19 shkurt 2010

Barça dhe Real, “humbjet” që djegin!

Katalanasit e Guardiolës janë mundur nga Atletiko, ndërsa “merengesit” dështuan në Champions
Barcelona dhe Reali i Madridit do të kërkojnë të rikthehen tek fitorja në kampionat pas humbjeve të pësuara. Barça gjithashtu do të shpresojë të mos humbasë lojtarët të tjerë për shkak dëmtimesh kur të përballet ditën e nesërme me skuadrën e Stantaderit, pasi mesfushorët Ksavi Hernandez dhe Seidu Keita janë dëmtuar në ndeshjen e fundjavës së kaluar të humbur 2-1 kundër Atletikos së Madridit, që ka qenë edhe humbja e parë e katalanasve në kampionat për këtë sezon.
Në pritje të transfertës së mesjavës së ardhshme në Champions kundër Shtutgartit, kryesuesit e Primera Divizion nuk mund t’i lejojnë vetes të humbin lojtarë të tjerë para ndeshjes numër 100 të Pep Guardiolës si trajner i kampionëve të Europës në fuqi. “Kanë qenë të shumtë njerëz që donin që ne të humbisnim ndeshjen tonë të parë në kampionat dhe tani ata shpresojnë që ne të kemi dyshime”, ka thënë mbrojtësi Xherard Pike.
“Brenda skuadrës nuk ka asnjë dyshim”. Me Barcelonën jashtë Kupës së Mbretit, pakësimi i numrit të takimeve ndoshta mund të ketë qenë një gjë negative për një klub që është mësuar të luajë dy herë në javë, ka bërë të ditur mesfushori Serxhio Buskets.
“Ka dëmtime që kanë një shpjegim dhe të tjerë që thjesht ndodhin”, ka thënë Buskets. “Ne preferojmë të luajmë çdo dy ose tri ditë”. Edhe pse forma e Barcelonës kohët e fundit nuk ka qenë shumë e mirë, me sulmuesin Ibrahimoviç që ka shënuar vetëm një gol në shtatë takimet e fundit, skuadra e Santanderit ka fituar vetëm dy herë në “Kamp Nou” në 41 ndeshjet e zhvilluara këtu.
Dhe fitorja mungon që nga sezonin 1982-83. Ndërkohë, Reali, që ndodhet vetëm dy pikë larg rivalëve katalanas, do të luajë të dielën në “Bernabeu” kundër Vilarealit. Deri tani madrilenët kanë humbur vetëm një nga 15 takimet e zhvilluara në fushën e tyre, atë kundër Milanit në Champions Ligë. Por humbja 1-0 e pësuar të martën në mbrëmje kundër Lionit ka ngritur sërish pikëpyetje lidhur me forcën e skuadrës. Reali ka premtuar se do të fitonte kundër Liverpulit vitin e kaluar, por është eliminuar nga Champions Liga në çrekfinale për vitin e pestë rradhazi.
“E vërteta është se ne nuk prisnim që të humbisnim ndeshjen”, ka thënë portieri Iker Kasiljas. Dy blerjet më të shtrenjta të sezonit Kristiano Ronaldo dhe Kakà janë kritikuar shumë për paraqitjen zhgënjyese, që kanë treguar kundër francezëve, ndërsa trajneri Manuel Pelegrini mund të mirëpresë rikthimin e mesfushorit Rafel Van der Vart, sepse Guti ka disa shqetësime fizike. “Pelegrini na ka thënë të qëndrojmë të qetë dhe të përqendrohemi tek ndeshja e kampionatit”, ka thënë mbrojtësi Garai. Ndërsa, Vilareali nuk do të ketë në dispozicion mbrojtësit Rodrigez dhe Godin.
Jaja Ture dhe Dmitro Çigrinski janë rikthyer të stërviten normalisht për Barcelonën mëngjesin e djeshëm, ndërsa të dy lojtarët duket se kanë rekuperuar plotësisht nga dëmtimet respektive. Ky lajm vjen pikërisht në momentin e duhur për katalanasit, të cilët këtë javë kanë patur shumë probleme me mungesat, që në një moment të caktuar nuk kanë patur në dispozicon njëkohësisht për shkak dëmtimesh, Çigrinskin, Turenë, Erik Abidal, Dani Alvesh, Ksavi Hernandez dhe Seidu Keita.
Mbrojtësi i Barcelonës, Xherard Pike, ka përgënjeshtruar zërat që flasin për një rënie të përqëndrimit të katalanasve pas dëmtimeve të shumta që kanë shkaktuar edhe humbjen e parë në kampionat në këtë sezon, fundjavën e kaluar. Pavarësisht humbjes kundër Atletikos së Madridit, Pike ka këmbëngulur se morali skuadrës është shumë i lartë dhe se “jemi të bindur se do të fitojmë të shtunën. Lojtarët e dëmtuar po rekuperojnë dhe shpresojmë që të gjithë të dëmtuarit të kthehen brenda pak javëve”, ka thënë Pike.