18 shkurt 2010

Kasano: Futbollistët luajnë për parà

Fantazisti barez, i ftuar në “Sanremo”, ka folur për shumë tema futbollistike
Ka qenë një Antonio Kasano elegant ai që ka folur nga skena e teatrit “Ariston”. I ftuar nderi i natës së parë të festivalit të “Sanremos”, talenti nga Bari ka folur për tema të ndryshme futbollistike. Nuk mund të mungonte edhe një koment për Marçelo Lipin, që tashmë ka vendosur të mos e marrë në Afrikën e Jugut: “Trajnerit të kombëtares do të doja t’i dedikoja këngën “Merr një pilulë”, - ka thënë me ironi Kasano..
- Trajnerët thonë se jam i aftë dhe se do të më merrnin. Të gjithë më duan, por askush nuk më merr. Ndoshta kanë frikë. Por, unë jam i aftë dhe i qetë, jam një djalë i mbarë… As që e mbaj mend herën e fundit kur kam luajtur me Italinë, më duket sikur kanë kaluar 20 vite. Unë jam i dashuruar me vendin tim dhe dua të luaj me kombëtaren.
Edhe pse nuk do të shkoj në botëror, gjithsesi do të mbështes Italinë”. Fjalë asnjëherë banale ato që vijnë nga sulmuesi i Sampdorias, edhe në lidhje me gabimet e shumta që ka bërë gjatë karrierës së tij: “Hedhja e bluzës në fytyrën e arbitrit ka qenë një veprim që nuk do ta përsërisja. Nuk kam bërë shumë budallallëqe, ky ka qenë më i rëndi, - ka shtuar Kasano. - Kam jetuar 17 vjet si fatkeq dhe 10-të si miliarder, më mungojnë edhe 7 për të barazuar llogaritë. Goli ndaj Interit? Kam qenë pothuajse 17 vjeç. Më ka ndryshuar jetën, më ka transformuar në një futbollist të rëndësishëm dhe një djalosh të pasur. E vërteta është se ata që luajnë futboll e bëjnë për para.
Dhe ai gol ka bërë që unë të fitoj shumë të tilla”. Ka qenë e pritshme batuta në lidhje me gruan e tij të ardhshme. “Eshtë jeta ime”, të cilës do t’i pëlqente t’i dedikonte këngën e Xhovanotit “A te”, ndërsa mamasë “Mos më thuaj kurrë” të Xhixhi D’Alesios, këngëtari i tij i preferuar. Fakt interesant ka qenë se Kasano nuk është ndier aspak në siklet në një skenë aq të rëndësishme si ajo e “Aristonit”, prej ku i ka lëshuar edhe disa thumbime kolegëve të tij: “Ka hipokrizi, - ka thënë ai. - Kush luan futboll e bën këtë edhe për paratë”.