19 shkurt 2010

Kampionati Shqiptar i Futbollit ne GrandeJuve

Dinamo e sotme, sunduese e dekadës së fundit

Askush si blutë në 10 kampionatet e fundit s’ka arritur +15 pikë në 21 javë kampionat

Renditja e javës së 21-të në dekadën e fundit
2000-2001: Vllaznia 43, Tirana 41 (+2)
2001-2002: Dinamo 52, Tirana 49 (+3)
2002-2003: Tirana 51, Vllaznia 39 (+12)
2003-2004: Tirana 47, Partizani 42 (+5)
2004-2005: Tirana 53, Elbasani 46 (+7)
2005-2006: Elbasani 44, Partizani 40 (+4)
2006-2007: Tirana 46, Teuta 38 (+8)
2007-2008: Dinamo 42, Partizani 39 (+3)
2008-2009: Vllaznia 41, Tirana 40 (+1)
2009-2010: Dinamo 54, Besa 39 (+15)

Skuadra e Dinamos ka vazhduar dje përgatitjet për ndeshjen e javës së 22-të. Përballë do të jetë Apolonia, e cila në ndeshjen e fazës së parë i ka krijuar jo pak probleme në “Qemal Stafa” skuadrës së Shkëlqim Muçës. Do të mungojë Elis Bakaj, si pasojë e plotësimit në 3 të kartonëve të verdhë në sfidën e fundit ndaj Besës, por Dinamo ka një organikë të plotë.
Përpara ndeshjes me verdhezinjtë, dinamovitët, edhe pse nën zë deklaruan se luajnë për rekorde këtë sezon, distanca +15 pikë nga ndjekësi më i afërt është tepër e frikshme, ku vetëm pas javës së 21, kur duhen edhe 12-të të tjera për të mbyllur kampionatin e 71-të kombëtar, blutë janë “arratisur” dhe duken përpara kohe kampionët e rinj të Shqipërisë. Askush sa dinamovitët nuk e ka arritur diçka të tillë në 10 kampionatet e fundit për një afat 21-javor.
Duke e filluar “skanimin” e statistikave nga sezoni 2000-2001, deri më sezonin aktual 2009-2010, kur blutë janë +15 pikë të shkëputur nga Besa, distanca nga vendi i parë në të dytë gjatë javës së 21-të të 10-të kampionateve të fundit s’ka qenë kurrë kaq e madhe. Këto shifra të dhëna tepër dominuese, të cilat mund të mbyllin të gjitha “gojët e liga”, që deri tani kanë “përshpëritur” kundër Dinamos. Një shifre të tillë i është afruar skuadra e Tiranës gjatë sezonit 2002-2003, duke qenë në javën e 21-të e shkëputur +12 (Tirana 51, Vllaznia 39) nga Vllaznia e Shkodrës.
Ky rekord më vete duket se tashmë është mposhtur nga dinamovitët. Por blutë kërkojnë një tjetër rekord me anë të Kupës së Shqipërisë, ka më tepër se 10 vite që në Shqipëri një skuadër nuk bën “bis”, që nga sezoni 1998-1999, ku Tirana arrinte t’i fitonte dy trofetë brenda një aktiviteti futbollistik. Bardheblutë asokohe kanë fituar titullin kampion dhe më pas edhe Kupën e Shqipërisë. Të shohim nëse Dinamo do ta realizojë edhe këtë arritje, por përpara është Shkumbini i Peqinit, një ekip për t’u vlerësuar gjatë këtij sezoni futbollistik.

Sefa: Me këtë ritëm deri në fund

Pas javës së 22-të të superligës, skuadra e Dinamos vazhdon kryesimin e shkëputur. Blutë, tashmë me një diferencë prej 15 pikësh nga vendi i dytë, kanë filluar të mendojnë për ndeshjen e kësaj fundjave, me Apoloninë. Sulmuesi lushnjar i bluve, Fatjon Sefa, në lidhje me përballjen e radhës, shprehet: “Pas fitores me Besën ne kemi filluar të mendojmë për ndeshjen e radhës, transfertën me Apoloninë. Pavarësisht objektivave të kundërshtarit ne do të shkojmë në Fier për të marrë maksimumin, pavarësisht se diferenca me Besën, që është edhe ndjekësja jonë më e afërt është 15 pikë.
Deri në fund të garës ne do të mbajmë këtë ritëm,” - pohoi fillimisht Fatjon Sefa. Pavarësisht se u aktivizua në pjesën e dytë në përballjen e luajtur me verdhezinjtë në “Qemal Stafa”, ai nuk kërkon që të bëjë replikë, por tregohet profesionist, duke thënë: “Dëshira ime, ashtu si e çdo futbollisti, është që në çdo sfidë të luaj titullar, mirëpo kjo nuk varet vetëm nga unë, edhe pse, gjithnjë sa herë jam aktivizuar, kam dhënë maksimumin. Pavarësisht se kam shënuar 9 gola deri më tani, besoj se deri në fund të garës do të shënoj akoma më tepër, në kampionat dhe kupë, sepse Dinamo është një skuadër që ta jep këtë luks.”

Martini: Vllaznia s’kthehet pa pikë nga Erseka

Trajneri Edi Martini shpreson te një tjetër rezultat pozitiv, pas tri të tillave rresht
Ndeshja e radhës për shkodranët konsiderohet jo pak e vështirë, por megjithatë ata janë të vendosur për të bërë më të mirën në këtë takim. Kuptohet, pikësynimi kryesor do të jetë moskthimi nga Erseka pa pikë. Këtë e pranon edhe vetë trajneri Edi Martini, që duke folur për “Sportin shqiptar”, ka thënë: “E vlerësojmë maksimalisht këtë ndeshje dhe, pavarësisht se luajmë ndaj një ekipi që ndodhet poshtë nesh në renditje, e dimë që do ta kemi shumë të vështirë. Gramozi e konsideron me të drejtë ndeshje jetike, por ndërkohë ne nuk mund të heqim dorë kollaj nga pretendimet tona.
Të mos harrojmë se edhe ne nuk jemi në pozita shumë komode në renditje, prandaj do të kërkojmë të marrim pikë në këtë ndeshje. Jemi përgatitur për këtë gjë dhe jam shumë i bindur se nuk kthehemi duarbosh nga Erseka.” Kuqeblutë kanë lënë dje në drekë Shkodrën dhe kanë marrë rrugën drejt Pogradecit, ku kanë kaluar natën e mbrëmshme dhe do të zhvillojnë aty edhe një seancë stërvitore sot, para se të nisen për në Ersekë. Para nisjes është parë një optimizëm te të gjithë futbollistët dhe stafi drejtues.
Me përjashtim të Krajës dhe Nallbanit, që nuk do të luajnë për arsye kartonësh, të gjithë futbollistët e tjerë do të jenë të gatshëm për këtë ndeshje. Kjo gjë e ka ngrohur disi trajnerin Martini, që duke folur në lidhje me lojtarët që do ketë në dispozicion këtë takim, thekson: “Na mungojnë Kraja e Nallbani dhe na krijohen pak probleme në mbrojtje dhe mesfushë, por do të rregullojmë diçka për të bërë që të mos ndihen këto mungesa.
E rëndësishme është që nuk kemi futbollistë të tjerë me probleme dhe kësisoj jam i bindur se ata që kanë për të luajtur në fushë, do ta justifikojnë besimin tim.” Vllaznia, në dy ndeshjet e fundit jashtë, ka luajtur me një sulmues, por duket se këtë herë nuk do të jetë kështu. Mbase prish jo pak punë edhe mungesa e Nallbanit në qendër të mesfushës, megjithatë asgjë nuk duket e vendosur në këtë drejtim.
Ndoshta do të luhet me Balën e Haxhibuliçin, ndoshta edhe me vetëm njërin prej tyre. Kjo do të vendoset vetëm në momentet e fundit para ndeshjes nga ana e stafit drejtues. Trajneri Martini nuk parapëlqen të flasë në lidhje me këtë gjë, por në fund përsërit të njëjtin objektiv që ka për këtë 90-minutësh, teksa thotë:
“Do ta vendosim pasi ta mendojmë mirë se me cilën mënyrë loje mund të shkojmë te suksesi. E rëndësishme është të mos kthehemi pa pikë nga kjo përballje me Gramozin. Po kalojmë së fundi një moment të mirë me tri rezultate pozitive radhazi dhe nuk ka pse të mos kërkojmë edhe një të katërt. Mundësitë i kemi për ta synuar këtë dhe për t’u ngjitur edhe më lart në renditje.”

Bala konfirmohet edhe me kombëtaren

Përveçse është shënuesi më i mirë i sezonit, me 13 gola, sulmuesi i Vllaznisë, Bekim Bala, konfirmoi momentin e tij të mirë edhe me kombëtaren B, në miqësoren që ajo zhvilloi ditën e mërkurë në Prishtinë ndaj kombëtares kosovare. 19-vjeçari shkodran ka shënuar në fund të takimit golin e tretë dhe të fitores për kuqezinjtë tanë.
Kjo tregon edhe një herë tjetër se ai e ka në gjak golin. Paraqitja e tij këtë sezon është mbresëlënëse dhe, për këtë arsye, po evidentohet si një futbollist me shumë të ardhme edhe në ekipin tonë kombëtar. Te Vllaznia ndërkohë është angazhuar maksimalisht për të bërë më të mirën dhe në shumë raste ka qenë tepër vendimtar me golat që ka shënuar.

Lena: Flamurtari nuk e meriton këtë vend

Shqiptaro-maqedonasi Njazi Lena është përshtatur shpejt në Vlorë dhe kërkon të kontribuojë për shpëtimin
Shqiptaro maqedonasi Njazi Lena është një nga lojtarët e afruar vetëm në fund të merkatos pranë ekipit vlonjat, ndërkohë që në debutimin e tij arriti edhe të realizonte. Kujtojmë golin përballë ekipit të Besës. Lena është 23 vjeç dhe është aktivizuar me disa ekipe, më të fundit ekipin Makedonia, por kureshtja dhe dëshira për të luajtur në kampionatin shqiptar, bëri që ky fundit të pranonte ofertën e Flamurtarit, me dëshirën pse jo të vijojë të jetë pjesë e ekipit vlonjat edhe për sezonin e ardhshëm. Ja çfarë thotë ai në intervistën e tij:
- Cili ka qenë kontakti juaj me Vlorën? Mendonit të ishit pjesë e ekipit të Flamurtarit?
- Personalisht kontaktet me Shqipërinë kanë qenë vetëm për pushime. Ndërsa në qytetin e Vlorës kam ardhur për herë të parë në vitin 2003. Kampionatin shqiptar kam arritur ta ndjek nëpërmjet ekranit dhe natyrisht të jesh pjesë e Flamurtarit është një kënaqësi për mua. E njoh historinë e këtij klubi dhe tashmë më jepet një mundësi shumë e madhe që të jem pjesë e tij.
Cili është mendimi yt tashmë pas rreth një muaji?
- Mendoj se ekipi ka besim në vetvete. Me një tifozëri që nuk e kanë të gjitha ekipet në Shqipëri, që dinë ta përkrahin ekipin e tyre në mënyrë perfekte, ia vlen të sakrifikosh. Ajo që na shqetëson është tashmë vetëm pozita në tabelën e klasifikimit, situatë që mendoj se do ta kalojmë shumë shpejt.
- Çfarë ka ndierë Lena në momentin e shënimit të golit tuaj të parë me Flamurtarin?
- Të them të drejtën, goli është një motiv më shumë për çdo lojtar. Natyrisht, unë zbres në fushën e lojës të jap më ë mirën time dhe, pse jo, edhe të realizoj, kur më jepet mundësia. Goli ndaj Besës ishte i veçantë, pasi ishte vetëm aktivizimi im i parë. Megjithatë, do të jepja golin që mund të shënoja në çdo ndeshje me tri pikë.
- Si e shikoni të ardhmen e flamurtarit?
- Me Flamurtarin kam lidhur një kontratë deri në fund të këtij sezoni dhe, nëse klubi është i kënaqur nga angazhimi im, mund të vazhdoj edhe sezonin e ardhshëm. Dëshira ime kjo është, por fillimisht të realizojmë shpëtimin. Vitin e ardhshëm do të jetë një Flamurtar ndryshe. Për vetë historinë që ka klub, nuk i takon vendi aktual në renditjen e superligës.
- Po marrëdhëniet në kampin kuqezi?
- Marrëdhënie shumë të mira. E vlerësoj trajnerin Magani për atë çfarë përcjell në stërvitje, ndërkohë që diçka të tillë e kërkon edhe në fushën e lojës. Me lojtarët fatmirësisht jam ndierë mirë, kjo edhe se flas shqip, gjë që nuk e kisha mundësi në ekipet maqedonase, ku jam aktivizuar deri para mbërritjes te Flamurtari. Më pëlqen atmosfera.
- Ndeshjen e radhës e keni me Kastriotin në Vlorë…?
Fitorja është alternativa jona e vetme në këtë ndeshje. Nuk na lejohet asnjë hap fals, duke parë edhe renditjen. Eshtë një ndeshje e vështirë pa dyshim, por edhe kundërshtarin e kemi vlerësuar maksimalisht. Ne do të kërkojmë vetëm fitoren dhe me përkrahjen e sportdashësve, do t’ia arrijmë qëllimit.

Ndreu: Nuk kemi ç’të humbasim në Vlorë

Skuadra krutane do të udhëtojë drejt qytetit të Vlorës pa mesfushorin e saj, Erald Turdiun, pasi ka tre kartonë të verdhë. Duke u nisur nga kjo mungesë, drejtuesit krutanë janë të detyruar të bëjnë ndonjë spostim taktik. Sipas trajnerit Ndreu, ka të ngjarë që sulmuesi Abazaj mund të luajë më i tërhequr, por ende nuk është vendosur. Transferta e Vlorës konsiderohet e rëndësishme për skuadrën krutane, ku nuk lejohet humbja. “Duhet të jemi koshientë që përpara kemi një ndeshje të fortë. Eshtë normale, sepse secili pretendon të marrë maksimumin e pikëve.
Ne do të bëjmë detyrën, që në Vlorë të zhvillojmë një futboll të kënaqshëm dhe të marrim rezultatin pozitiv. Çdo gjë është e mundur, pasi skuadra jonë përbëhet me futbollistë cilësorë, që dinë të jenë të suksesshëm edhe në transfertë. Mendoj se barazimi me Apoloninë ishte thjesht aksidental, asgjë më tepër. Të jeni të sigurt se do të shpalosim të njëjtin futboll që kemi prezantuar deri më tani,” - do të shprehej trajneri krutan, Ramazan Ndreu.

Korçarët besojnë shumë te “mbijetesa”

Te Skënderbeu stërviten rreth 35 futbollistë, por një pjesë do të largohen pas ardhjes së Zeqos
Vetëm dje në stërvitjen e pasdites skuadra korçare ka mundur të dalë në fushë, duke kryer edhe stërvitjen e parë, pas shumë kohësh mbyllur vetëm në kalçeto. Skënderbeu dje i është drejtuar fushës sportive të fshatit Rëmbec, atje ku duhet thënë se kushtet kanë qenë më të mira se në asnjë vend tjetër dhe në këtë mënyrë Mirel Josa ka arritur të shikojë nga afër edhe afrimet e fundit në skuadër.
Madje në këtë stërvitje të djeshme është zhvilluar edhe një ndeshje kontrolli, e cila ka bërë të mundur që pak a shumë njëshi i pankinës korçare të krijojë idenë për ata lojtarë që do të hedhë në fushë në ndeshjen e radhës.
Në fakt, u lajmërua që ndeshja me Shkumbinin do të luhej ditën e sotme, pra të premte, por gjithçka është shtyrë për të dielën dhe Skënderbeu do të thotë që ka më shumë ditë në dispozicion për t’u stërvitur për takimin e kësaj jave. Po ashtu, pas këtij takimi, të enjten e ardhshme do të luhet edhe ndeshja e prapambetur me Teutën dhe kjo do të thotë që brenda katër ditësh kuqebardhët do të ndeshen dy herë në fushën e tyre.
Tashmë të gjitha repartet e Skënderbeut janë “blinduar”, por duke se reparti që tashmë ka më shumë futbollistë është sulmi. E themi këtë, pasi përveç Frashërit, Guerribit dhe Malindit, tashmë në repartin e sulmit është edhe një egjiptian, një serb dhe një boshnjak, të gjithë në “luftë” për dy vende në formacion.
Kjo do të thotë që Josa ka alternativa të shumta për të zgjedhur dhe të gjithë në Korçë duket se janë gati për të sfiduar Shkumbinin këtë të diel. “Më së fundi, kemi arritur të dalim në terren dhe kjo është më e rëndësishme, pasi kishim shumë nevojë që të zhvillonim stërvitje në fushë. Dëbora tashmë ka shkrirë dhe kemi edhe dy ditë të tjera kohë për t’u stërvitur deri të dielën.
Mund të them se gjendja e të gjithë futbollistëve është vërtet e mirë dhe të gjithë jemi më se optimistë se kemi për ta kaluar me sukses Shkumbinin këtë fundjavë. Kemi nevojë vetëm për pikë dhe në shtëpi nuk duhet të falim deri në fundin e kësaj superlige. Ndoshta këto dy ndeshje të radhës që ne do të luajmë në shtëpi do të flasin më shumë për Skënderbeun e fazës së tretë.
Unë kam besim se të dy këto takime do t’i kalojmë me sukses dhe, së pari, duhet të kalojmë Shkumbinin, që në fakt nuk është një ndeshje e lehtë. Ky Skënderbe që është ndërtuar tani e them me bindje se nuk e meriton të zbresë nga superliga dhe ne do të bëjmë ç’është e mundur që të qëndrojmë,” ka thënë ndihmësi i Josës, Renato Rrapo.

Ulen çmimet e biletave për tifozët

Nga 200 lekë që ka qenë çmimi i biletave për tifozët korçarë, duke filluar qysh ditën e diel, ky çmim do të jetë vetëm 100 lekë. Ky ka qenë vendimi më i fundit që ka marrë presidenca korçare, duke kërkuar që të afrojë sa më shumë sportdashës në shkallët e stadiumit “Skënderbeu”.

Federohen të huajt, gati për lojë

Përfundon çështja e lojtarëve të huaj te Skënderbeu, për sa u përket federimeve. Të gjithë lojtarëve tashmë u ka mbërritur kartoni në zyrat e federatës dhe qysh ditën e djeshme të huajt janë gati. Dje ka mbërritur kartoni për dy egjiptianët, serbin Stojanoviç dhe lojtarin boshnjak.

Besa Teuta, s’ka asnjë motiv për “paqe”

Pas humbjes me Dinamon, Besa është rikthyer në pozicionet që pati para kësaj sfide. Nëse deri para saj besohej e shpresohej se mund të kapeshin blutë, tashmë edhe më naivi e kupton se Dinamo është “arratisur”. Në këtë situatë, verdhezinjtë janë kthyer në “bazë”, aty ku edhe nisën sezonin. Por kthehemi te sfida e radhës, që Besa do ta luajë nesër ndaj Teutës.
Pavarësisht se publikisht nuk është thënë asnjëherë, do të ishte hipokrizi të mohonim marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy presidentëve e klubeve. Në vitet e fundit, sa herë njëri apo tjetri ekip ka pasur nevojë, kundërshtari nuk është “motivuar” aq sa duhet. Krejt ndryshe paraqitet situata në prag të taimit të nesërm.
Besa këtë sezon ka shpenzuar disa herë më shumë se Teuta dhe për rrjedhojë nuk mund ta mendojë sezonin pa trofe, ose aktualisht poshtë vendit të dytë. Besa ka të tjera objektiva e synime dhe kjo do të thoshte fitore ndaj Teutës. Diferenca me Tiranën, pse jo edhe Laçin, do të mjaftonin dy humbje të verdhezijnve që rivalët t’i bënin presion për vëndin e dytë. Ndaj Teutës verdhezinjtë nuk kanë arsye përse të kujtojnë “muajt e mjaltit” me durrsakët dhe për rrjedhojë të mos motivohen maksimalisht.

Delvina e fillon me hapin e duhur 2010-n

Fillimi i fazës së 2-të e gjeti ekipin e Delvinës mysafir në Poliçan, ku me një gjykim korrekt dhe para një publiku të kulturuar, fitoi 2 1, falë dygolëshit të Muhos. Pra, kjo fazë filloi më këmbë të mbarë për devinjotët, të cilët, pas një kohe të gjatë, thyen tabunë e transfertave.
Të shumta kanë qenë lojërat e bukura të Delvinës jashtë fushe, por here për mungesë fati dhe herë për gjykime të dobta, ajo është kthyer duarbosh. Tashmë ky ekip po korr frytet e një faze përgatitore cilësore dhe të detajuar, të drejtuar nga trajneri Guga dhe ndihmësi i tij, Janku. Ajo që bëri diferencën në ndeshjen e Poliçanit ishte përgatitja e kënaqshme fizike, që i ndihmoi delvinjotët ta përballonin me lehtësi ritmin e lojës në një terren shumë të rënduar.
Po ashtu, pozitive nës atë ndeshje ishte loja shumë e mirë e 17-vjeçarëve Myftari, Shenaj dhe A.Muçaj, të cilët i bënë të pandieshme mungesat e shumë titullarëve. Ata janë një garanci për brezin e ri, që po afirmohet në ekip.
Muho, golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar për grupin e jugut, dhe autori i dy golave në Poliçan, thotë: “Tashmë Delvina nuk ndalet. Me qetësi do të përgatisim ndeshje pas ndeshjeje, duke fituar pikë të plota 3 javët e para. Po kalojmë një formë të mirë dhe kemi harmoninë e duhur brenda ekipit. Publikun e zjarrtë delvinjot do ta kënaqim me lojëra cilësore dhe rezultate. Falënderojmë bashkine për përkrahjen, por duam që edhe biznesmenë të ndryshëm të afrohen pranë ekipit, pasi nuk do të zhgënjehen.”
Këtë javë Delvina pret fqinjët e Himarës. Ballafaqimet midis tyre gjithmonë kanë sjellë ndeshje të bukura dhe burrërore. Natyrisht që delvinjotët synojnë vetëm fitoren në këtë ndeshje.

Bejzade: Dy fitore rresht na bëjnë pretendentë

Për trajnerin Skerdi Bejzade, skuadra i ka mundësitë që të shtunën të mposhtë Adën
Partizani i trajnerit Skerdi Bejzade e pret me qetësi përballjen me Adën dhe pa dyshim fitorja është synimi i vetëm i të kuqve për këtë sfidë. Në intervistën e tij për “Sportin shqiptar” trajneri Bejzade tregon se s’ka shumë për t’u thënë lojtarëve, sepse ata e dinë mirë se çfarë duhet të bëjnë ndaj velipojakëve, që i kanë turpëruar në fazën e parë, ku kanë fituar thellë, 5-0.
- Para disa kohësh keni deklaruar se, kur të bëjmë dy fitore radhazi, jemi pretendentë realë. A është momenti që Partizani ta bëjë këtë?
- Mundësia është, pasi vijmë pas një fitore në transfertë me Sopotin dhe nesër presim Adën në fushën tonë. Ajo që kam thënë qëndron dhe kemi shanse ta realizojmë këtë javë, pasi luajmë para tifozëve tanë dhe nuk duam t’i zhgënjejmë. Nëse fitojmë me Adën, jemi pretendentë realë.
- Është hera e katërt që jeni përballë Adës. Cili është mendimi juaj për kundërshtarin, që në fazën e parë ju ka mundur 5-0?
- Ada është kundërshtare e fortë, me të cilën kemi luajtur për kampionat dhe kupë. Sfidën e fazës së parë e kemi humbur, pasi dihet problematika e atij takimi, ku gjithçka ishte një lëmsh që degjeneroi në lëshim. Ndërsa në kupë ishte histori tjetër, ku barazuam në Velipojë dhe me fitoren në Tiranë i eliminuam.
Futbolli i tillë është, ka edhe të papritura, ndaj ne jemi të mobilizuar për këtë ndeshje. Ada ka një grup simpatik, që nën drejtimin e trajnerit Krepi po punojnë bashkë prej vitesh. Pjesa më e madhe janë ish-lojtarë të Vllaznisë, të cilët i njoh që në kohën kur luaja në Shkodër.
- Çfarë u keni kërkuar lojtarëve për takimin e së shtunës?
- Fitorja është synimi i vetëm përë këtë takim, pasi po nuk bëmë dy fitore radhazi nuk mund të jemi pretendentë. Nuk kam çfarë t’u them lojtarëve edhe në analizë, pasi ata e dinë mirë qëllimin e këtij takimi. Futbollistët duhet të fitojnë për veten e tyre, për publikun, sepse ndaj Bylisit i zhgënjyëm. Po nuk fituam, mbetemi jashtë objektivave. Kjo që them nuk ka të bëjë me ndonjë presion të brendshëm.
Unë kam besim se çunat do ta marrin qetë dhe lojtarët me eksperiencë do të dinë t’i japin zgjidhje ndeshjes. Në rast fitoreje, jemi në rrugën e duhur, por përsëri kemi shumë për të bërë dhe duhet t’i marrim ndeshjet me radhë, pasi kampionati ka nisur në verë e jo pas merkatos së dimrit.
Sezonin e nisëm me shumë probleme, por fundi i fazës së parë mund të na gjente me më shumë pikë. Duke ditur financat dhe organikën që kishim, duhet t’i falënderojmë çunat për ato pikë që morëm në pjesën e parë.
- Në fazën e parë sulmi ka qenë pika më dobët, ndërsa së fundi ky repart po e tregon veten. E shikoni si shpresë këtë ndryshim?
- Edhe sulmi është pjesë e atyre mangësive që pati ekipi në fazën e parë, kur dihet se kishim lojtarë, që kanë luajtur mbi 10 takime dhe nuk shënuan. Duke e ditur nivelin e kategorisë së parë, nuk i falet një sulmuesi që në 10 takime nuk arrin të shënojë. Në fazën e dytë edhe pretendentët janë forcuar, por synimi i afërt është tripikëshi dhe shpresoj se sulmi do ta tregojë veten edhe në këtë sfidë dhe më pas të bëjmë llogaritë për më tej. Premisat janë që sulmi do ta tregojë veten.
“5-0, Partizani mundi veten”
Për trajnerin Bejzade, në fazën e parë Partiznai mundi veten 5-0, pasi këtë gjë nuk e kanë realizuar ekipe europiane, jo më ta realizonte Ada. “Takimi i radhës nuk ka lidhje me humbjen 5-0 në Velipojë, pasi me një rezultat të tillë Partizani nuk ka humbur edhe në përballjet europiane.
Besoj se edhe kundërshtari e di forcën e Partizanit, gjë të cilën e provuan edhe në kupë. Në sfidën e parë të kupës ne barazuam 0-0 në Velipojë dhe tifozët vendas e kuptuan se Partizani paska mundur veten 5-0. Të shtunën nuk bëhet fjalë për hakmarrje, por thjesht për të marrë tripikëshin,”- përfundoi trajneri Bejzade
- Edhe dje, të kuqtë janë përgatitur në ambientet e ish-klubit dhe mungesa e vetme ka qenë mesfushori i dëmtuar Qazim Buna.
- Të kuqtë kërkojnë nga tifozët që t’u japin edhe një shans, prandaj të shtunën kërkojnë përkrahjen e tyre në shkallët e stadiumit “Selman Stërmasi”.

Kryebashkiaku Miza: Luftëtari del i mundur

Fusha e stadiumit në Bilisht shpresohet të jetë gati për ndeshjen me Luftëtarin. Skuadra bilishtare ka bërë stërvitje në fushën sportive të fshatit Progër, ndërkohë që do të mungojnë ndaj Luftëtarit kapiteni Kotomelo dhe mesfushori Maçolli.
Kjo skuadër ka luajtur një nga tri ndeshjet e fazës së dytë dhe ka humbur terren në renditje, ndërsa drejtuesit e saj besojnë shumë për një fitore të radhës në shtëpi. Këtë e thotë edhe kryebashkiaku Valter Miza, i cili shprehet: “Me Luftëtarin do të jetë ndeshja e parë në fushën tonë dhe kam bindjen se do të fitojmë.
Në Bilisht mezi e presin këtë ndeshje, pasi deri tani kemi luajtur vetëm një herë në transfertë. Duke pasur parasysh edhe kalendarin e fazës së dytë, mendoj se Bilisht Sporti do të ngjitet disa shkallë në tabelën e klasifikimit. Luftëtarin e vlerësojmë, por vitet e fundit kemi fituar me të. Një hap pozitiv këtë të shtunë do ta karikonte më tepër skuadrën për javët e ardhshme. Bilisht Sporti na ka bindur të gjithëve se mund të shkojë larg.”

Lamaj: Mund të marrim rezultat në Bilisht

Edhe pse ndeshja Luftëtari-Memaliaj përfundoi “remí”, për të parin rezulton “mat”. Dhe kur kujton se në vazhdim do të luajë në transfertë me Partizanin, Bylisin, Adën dhe Elbasanin, duket se misioni i tij për këtë kampionat është mbyllur. Tani i mbetet të kërkojë një vend sa më të mirë në mesin e tabelës dhe të mendojë e punojë për “armatën” e sezonit 2010-2011. Për këtë, krahas të tjerave, duhen konsoliduar futbollistët vendas, si dhe blerjet e pashmangshme në futbollin e sotëm, pothuajse për çdo ekip, që duhet të mos stonojnë.
Ruzhdi Lamaj, përgatitësi i portierëve të Luftëtarit, “shkolla” gjirokastrite e të cilëve për dy dekadat e fundit po hesht, shprehet: “Në ballafaqimin me Memaliajn, krejt papritur, luajtëm në mënyrë amatoreske. Lojtarët tanë nuk arritën t’i zbatonin detyrat individuale dhe të grupit, kështu që barazimi ishte më shumë sesa meritonim. Ndeshja me Bilisht Sportin patjetër që është shumë më e vështirë, por them se Luftëtari, po të dalë në lojën e tij, mund të paraqitet denjësisht, madje të marrë edhe një rezultat të kënaqshëm.”

Tafaj s’replikon, por jo dakord me Dimrajn

Sipas drejtorit teknik Alban Tafaj, Tirana s’ka asnjë problem në përgatitje, por ka ngërç psikologjik
Pavarësisht asaj që ka deklaruar shefi i klubit të Tiranës, Rauf Dimraj, disa ditë më parë, por edhe herë të tjera, se lojtarët kanë mungesë të theksuar të përgatitjes fizike pas testeve që kishte bërë me ta, ne i morëm një prononcim ish-trajnerit Alban Tafaj.
Ky i fundit, tashmë në rolin e drejtorit teknik, i ka drejtuar bardheblutë në pjesën më të madhe të këtij sezoni dhe i di më mirë se kushdo anët pozitive dhe negative të tyre. Si zakonisht, edhe dje, Tafaj ka ndjekur stërvitjen në “Skënder Halili”, ndërsa ne i morëm një prononcim në lidhje me atë çfarë ka thënë Dimraj pak ditë më parë.
“I kam lexuar deklaratat që janë thënë nga shefi i klubit, Dimraj, madje të njëjtat gjëra i ka shprehur shpesh edhe kur ne bënim mbledhje apo analiza kur isha unë në krye të skuadrës. Megjithatë, mua më duken pa vend, sepse tashmë është kulmi i kampionatit dhe nuk është mirë që lojtarët të ngarkohen më shumë seç duhet fizikisht, sepse kjo ndikon drejtpërsëdrejti në ndeshjet, por edhe koha nuk është e mjaftueshme.
Unë kam një karrierë të gjatë si futbollist dhe kam pasur fatin e madh që gjatë periudhës që kam qenë pjesë e stafit të Tiranës, kjo skuadër të ketë pasur trajnerë të huaj me CV të pasur. Ndaj nga bisedat që kam pasur me ta, nuk është në kulturën e sportistëve që të japin më të mirën e tyre gjatë normave, aq më tepër në këtë moment. Sipas meje, ndodh që shpeshherë testet fizike nuk janë “reale”.
Unë nuk kam ndër mend që të bëj replikë në këtë moment me Dimrajn, por skuadra e Tiranës ka qenë shumë e përgatitur fizikisht të paktën. Madje pas fazës përgatitore, janë të ndërgjegjshëm për gjendjen e ekipit edhe ata mijëra tifozë që e kanë ndjekur në derbin me Dinamon direkt, por edhe nga ekrani.
Madje ekipi ka marrë nota pozitive edhe nga specialistë të njohur të topkëmbës shqiptare për atë që ka prodhuar në fushën e lojës. Tirana në këtë moment, më shumë se për përgatitje fizike, po vuan nga ana psikologjike. Unë po i qëndroj çdo ditë pranë skuadrës dhe fitorja më Laçin, jo vetëm që do të na rikthejë buzëqeshjen, por do të shërbejë edhe si një shtysë në vazhdën e sezonit,”- pohoi Alban Tafaj.

Pashaj: Laçi për t’u pasur frikë, por e kalojmë

Mbrojtësi Entonio Pashaj këtë sezon ka bërë një paraqitje mjaft të mirë, edhe pse vjet për shkak të dëmtimit ka qëndruar në pjesën më të madhe të sezonit në stol. Ishte trajneri kroat Ilija Lonçareviç që pikasi cilësitë e lojtarit dhe e aktivizoi në formacion për aq kohë sa ishte në krye të bardhebluve. Në prag të sfidës me Laçin, Pashaj deklaron: “Dihet që Laçi deri këtu ka ardhur me meritë dhe është për t’u pasur frikë, por jam i bindur se do ta kalojmë.
Nuk luhet më futboll me emra. Ekipet këtë sezon nuk kanë dhe aq shumë diferenca, pikët janë ato që vendosin në të shumtën e sfidave dhe cilësia që “prodhon” skuadra në fushë. Do të japim më të mirën për të marrë tri pikët dhe të sigurojmë vendin e 3-të. Nuk më duket edhe aq pozitive që kemi ndryshuar 3 trajnerë, por çdo lëvizje që bëhet brenda një ekipi është në të mirë të punës.
Nuk na ngelet gjë tjetër veçse çdo ndeshje deri në fund të garës ta vlerësojmë si finale”. Pashaj gjatë këtij sezoni ka luajtur mbrojtës i djathtë, në qendër por edhe si shkatërrues. Falë eksperiencës, siç pohon vetë, nuk e ka problem rolin ku luan, por jep më të mirën ku e cakton trajneri. “Nuk e kam problem të luaj kudo në mbrojtje dhe mesfushë e rëndësishme është që t’ia shpërblej trajnerit,”- citoi futbollisti i bardhebluve, Entonio Pashaj.

Lila & Lilaj, dy ditëlindje në një ditë

Pas seancës së djeshme stërvitore në “Skënder Halili”, ka pasur një atmosferë të ndezur, të shoqëruar me nota humori dhe batuta mes stafit dhe lojtarëve. Dy nga lojtarët e skuadrës së Tiranës, Andi Lila dhe Sabjen Lilaj, kanë festuar ditëlindjet me shokët e tyre të skuadrës. I pari mbushi 24 vjeç, ndërsa Lilaj 21, dhe kanë qerasur të gjithë me nga një Red Bull.
- Edhe dje, në seancën stërvitore të pasdites ka rënë në sy mungesa e mbrojtësit Tefik Osmani, ndërkohë që Lila, Muzaka, Bici dhe Sefa dje i janë bashkuar skuadrës.
- Ish-trajneri i Flamurtarit dhe i përfaqësueses U-19, Edmond Liçaj, dje ka vizituar bardheblutë, ku është takuar me patriotin e tij, Devi Muka.
- Të kushtëzuar nga shirat që kanë rënë ditët e fundit, kryeqytetasit vazhdojnë të bëjnë stërvitje në kalçeto, duke prishur edhe planet e stafit drejtues.