18 shkurt 2010

Juvja në “sulm”, nga Pacini te Suarez

Bardhezinjtë evidentojnë pesë emra për repartin ofensiv. Përveç italianëve, pëlqehet edhe Dzeko
Edhe pse Amauri më në fund u zhbllokua dhe Trezegeja me Iakuintën janë gati të rikthehen pas dëmtimeve respektive fizike, Juventusi është në “gjueti” të një sulmuesi të fortë fizikisht për sezonin e ardhshëm. Sulmuesit, që ndodhen aktualisht në organikë, kanë nisur të ndiejnë peshën e moshës dhe është e nevojshme të rinohet ky repart.

Me Del Pieron 35 vjeç, Trezegenë 32, Iakuintën me Amaurin thuajse nga 30, merkato e verës që vjen do të sjellë me siguri një sulmues në Torino për sezonin e ri. Emri më i nxehtë është gjithnjë ai i Xhiampaolo Pacinit, një qendërsulmues i shkëlqyer me kokë dhe këmbë, i cili është duke u paraqitur shumë mirë me fanellën e Sampdorias. Këtë e tregojnë më së miri edhe 13 golat që ka shënuar deri tani me blukaltrit.

Në Gjermani ndiqet me vëmendje të madhe boshnjaku Edin Dzeko, për të cilin këmbëngul fort edhe Milani. Duke u kthyer në Itali, nuk është ftohur asnjëherë pista, që të çon te Roberto Akuafreska (kaloi në merkatën e janarit nga Atalanta te Xhenoa), ndërsa duket shumë e vështirë të arrihet tek dy qendërsulmues që po paraqiten shumë mirë në ishujt ku luajnë: palermitani Edison Kavani dhe kaljaritani Alesandro Matri.

Uruguajani ka shënuar deri tani 7 gola me siçilianët, ndërsa sulmuesi sard 10. Një “bomber” tek i cili mund të besohet në të ardhmen është edhe uruguajani tjetër Luis Suarez, “xhevahiri” i Ajaksit me të cilin Juventusi do të luajë sot në mbrëmje për ndeshjen e parë të 1/16-ve në Ligën e Europës. Sulmuesi i skuadrës holandeze nuk e përjashton një të ardhme të tij larg Holandës: “Për momentin jam mirë këtu dhe nuk e mendoj atë që do të ndodhë, - thotë Suarez.

- Por asnjëherë nuk i dihet. Që të jem i sinqertë, për momentin kampionati më tërheqës është Premier Liga, por edhe Seria A është shumë interesante. Një sfidë e bukur sigurisht, por tani duhet të përqendrohem tek Ajaksi. Juven e mendoj, por si kundërshtare. Del Piero? Është një lojtar fantastik, është simboli i Juventusit dhe i futbollit italian.

Ka vendosur shumë ndeshje. Ka shumë cilësi. Përfaqëson me jetëgjatësinë e tij në fushë, një shembull dhe jam i kënaqur që do të mund të luaj kundër një miti si ai nesër (sot). E respektoj shumë”. Pra, pesë emra për sulmin e ardhshëm të Juventusit, njëri mes Pacinit, Dzekos, Kavanit, Matrit e Suarezit, duhet të vishet bardhezi.

Në skuadrën e Ajaksit luan një tjetër i ri që u pëlqen shumë drejtuesve bardhezinj. Bëhet fjalë për mbrojtësin e fuqishëm Gregori Van del Viel, i cili u vlerësua që në 14 nëntorin e shkuar në miqësoren e Peskarës mes Italisë dhe Holandës.