin dhe u futëm në fushë me synimin që minimalisht të merrnim një barazim. Mendoj se përmbushëm objektivin e këtij takimi dhe e kemi merituar.
- Pas një dëmtimi të gjatë, jeni rikthyer bindshëm. A ndihet Spaho në formën e tij më të mirë?
- Ka qenë emocionues për mua rikthimi në fushë pas shkëputjes që pata që nga java e 22 të e kampionatit të kaluar. Dua t’i falënderoj të gjithë për atë që kanë bërë për mua, që më kanë qëndruar pranë dhe kanë besuar tek unë. Këtu i përfshij të gjithë: drejtuesit më të lartë të skuadrës, stafin teknik, shokët e skuadrës, pa harruar dhe sportdashësit tanë. Për sa i përket formës sime, mund të them se jam i pakënaqur nga vetja dhe kërkoj edhe më shumë.
- Apolonia ka pasur objektiva madhore në fillim të këtij sezoni, po tani deri ku mund të shkojë?
- Në një kampionat të gjatë e të vështirë, si superliga, është e natyrshme që çdo ekip të ketë luhatjet e veta. Nuk na kanë shkuar për shtat disa ndeshje dhe rezultate të fundit, por unë besoj se ne mbetemi ende në garë për të synuar pozicione sa më të mira të mundshme, por kjo sigurisht që kërkon më tepër rezultate, të cilat duhet t’i meritojmë.
- Java e fundit e fazës së dytë ju vë përballë Dinamos kryesuese…?
- Eshtë e vërtetë që kemi përballë kundërshtarët më të fortë të superligës, kryesuesit dinamovitë, një ekip që, më shumë se për çdo gjë, vlerësohet nga shifrat që ka në tabelën e renditjes. Do ta kemi shumë të vështirë. Apolonia do të përpiqet të luajë në më të mirën e saj dhe të kërkojë që ta ndalë Dinamon në vrullin e vet. Neve na intereson shumë rezultati pozitiv dhe për këtë do të bëjmë maksimumin që ta arrijmë. Apolonia i ka traditë lojërat e mira në ndeshjet kundër Dinamos dhe unë besoj se edhe këtë herë nuk do të bëjmë përjashtim nga tradita jonë, por do të kërkojmë që loja të shoqërohet edhe me rezultatin.

Elbasani i Alimehmetit hap një kapitull të ri

Me ndryshimin e trajnerit, skuadra verdheblu pritet të jetë më e vendosur për ngjitjen në superlige
Me ardhjen e trajnerit Krenar Alimehmeti pritet të ndryshojnë disa gjëra tek Elbasani, sepse, në fund të fundit, ky është dhe qëllimi i kësaj lëvizjeje. Drejtuesit verdheblu e bënë këtë ndryshim në stol pikërisht për t’i dhënë një shtysë të fortë skuadrës për pjesën e mbetur të sezonit. Ata janë të bindur se kjo lëvizje do të japë efekt shumë shpejt, por gjithçka mbetet për t’u parë. Trajneri i ri ka marrë përgjegjësinë për ta ngjitur Elbasanin direkt në superligë, edhe pse në këtë moment është i detyruar ta vazhdojë punën me skuadrën e ndërtuar nga trajneri i mëparshëm, Muharrem Dosti.
Ai nuk mund të ndryshojë asgjë në lidhje me kontigjentin e lojtarëve, por pritet t’i japë këtij grupi frymën e duhur për të arritur rezultatet që dëshirojnë të gjithë në Elbasan. Javët në vazhdim do të tregojnë se sa do të përshtaten verdheblutë me idetë e trajnerit Alimehmeti, i cili do të ketë edhe ndihmën e Oltion Osmanit në punën e tij. Kjo dyshe ka një detyrë të vështirë, sepse kampionati ka hyrë tashmë në një fazë shumë të vështirë dhe, për të arritur objektivin, Elbasanit i duhen edhe fitore jashtë fushe. Trajneri Alimehmeti ka mbështetje të madhe nga drejtuesit verdheblu, të cilët presin më shumë nga skuadra.
Prova e parë e trajnerit kryeqytetas është ndeshja me Pgradecin në “Ruzhdi Bizhuta”. Duke nisur nga kjo e shtunë, për elbasanasit parashikohet të nisë një kapitull i ri, ku të paktën vendi i dytë nuk duhet të vihet në diskutim. Natyrisht që Alimehmeti nuk mund t’i ndryshojë gjërat si me shkopin magjik, por e rëndësishme është që ai ta “shkundë” skuadrën dhe ta përgatisë atë në çdo aspekt për të fituar ndeshjet e mbetura të kampionatit.

Tifozët, të ndarë për shkarkimin e Dostit

Tifozëria elbasanase duket e ndarë në dy grupe, kur gjykon shkarkimin e trajnerit Muharrem Dosti. Njëri grup është dakord me ndryshimin e bërë në stolin e Elbasanit, duke e konsideruar të nevojshëm, ndërsa grupi tjetër ka mendimin se Dosti duhej të qëndronte, pasi kishte bërë një punë të mirë dhe e la skuadrën në vendin e dytë, me një ndeshje më pak. Gjithsesi, edhe ata që e përkrahin largimin e Dostit, e falënderojnë trajnerin për sakrificën e bërë në kohë të vështira.

Dëbora rrezikon edhe ndeshjen me Luftëtarin

Bilisht Sporti, që ka dy ndeshje më pak, rrezikon të mos luajë as këtë të shtunë, kur, sipas kalendarit, do të presë Luftëtarin. Drejtuesit e klubit, duke parë trashësinë e dëborës në stadium, që e kalon 30 cm, pohojnë se ndeshja e radhës është në rrezik serioz, për më tepër që reshjet mund të vazhdojnë edhe këto ditë.
Në fakt, bilishtarët janë duke parë mundësinë e zhvillimit të ndeshjeve në Pojan, por edhe këtu situata nuk është aq e mirë, pasi edhe kjo fushë ka shumë dëborë. Ishte parashikuar që sot të luhej një nga ndeshjet e shtyra, pikërisht ajo me Skraparin, por ka pasur një tjetër shtyrje, të kushtëzuar nga kushtet atmosferike. Drejtuesit e Bilisht Sportit janë mjaft të shqetësuar nga kjo situatë, sepse në javët në vazhdim skuadra do të jetë e detyruar të luajë shumë ndeshje brenda pak ditësh dhe do ta ndiejë shumë lodhjen. Një problem tjetër është ai i seancave stërvitore, që po bëhen në kushte vërtet të vështira, në terrene të mbuluara plotësisht nga dëbora.
Sidoqoftë, stafi teknik dhe futbollistët duken të përqendruar për ndeshjen me Luftëtarin, që shpresojnë ta luajnë. Presidenti Spartak Meraku thekson se skuadra e tij, që tani ka zbritur në vendin e 11 të, shumë shpejt do të jetë kthehet në pozitat e mëparshme: “Vetëm një ndeshje kemi luajtur në fazën e dytë, atë me Gramshin, që e kemi humbur. Por më shumë na shqetëson fakti që kemi dy ndeshje të prapambetura në fushën tonë, ndërkohë që në rrezik është edhe Luftëtari, për shkak të dëborës. Janë tri ndeshje në shtëpi, që mund t’i fitojmë, duke u ngjitur ndjeshëm në renditje.
Të paktën në letër mund të llogarisim 9 pikë, sepse Bilisht Sporti nuk gabon në fushën e tij. Shpresoj që kushtet e motit të përmirësohen, që ndeshja me Luftëtarin të luhet, sepse kemi nevojë të luajmë. Deri të shtunën kemi kohën e duhur për t’u përgatitur dhe them se do ta kalojmë me sukses, duke marrë fitoren e parë të fazës së dytë,” ka thënë presidenti Meraku.

Shifrat e javës së 18 të të kategorisë së parë

- Pa dy ndeshjet e shtyra, u realizuan 10 gola (5 në 45′ e para) ose mesatarisht 1.66 për çdo ndeshje.
- Totali i golave të shënuar arriti në 322, që do të thotë mesatarisht 17.88 për çdo javë.
- Futbollisti i Bylisit, R.Hamzaj, kryeson listën e golashënuesve më të mirë të kampionatit, me 12 gola.
- Asnjë futbollist i huaj nuk arriti të shënonte këtë javë.
- R.Hamzaj i Bylisit dhe R.Maho i Partizanit shënuan nga një dygolësh këtë javë.
- U akorduan dy 11 metërsha dhe vetëm njëri prej tyre u kthye në gol nga Toma i Besëlidhjes, ndërsa Shytani i Adës e humbi.
- U regjistruan 3 fitore dhe 3 barazime.
- Duke mundur Lushnjën 1 0, velipojakët përsëritën fitoren e arritur më 5.5.2005 dhe barazuan në 2 2 numrin e fitoreve me këtë ekip.
- Kundër Burrelit, R.Hamzaj i Bylisit realizoi golin e 10 të jubilar për ekipin ballshiot.
- Partizani mundi Sopotin 2 0 në Librazhd dhe R.Maho është autori i golit të 5 të jubilar për ekipin e tij.
- Besëlidhja dhe Gramshi arritën barazimin e 2 të dhe përsëritën rezultatin e fazës së parë (1 1), më 12.9.2009.
- Të njëjtën gjë bënë edhe Luftëtari me Memaliajn, 1 1, duke përsëritur edhe ato rezultatin e fazës së parë.
- Dy gjyqtarë rrethesh drejtuan ndeshjet e 10 ta jubilare: L.Alla (Lushnjë) dhe K.Cjapi (Fier).
- U dhanë 14 kartonë të verdhë dhe totali i tyre shkoi në 588, që është mesatarisht 32.66 për çdo javë.
- U dha vetëm një karton i kuq dhe totali arriti në 41, ose mesatarisht 2.27 për çdo javë.

Lushnja, koha për të vënë nderin në vend

Futbollistët janë gati të shpenzojnë gjithçka me Kamzën, edhe pse nuk janë paguar
Edhe pse me dy humbje në fazën e dytë, pozitat e lushnjarëve nuk kanë ndryshuar. Ata mbajnë ende vendin e dytë, por rivali i tyre, Elbasani, ka një ndeshje më pak. Ekipi lushnjar, i konfiguruar siç thonë drejtuesit e tij për të qenë në superligë, nuk po e bën detyrën si duhet.
Vetë futbollistët janë përpjekur, madje edhe kanë sakrifikuar për të marrë të paktën një pikë me Adën, por kundërshtari ishte mjaft i vendosur për të mos lëshuar. Në atë ndeshje ndikuan terreni mjaft i keq dhe gjykimi i treshes së kryesuar nga Rama. Pavarësisht kësaj, që prej ditës së hënës ekipi lushnjar ka nisur punën pa shumë diskutime për ndeshjen me Kamzën, ku rikthehet tifozëria vendëse.
Kundërshtari i kësaj jave, në fazën e parë ka marrë një fitore në fushën e tij mes shumë kontestimeve të lushnjarëve për gjykimin. Ishte një lushnjar që i ndëshkoi verdhëjeshilët, Okelian Baze, i dalë nga ekipet zinxhir të këtij klubi. Në fakt, përgatitjeve për ndeshjen e radhës u ka paraprirë analiza e transfertës së Velipojës. Stafi teknik kërkon më shumë nga futbollistët jo vetëm për ndeshjen me Kamzën, por edhe më tej. Me rezultatet e tri ndeshjeve të para të fazës së dytë, Lushnja i ka komprometuar disi pozitat për një vend, që të çon direkt në superligë.
Nga burime pranë ekipit, mësohet se trajneri Bano u ka kërkuar futbollistëve që të impenjohen në maksimum, edhe pse ndaj tyre nuk janë shlyer detyrimet financiare nga klubi. Seancat stërvitore deri tani janë zhvilluar në fushën sportive të Komunës Dushk, për shkak të dëmtimit të fushave në anekset përrreth stadiumit “Roza Haxhiu”, por edhe për faktin se duhet të ruhet fusha e stadiumit për ndeshjen e radhës.
Duhet theksuar se futbollistët, edhe pse nuk janë paguar, kanë rënë dakord që t’i shpenzojnë të gjitha energjitë e tyre në shërbim të ekipit. Me Kamzën, trajneri Bano do të jetë në stol dhe do të ketë të gatshëm edhe Bubeqin e Alcanin, të cilit ishin të skualifikuar, por edhe Koreshin e Mërtirin.
Sakaq, një tjetër kënaqësi do të jetë ajo e tifozërisë lushnjare, që ka qenë e privuar nga stadiumi i Lushnjës që prej nëntorit të vitit të kaluar. Dy muaj e gjysmë jashtë shkallëve të “Roza Haxhiut” dhe tifozëria premton një mbështetje shembullore për benjaminët e saj. Kanë nisur përgatitjet për banderolat e rastit dhe sloganet për ndeshjen e së shtunës, ku Lushnja ka për detyrë të vërë në vend nderin e saj.

Kamza, analizë e hollësishme e barazimit me Pogradecin

Drejtuesit e Kamzës janë ndalur në një analizë të hollësishme të barazimit me Pogradecin. Në qendër të vëmendjes ka qenë paraqitja e dobët e skuadrës në këtë ndeshje. Sipas sekretarit të klubit, Albert Bana, drejtuesit e Kamzës i kanë kritikuar ashpër lojtarët, që nuk u ngjitën në nivelin e kërkuar. “Zhvillimi i një analize ishte i domosdoshëm në këtë moment. Skuadra nuk ka qenë në nivelin e kërkuar, ndonëse u krijuan shumë raste për shënim.
Kamza nuk shkoi më shumë se barazimi, sepse pati mangësi në finalizimin e sulmeve. Lënia e dy pikëve me Pogradecin ishte e pafalshme, por asgjë nuk ka përfunduar dhe skuadra jonë do të luftojë deri në fund për t’u ngjitur në 4-shen e parë. Futbollistët kanë marrë përsipër përgjegjësinë për atë rezultat të padëshirueshëm, por e rëndësishme është që ata të reflektojnë në ndeshjet në vazhdim,” - ka thënë sekretari Bana, i cili ka pohuar gjithashtu se në analizë është trajtuar edhe incidenti mes futbollistit Patushi dhe trajnerit pogradecar Ylli Çekiçi. Ai ka theksuar se skuadra është mjaft e motivuar për ndeshjen me Lushnjën.