18 shkurt 2010

Ky Real, ende larg prestigjit ndërkombëtar!

Të mërkurën në mbrëmje, në “Stade Gerland”, në Lion, Reali i Madridit ka luajtur më shumë se një lojë futbolli. Skuadra madrilene, e mbushur me yjet më të mira të kësaj loje në botë, ka konsumuar më shumë se gjysmën e nokautit në raundin e radhës së “Champions League”. Shfaqjet e fundit të Realit të Madridit në ndeshjet e “La Liga”-s kishin ushqyer optimizmin e tifozëve. Por nuk mund të justifikojë në asnjë mënyrë investimin prej 250 milionë eurosh, që presidenti Perez ka bërë në ekip verën e vitit të kaluar. Të gjithë presin nga ky Real, jo vetëm t’i bëjë hije Barcelonës në kampionatin spanjoll, si deri më tani, por shumë herë më tepër, pasi ky ekip është ndërtuar me një objektiv të qartë, të rimarrë prestigjin në Europë, me një kryetakim në horizont: finalen e Ligës së Kampioneve. Pikërisht ky objektiv është vënë në rrezik, natën e fundit, kundër Olimpikut të Lionit. Nëse ky anth yni është i justifikueshëm apo jo, këtë do ta tregojë ndeshja e kthimit në Madrid. Deri atëherë jemi në pritje. Mendoj se nuk përbën ndonjë vështirësi të skajshme rikuperimi i golit të shënuar nga Makoun, aq më tepër në kthim, në stadiumin “Santiago Bernabéu”, por pakënaqësia e çdo tifozi shkon përtej rezultatit në “Stade Gerland”. Fjalët e Valdanos janë shumë të përkryera në këtë drejtim: “Ne e mbyllëm ndeshjen e parë me Lionin me një rezultat të keq, por edhe me një ndjenjë të keqe.” Duket qartë se drejtuesit e Realit të Madridit ëndërrojnë akoma, sepse nuk e kanë realisht, një ekip të aftë për të imponuar stilin e tij në çdo fushë, ndërsa trajneri është i vendosur ta revolucionarizojë lojën e “galaktikëve” në varësi të kundërshtarit. Pelegrini tentoi maksimum parmbrëmë, por nëse diçka nuk shkon mirë, s’duhet akuzuar vetëm trajneri. Trajneri kilien kishte krijuar një bllok në mesfushë, me një “operativ” të përkryer, si Diarra, por nuk kishte bërë asgjë në drejtim të ritmit të lojës. Nëse ai u përkujdes shumë për të prishur (shkatërruar) lojën e vendasve, kjo tregon se e kishte frikë Olimpikun e Lionit. Dhe kur mendon kështu trajneri, nuk mund të prisnim gjë tjetër, veçse sulmi madrilen të ishte në një ditë të keqe. Të dyja supozimet të çojnë në konkluzionin se, gjashtë muaj më vonë, pas ardhjes në krye të Realit të Madridit, inxhinieri Perez nuk ka asnjë plan të qartë. Ndoshta ka ende kohë për ta vërtetuar më mirë këtë gjë. 90 minutat e kthimit në “Bernabeu” mund të jenë të mjaftueshme për “galaktikët”, për ta kapërcyer këtë rezultat dhe për të marrë frymë lirisht pas një mallkimi të gjatë në ndeshjet me Lionin. Por ky nuk mund të jetë qëllimi i Realit të Madridit. Qëllimi primar ka të bëjë me fitimin e prestigjit ndërkombëtar në Europë. Me çka pamë në garën e fundit, skuadra e Perezit është larg nga përparimi i kërkuar, madje bëri një hap prapa në këtë drejtim. Një hap të madh, do të shtoja.