17 shkurt 2010

Dështimi në Lion, Spanja “kryqëzon” Kakanë

Mesfushori brazilian është i akuzuari kryesor i humbjes së Realit të Madridit në transfertën e Lionit në Ligën e Kampionëve.Menjëherë pas ndeshjes në drejtim të ish-milanistit është derdhur një lumë kritikash, si nga mediat spanjolle, ashtu edhe nga ato italiane. “Thjesht ishte inekzistent”, shkruan e përditshmja sportive spanjolle “As”, e cila qëndron shumë pranë madrilenëve.
Edhe e përditshmja tjetër e kryeqytetit, “Marca”, ka fajësuar atë që sipas saj, së bashku me Kristiano Ronaldon, duhet të ishte lokomotiva e Realit drejt finales së ëndërruar në stadiumin e vet. “Kaka, ashtu si Ronaldo, e nisën mirë takimin, por më pas, në pjesën më të madhe të lojës, u zhdukën plotësisht nga fusha”, shkruan “Marca”.
E menjëhershme ka qenë vetëmbrojtja e Kakasë: “Nuk jam unë fajtori për humbjen, humbi e gjithë skuadra. Ankthi dhe përgjegjësia që kishim para kësaj ndeshjeje ndikuan negativisht. E dimë që do të duhet shumë punë për të përmbysur këtë rezultat në “Bernabeu”. Por mund të mbështetemi te lojtarët me përvojë, që dinë si t’i zgjidhin këto lloj ndeshjesh”.