09 shkurt 2010

Kategoria Superiore ne Grande Juve

Apolonia dërgon disa lojtarë në Prokurori për trukim ndeshjesh

Humbja me Flamurtarin ka shkatuar “tërmet” në radhët e Apolonisë. “Rënia e lirë” e skuadrës fierake, që shkon nga humbja në humbje për disa javë rresht, ka krijuar pakënqaësi të mëdha në radhët e tifozëve, të cilëve u është sosur durimi, madje kanë akuzuar lojtarët se po shesin fanellën e Apolonisë. Dyshime kanë ekzistuar edhe në radhët e drejtuesve, sepse nuk mund të ketë shpjegim tjetër për rezultatet e dobëta të skuadrës, kur lojtarët janë po ata, që rivalizonin për vendin e tretë. Për pasojë, përfshirja e lojtarëve në trukimin e ndeshjeve është konsideruar si një opsion real, për të cilin edhe është investiguar. Përjashtimet e disa lojtarëve pas humbjes me Kastriotin ishin në këtë linjë, por “me presh në duar” duket se është kapur Albert Kaçi. Sipas drejtorit të kontrollit të brendshëm në Klubin e Futbollit “Apolonia”, Andi Derhemi, sulmuesi shkodran i Apolonisë akuzohet direkt për trukim të ndeshjes Shkumbini-Apolonia 3-0. Për më tej, Derhemi sqaron: “Kaçi akuzohet se e ka luajtur vetë ndeshjen Shkumbini-Apolonia në një kompani bastesh. Informacioni për këtë ka mbërritur te shefi i klubit, Iljaz Haxhiaj, para ndeshjes me Flamurtarin. Një person nga Fieri i ka thënë Haxhiajt se lojtari i Apolonisë, Albert Kaçi, i ka kërkuar atij para ndeshjes me Shkumbinin 10 mijë euro borxh, për t’i luajtur bast. I njëjti person ka pohuar se shuma në fjalë është vënë për ndeshjen Shkumbini-Apolonia, që do të dilte 1/1. Pra, fitore e peqinasve në pjesën e parë, fitore e ndeshjes në total nga Shkumbini. Dhe në fakt Kaçi ka qenë protagonist i penalltisë së shkaktuar nga vetë ai, në minutën e 5-të të ndeshjes, e cila është kthyer në gol nga bardhekaltrit, konkretisht nga Çaushaj. Me të marrë këtë informacion, shefi i klubit, Haxhiaj, ka dhënë urdhër që Kaçi të mos përfshihej në skuadrën anti-Flamurtar, duke nisur hetimin për rastin e denoncuar. Menjëherë, pas ndeshjes me Flamurtarin, në mbledhjen e ditës së hënë, Haxhiaj i ka akuzuar lojtarët se janë të përfshirë në shitje të ndeshjeve të Apolonisë. Akuzë që nuk është pranuar nga lojtarët. Në këtë situatë, Haxhiaj i është drejtuar Kaçit, duke i drejtuar gishtin atij. Natyrisht, duke i treguar edhe akuzën e mbërritur në adresë të tij. Akuzaështë shoqëruar me fakte, duke e ballafaquar me personin që i kishte marrë borxhin. Në këtë moment Kaçi e ka kuptuar se është dekonspiruar, ndaj e ka pranuar rastin, por ka shtuar se e ka bërë këtë gjë vetëm një herë të vetme, në rastin e ndeshjes me Shkumbinin. Ndërkohë, denoncimi për këtë rast ka mbërritur edhe në Prokurori, çka i është bërë e ditur edhe vetë lojtarit shkodran. Ky i fundit, i pezulluar tashmë nga Apolonia, ka thënë se ka edhe mjaft lojtarë të tjerë të skuadrës fierake, që luajnë baste, por ai nuk do t’i tregojë kurrë shokët.”
Ndërkohë, të martën, presidenti i Apolonisë, Baftaj Zeqo, ka njoftuar për masa të tjera, që e zgjerojnë rrethin e të dyshuarve. Konkretisht, vec Albert Kacit, klubi fierak ka pezulluar edhe Maringlen Shoshin, me të njëjtin motiv, se është i përfshirë në trukime të ndeshjeve. Të dy këta lojtarë, bashkë me Elton Gramin dhe Erion Hotin, që në merkaton e dimrit kanë kaluar në radhët e Flamurtarit dhe Gramozit, janë denoncuar në Prokurori nga KF Apolonia, si të dyshuar për fiksime të dy ndeshjeve, Apolonia-Kastrioti 2-3 dhe Shkumbini-Apolonia 3-0. Do të jetë organi i akuzës, ai që do të cojë më tej hetimin dhe sqarimin e gjithckaje, duke e zgjeruar ndoshta rrethin e të dyshuarve, të denoncuar nga klubi fierak. Madje është rasti që Prokuroria të ndërmarrë një hetim të gjerë, sic ishte “Calciopoli” ne Itali, për trukimet në futbollin shqiptar, ku rezultatet e disa ndeshjeve lënë mjaft për të dyshuar. Akuza dhe kundërakuza ka patur nga presidentë klubesh, por edhe nga kryeministri i vendit, Sali Berisha, i cili, pas dy humbjeve të kombëtares për eliminatoret e Euro 2008, 4-2 në tiranë me bjellorusinë dhe 6-1 në bukuresht me Rumaninë, e tha shkoqur fare se “është shitur kombëtarja, është shitur flamuri kuqezi”. Deri para dy vitesh, trukimi apo fiksimi i rezultateve sportive nuk përbënte shkelje, pasi nuk parashikohej asnjë masë ndëshkuese në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Një nismë e disa shoqatave bëri të mundur që të bëheshin plotësimet përkatëse në Kodin Penal, i cili tashmë parashikon edhe penalizimet për kësi rastesh, burgim deri në dy vjet dhe gjobë financiare.

Malota: Kjo, java e “titullit” për Dinamon

Sipas mbrojtësit Renato Malota, ndaj Shkumbinit në kupë dhe Besës në kampionat vendosen fatet
Shtatlarti Renato Malota, i ardhur gjatë merkatos së verës te blutë kryeqytetas, nuk ka gjetur hapësirat e duhura në radhët kryesuesve të kampionatit të 71-të kombëtar. Megjithatë, kur Dinamo ka pasur nevojë për të, nr.13 i bluve është treguar gjithnjë i gatshëm për të dhënë kontributin e tij. E tillë ishte edhe gatishmëria e shfaqur në ndeshjen e fundit përballë Gramozit të Ersekës. Ish-lojtari i Partizanit dhe i Besëlidhjes ka treguar një formë të mirë, duke dhënë kontributin e tij në marrjen e tripikëshit ndaj skuadrës së Agim Canajt.
Gjatë një prononcimi për “Sportin shqiptar”, Malota e mendon decizive javën që Dinamo ka përballë në dy sfidat, duke filluar nga ajo e kupës në Peqin, ditën e enjte ndaj Shkumbinit, dhe më pas përballja “e zjarrtë” e kampionatit Dinamo-Besa në “Qemal Stafa”.
Por sigurisht Malota nuk fsheh faktin që mund të largohet në fund të sezonit, duke mos e pranuar qëndrimin në stol. Në fakt, diçka të tillë lojtari i përfaqësueses Shpresa e ka deklaruar edhe më parë në gazetën “Sporti shqiptar”, ndërsa duket se qershori mund ta ndajë një herë e mirë çështjen “Dinamo-Malota”.

Gramozi

“Ndeshja me Gramozin ishte shumë e vështirë për disa rrethana. Terreni ishte i papërshtatshëm dhe nuk e lejoi ekipin tonë të nxjerrë në pah vlerat maksimale që disponon. Në fakt, kundërshtari na sulmoi dhe na vuri në rrezik në disa momente, por ne ishim më efikasë në rastet përpara portës, duke shënuar edhe një gol në fundin e takimit. Dinamo mund të shënonte që në fillimin e lojës, kur humbëm disa mundësi, por në fund shansi na buzëqeshi ne.”

“Nuk e pranoj stolin”

“Për sa i takon aspektit personal, unë s’jam shumë i kënaqur dhe është më se normale që një futbollist, kur nuk aktivizohet si titullar, të ketë pakënaqësi. Gjithsesi, deri në qershor është e sigurt që jam te Dinamo, por më pas, duke folur edhe me drejtuesit e duke njohur edhe planet e skuadrës për vitin e ardhshëm, normalisht që mund të largohem, pasi stolin nuk e pranoj,”- citon ndër të tjera mbrojtësi luftarak i Dinamos.
Kupa e Shqipërisë
“Për mendimin tim, kjo do të jetë java decizive për Dinamon, një javë tepër vendimtare. Një rezultat pozitiv përballë Shkumbinit në ndeshjen e parë dhe një fitore me Besën do të thotë shumë për skuadrën tonë. Do të jetë një hap shumë i madh si për Kupën e Shqipërisë, por edhe kampionatin. Ndaj Shkumbinit do të mundohemi që në ndeshjen e parë të paktën të mos pësojmë gol. Një rezultat 0-0 do të ishte shumë i mirë për ne, duke pasur parasysh faktin që ndeshja e kthimit do të luhet në “Qemal Stafa”.
Besa
“Të them të drejtën, skuadra jonë po kalon një moment tepër të mirë dhe kam bindjen se do ta fitojmë këtë sfidë. Është pak herët për të menduar për Besën, pasi në fillim është ndeshja me Shkumbinin, por unë kam bindje të plotë se do ta kalojmë me sukses edhe përballjen me kavajasit,”- pohon në diktofonin e “Sportit shqiptar” mbrojtësi i Dinamos, Renato Malota.

Putinçanin vazhdon i diferencuar

Mbrojtësi Marko Putinçanin vazhdon stërvitjen e diferencuar nga skuadra si pasojë e problemeve shëndetësore të kaluara përpara sfidës me Skënderbeun. Futbollisti gëzon shëndet të plotë dhe, sipas ekzaminimeve të kryera në Serbi, ka rezultuar me një infeksion në sy, ndërkohë që tashmë duhet të presë edhe përgjigjen e analizave të mjekëve shqiptarë, për të qenë më pas i gatshëm për skuadrën, duke filluar nga ndeshja me Besën.

Gentian Muça rikthehet me Besën

Futbollisti i bluve Gentian Muça, si pasojë e gjendjes gripale që
po kalon prej disa ditësh, përveç mungesës së kaluar në Ersekë në sfidën e kampionatit ndaj Gramozit, do të mungojë edhe në kupë. Nr.3 i bluve s’do të jetë përballë Shkumbinit. Pas vizitës mjekësore të kryer nga doktori i klubit, Pertef Rusi, futbollisti nga dita e enjte mund të stërvitet me skuadrën, pra ish-lojtari i Bylisit do të rikthehet në kampionat ndaj Besës.

E drejta televizive shtyn ndeshjet e bluve

Ndeshja e kupës me Shkumbinin dhe ajo e kampionatit përballë Besës, janë shtyrë nga një ditë secila. Me Shkumbinin dinamovitët do të përballen ditën e enjte në Peqin, ndërkohë që me Besën në kampionat do të jetë dita e hënë që do të ndajë fatet e përballjes midis dy skuadrave që udhëheqin kampionatin. Shkak është bërë e drejta televizive, pasi duke parë aktivitetet e tjera futbollistike, është parë e udhës nga organet kompetente të veprohet kështu.

Dinamo, vetëm 2 penallti në favor

Skuadra e Dinamos, e përfolur si “e përkëdhelura” e arbitrave, pavarësisht të gjitha ndodhive, me statistika nuk del e tillë. Blutë në 24 takime (20-kampionat dhe 4-kupë) zyrtare të edicionit 2009-2010, kanë marrë si “dhurata” vetëm dy 11-metërsha. Pikërisht në javën e parë ndaj Kastriotit dhe në të 17-tën përballë Laçit. Normalisht, 11-metërshtat janë “ndihma e shpejtë” e arbitrave për një skuadër futbolli, por duket se blutë në këtë aspekt s’janë aspak të privilegjuar.

Besa në kërkim të një qendërmbrojtësi

Ekipi kavajas do të ketë jo pak probleme këtë javë. Në ndeshjen e fundit me Kastriotin, u dëmtua qendërmbrojtësi Dragusha dhe vendin e tij në qendër e zuri Poçi, por duke qenë shtatshkurtër, në ndeshjen e nesërme në kupë me Tiranën dhe në fundjavë me Dinamon, kjo nuk mund të jetë zgjidhja për trajnerin Duro. Po si do të veprojë trajneri Duro, kur kujtojmë që edhe Hoxha me Mihanin janë të dëmtuar.
Për momentin ka një zgjidhje, quhet Paulin Dhëmbi. Mesfushori i Besës e ka bërë këtë rol në momentet kur skuadrat me të cilat është aktivizuar janë gjendur në kësi momentesh. Besa vërtet ka një stol dhe një grup për t’u pasur zili, por kur vjen në këto ndeshje vendimtare për sezonin me të paktën tre mungesa, është një problem për çdo trajner. Kavajasit kanë filluar të punojnë që dje për të përballuar këtë javë të “nxehtë”. Ajo që të bie në sy është se nuk ka deklarata euforike dhe kështu është vendosur derisa të mbarojë kjo javë.

Magani: I druhem euforisë së lojtarëve

Trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, kërkon të mos ndalet këtu, pasi ekipi nuk është ende komod
Dy fitore brenda një jave kanë kthyer qetësinë në kampin e Flamurtarit, ndërsa tashmë vlonjatët e shohin veten në vend të 10 të të renditjes, natyrisht të larguar nga dy vendet e fundit, që të çojnë një kategori më poshtë. Pas Besës, Flamurtari ka fituar në Vlorë edhe përballë Apolonisë të dielën, duke kërkuar mbi të gjitha vazhdimësi në rezultate edhe në dy ndeshjet e fundit të fazës së dytë, pavarësisht kalendarit.
Trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani, ka kërkuar të ruhet qetësia në ekip dhe natyrisht edhe euforia e krijuar. Magani ka pranuar se ndaj Apolonisë e mendonte më të vështirë, kjo edhe për faktin se Flamurtari vinte pas një fitoreje bindëse ndaj Besës. “Gjatë javës pashë në ekip shenja euforie te lojtarët dhe natyrisht e shikoja më të vështirë takimin përballë Apolonisë.
Folëm së bashku me stafin teknik dhe me lojtarët. Megjithatë, po ta shohësh ndeshjen në 20 minutat e para, kemi hasur vështirësi, ndërsa shënimi i golave na qetësoi dhe natyrisht na lejoi pjesën e dytë të luajmë më lirshëm, ku edhe mund të kishim shënuar sërish, ashtu siç mund ta kishim pësuar.
Megjithatë, pas dy fitoreve, jemi ende në një vend jokomod dhe ashtu siç edhe kam thënë, çdo ndeshje për ne duhet të konsiderohet si një finale. Javën e ardhshme do të luajmë në një transfertë përballë Laçit, një ekip i cili deri tani ka ecur mirë dhe jo më kot ndodhet në vend të katërt. E konsideroj një ndeshje të vështirë, por jo të pakalueshme. Unë e pashë nga afër ekipin e Laçit në ndeshjen e fundit dhe natyrisht duhet pranuar që ka grintë për t’u admiruar.
Megjithatë, duhet të nisim që tani të mendojmë për këtë ndeshje, për të vijuar rezultatet pozitive,” ka përfunduar trajneri i Flamurtarit, Gugash Magani. Kujtojmë që pas transfertës së Laçit, vlonjatët do të kthehen në takimin e fundit të fazës së dytë për të luajtur në Vlorë kundër Kastriotit.
Nëse arrihet të merren katër pikë minimalisht, atëherë quhet një mision i kryer deri diku, kur pastaj mbetet edhe një fazë e tërë për të dalë nga gjendja, ku Flamurtari kërkon t’i shmanget zonës që të çon në “play-out”.

Elton Grami: Tani u qetësuam disi

Mbrojtësi i Flamurtarit, Elton Grami, autor i golit të parë në ndeshjen e së dielës, ka pranuar se është ndierë mjaft i kënaqur për fitoren e dytë radhazi në kampionat. “Kam shënuar një gol që i hapi fitoren ekipit dhe ndihem mirë, por mbi të gjitha dua t’ia dedikoj këtë gol një sportdashësi special, i cili nuk mund të ishte i pranishëm në stadium.
Fitorja me Apoloninë ndërkohë na ka kthyer qetësinë dhe natyrisht jemi një shkallë më lart në renditje, por kjo punë e bërë në këto dy ndeshje që kemi luajtur në Vlorë duhet të vijojë edhe në takimet e tjera,” - është shprehur Grami.

Bejzade: Partizani, i lodhur në pjesën e dytë

Barazimi me Bylisin ka lënë gjurmë te të kuqtë dhe në analizën e djeshme ka pasur kritika për ekipin
Pas zhgënjimit të fundjavës me Bylisin, dje të kuqtë kanë nisur përgatitjet e para javore, të cilët do të jenë në funksion të transfertës së Librazhdit. Paraqitja jo e mirë me Bylisin nuk mund të kalonte pa u analizuar në kampin e kuq. Prandaj para fillimit të seancës stërvitore të pasdites trajneri Skerdi Bjezade i ka mbledhur lojtarët në mesin e fushës dhe në mënyrë të përmbledhur ka bërë kritikat e tij.
Normalisht, trajneri Bejzade ka arsye për të qenë i pakënaqur me atë që dha Partizani ndaj Bylisit, por duhet thënë se rrjedha e lojës diktoi në zëvendësimet e detyruara të lojtarëve. “Me atë që kam konstatuar në ndeshjen me Bylisin, vura re se bëmë një paraqitje me dy fytyra, pasi në pjesën e dytë nuk patët fuqi dhe ratë shumë në aspektin fizik. Pra, në përgjithësi, në këtë pjesë nuk ishte Partizani i pjesës së dytë.
Paraqitje të mirë bëri Hallaçi dhe Beqiri në mesfushë. Kështu, na del për detyrë të punojmë shumë dhe të mos përsëritim atë paraqitje që bëmë me Bylisin në pjesën e dytë.” Kështu u është drejtuar dje trajneri Skerdi Bejzade lojtarëve të kuq para fillimit të seancës stërvitore të pasdites.
Përpara kësaj analize me lojtarët, trajneri Bejzade ka pasur edhe një komunikim miqësor me mediat dhe tifozët e pranishëm në ambientet stërvitore. Përveç pakënaqësive që njëshi i pankinës së kuqe kishte për lojën sulmuese dhe atë mbrojtëse, Bejzade sqaron se ishte i diktuar në zëvendësimet që u kryen në atë takim

Trajneri “qan” largimin e Roshit dhe Asllanit

Gjatë tregut dimëror të kuqtë afruan gati një ekip të tërë dhe në këtë mënyrë mendohet se Partizani do të ishte i plotë për fazën e dytë. Por pak para startit të pjesës së dytë Partizani reduktohet, pasi dy nga lojtarët që mendoheshin titullarë u transferuan në Korçë. Pikërisht bëhet fjalë për mesfushorin Klevis Roshi dhe sulmuesin Klodian Asllani.
Largimi i kësaj dyshe ndoshta ndikoi edhe në parqitjen jo të mirë të të kuqve në përballjen me Bylisin, pasi për ditë më radhë futbollistët në fjalë kanë qenë pjesë e skemave të stafit teknik. Normalisht, trajneri Bejzade ka mbetur i befasuar nga këto lëvizje, pasi Roshi dhe Asllani janë lojtarë cilësorë dhe kanë pasur besimin e tij të plotë.
“Roshi dhe Asllani kanë qenë parapëlqimet e mia, kështu që nuk ka si të jem i kënaqur me transferimin e tyre te Skënderbeu. Natyrisht, ata janë dy futbollistë cilësorë, që janë stërvitur gjatë gjithë kohës me grupin.
Jo vetëm në këtë aspekt, por duhet thënë se sa më shumë lojtarët në gjendje të mirë të kesh, aq më të mëdha janë alternativat. Gjithsesi, nuk më takon mua të flas për ata që ikën apo gjëra të tilla si këto, por si trajner i Partizanit e rëndësishme është të vijoj punën me grupin që kam dhe të mundohemi të marrim më të mirën dhe të realizojmë objektivin,”- u shpreh dje trajneri i “demave të kuq”, Skerdi Bejzade rreth largimit të Klevis Roshit dhe Klodian Asllanit.

“Shkelmat” e ballshiotëve mbushin infermierinë

Loja e rëndë e futbollistëve të Bylisit ka lënë pasoja te të kuqtë, pasi janë shtuar pacientët në infermierinë e Partizanit. Mesfushorët Buna dhe Karapici nuk e luajtën të plotë sfidën me ballshiotët, pasi mbetën “viktima” të ndërhyrjeve të miqve. Dje të dy futbollistët kanë qëndruar larg terrenit stërvitore dhe vazhdojnë terapinë riaftësuese.
Njëkohësisht probleme ka edhe për mbrojtësin Hallaçi, i cili ndryshe nga dyshja Buna-Karapici, është përgatitur i diferencuar dhe ka qenë nën vëzhgimin e stafit mjekësor. Në ditët në vijim do të mësohet nëse futbollistët në fjalë do të jenë të gatshëm për sfidën e radhës me Sopotin.

Mbrojtësi gjirokastrit thekson se mungesat duhet ta motivojnë më tepër ekipin e tij
Sinani: E pafalshme lënia e pikëve me Memaliajn

Luftëtari, me një ndeshje më pak, sepse nuk luajti me Pogradecin në transfertë, për shkak të borës, pret këtë javë Memaliajn, që lufton edhe përtej kufirit sportiv në ndonjë rast. Faza e dytë ka filluar me objektivin për të zënë vendin e 4-t nga gjirokastritët, të cilëve një 3-pikësh i fituar me Memaliajn e jep kurajo për betejat në vazhdim.
Në pamje të parë, duket se Luftëtari nuk do ta ketë shumë të vështirë një gjë të tillë, por në thelb kjo nuk qëndron dhe këtë e kanë të qartë të paktën drejtuesit e Luftëtarit. Të gjithë e dinë që në Gjirokastër Memaliaj luan si në “shtëpinë e vetë”, sepse grupe tifozësh memaljotë do të jenë të pranishëm për ta inkurajuar, ashtu siç bënë në fazën e parë, kur ndeshja u mbyll në barazim.
Besmir Sinani, një nga shtyllat e forta të mbrojtjes gjirokastrite, shprehet: “Duke qenë se Luftëtari nuk luajti javën që shkoi me Pogradecin, ne jemi ende me gjendjen shpirtërore të krijuar pas fitores me Lushnjën. Ekipit tonë i mungojnë disa titullarë, për shkak dëmtimesh dhe dënimesh, ndaj them se më mirë që nuk u zhvillua ndeshja me Pogradecin. Memaliaj është një ekip që luan gjithmonë i mobilizuar, duke bërë përpjekje maksimale për të marrë pikë. Kuptohet që bën mirë, sa kohë këto përpjekje mbeten në kuadrin sportiv.
Ndeshja që do të luhet në Gjirokastër me siguri do të jetë korrekte, si midis dy ekipesh të fqinjësisë së mirë, por edhe me luftë sportive të fortë. Duke u nisur nga raporti i forcave, them se Luftëtari ka më shumë mundësi për të arritur fitoren, që besoj se do ta realizojmë. Nuk do të luajnë në këtë ndeshje Stoja, Gaxhaj, Novi, Shkoza dhe Brahimi, por këto mungesa duhet të na motivojnë për të arritur fitoren. Dihet që me lënien e pikëve në Gjirokastër pothuajse dalim “jashtë luftimit” për vendin e 4 t, kështu që nuk e mendojmë as barazimin.”

Rikthehet nga dëmtimi futbollisti korçar, ndërsa ekipi mendon për ndeshjen e Kamzës Klejdi Larti, gati për Pogradecin

Pogradecarët e bënë pushim të shtunën, pasi dëbora i pengoi të zhvillonin ndeshjen e radhës me Luftëtarin. Kjo javë i ka zbritur liqenorët në vendin e 6-të, por ata mund t’i rikuperojnë pikët, kur të ndeshen me gjirokastritët.
Klubi pogradecar ende nuk ka marrë një njoftimin për datën e ndeshjes me Luftëtarin dhe trajneri Ylli Çekiçi shprehet se përgatitjet po bëhen për tranfertën e Kamzës, që konsiderohet vendimtare. “Na pret një ndeshje e rëndësishme në Kamzë, sepse luajmë me një skuadër, që është pranë nesh në renditje dhe ka të njëjtin objektiv.
Pogradeci i ka të gjitha mundësitë për të qenë në 4-shen e parë dhe them se shtyrja e ndeshjes me Luftëtarin ishte pozitive për ne. Jemi më të freskët fizikisht dhe deri në takimin e së shtunës grupi do të jetë gati,” - tha trajneri Çekiçi. Ndërkohë, një lajm i mirë për këtë ekip është riaftësimi i Klejdi Lartit. Mbrojtësi kthehet pas 4 majsh, duke lënë pas një dëmtim serioz. Larti pohon se është gati për ndeshjen me Kamzën: “Më ka marrë malli për të luajtur dhe tani jam shumë i lumtur që jam rikthyer.
Dëmtimi ka kaluar dhe kam ditë që po stërvitem me grupin. Shpresoj të jem në fushë këtë fundjavë që nga minuta e parë. Nuk ishte e lehtë kjo periudhë kaq e gjatë dëmtimi, por gjithçka kaloi dhe tani duhet të mendoj vetëm për ngjitjen e Pogradecit në superligë.
Duhet të jemi patjetër në 4 vendet e para në përfundim të kampionatit, sepse kemi një ekip simpatik. Na takon të jemi në kreun e tabelës edhe për faktin se nuk kemi luajtur asnjë ndeshje në fushën tonë. Rezultatet e Pogradecit flasin qartë, pasi ne kemi marrë fitore edhe jashtë fushe,” - tha mes të tjerash Klejdi Larti, një lojtar me përvojë, i cili do t’u bëjë punë pogradecarëve për ndeshjet e mbetura të këtij sezoni.

Ndeshjet tona “kapriçioze” dhe krenaria për blofet në Superligë

Një nga sukseset që trumbetohet me të madhe, në prag të zgjedhjeve, nga shefat në FSHF, është edhe “befasia” e rezultateve të kampionatit. Semafori i prishur paraqitet si një rivalitet impresionues dhe përmbysjet e ndeshjeve nga java në javë si një “revolucion” i viteve të fundit. Të gjithë kanë frikë të thonë se ndeshjet tona, së fundi, nuk kanë një vijimësi logjike edhe për meritë të basteve, që vihen mbi to. Por jo, nuk duhet të flasim për futbollin shqiptar dhe bastet, sepse edhe vetë UEFA, nga hetimet e saj, duket se është bërë pishman! Kjo java e fundit është tipike për të gjykuar mbi ndeshjet “kapriçioze” të futbollit tonë të Superligës. Më së fundi, Vllaznia mundi të marrë 3 pikë, por jo në Shkodër, as edhe me një kundërshtar të zakonshëm. Ka mundur Tiranën, që një javë më parë fitoi në Durrës, edhe me 10 veta. Le të mos kujtojmë edhe ndeshjen derbi me Dinamon, kur kampionët, që me një futbollist më pak tregonin më shumë lojë se kryesuesit. Ndërsa shkodranët, që u mundën në “Loro Boriçi” nga Laçi dhe të gjithë të keqen e shkarkuan tek arbitri Tahullai, besojnë se “magjia e zezë” për ta ka marrë fund. Akoma më kuptimplotë shembulli i Besës së presidentit Bizhdili, që para ndeshjes me vlonjatët ironizonte me epitetin “cubi i Vlorës” dhe pas ndeshjes, kur pëson tre gola, është gati t’ua faturojë humbjen “cubave” që drejtojnë arbitrat. Besa, që ishte shfaqur racionale në Fier dhe e aftë për të nxjerrë në dritë edhe të sapofuturit Shkëmbi e Sinani, në Vlorë u shfaq papritur një ekip pa ide, me vetëkontroll të humbur, sa nuk kufizonte turpin në rezultat e në lojë. Ata që fitojnë tregojnë me krenari “skemat” gjatë 90 minutave dhe harrojnë çfarë ka ndodhur një javë më parë. Të humburit, sipas ritualit, fillojnë bilardon, ku kritika ndaj arbitrit është alibia për të fshehur të vërtetën. Jo më kot, edhe në seminarin e fundit të arbitrave, u theksua edhe njëherë se futbolli është bërë ritmik dhe “i pabindur”, aq sa nuk ka më fushë brenda dhe fushë jashtë. Do të ishte më e udhës që në seminar, ku ishte edhe njeriu i UEFA‑s, greku Vasaras, të pranohej se arbitrat kanë kontribuar më shumë se trajnerët për përmbysjet e rezultateve. Ndaj edhe dënimet për “xhaketat e zeza” nuk shpallen, por zbatohen me stilin “silenciator”. Që do të thotë se do të rilëshohen prapë në betejën e “gabimeve njerëzore”, atëherë kur të duan shefat. Kështu, Jareci përjeton një pozitë ekstreme: një herë i dënuar disa javë dhe njëherë si “bilbili blic”, që gjykon dy ditë me radhë. Por duhet të presim akoma, se do të ketë edhe të papritura të tjera. Kemi kaluar 20 javët e para të një udhëtimi, që për fatin e keq do të ndërlikohet edhe nga Asambleja Zgjedhore, ku njerëzit e futbollit “vriten” dhe puthen për të ndarë llokmat e topit.