04 shkurt 2010

De Rosi: Titulli? Të presim dhe të shohim…

Kapiteni i së ardhmes beson se skuadra e tij ka një mundësi për të fituar kampionatin
Në Romë është një lojtar që arrin të ndajë me “hyjninë” Françesko Totin, adhurimin e tifozëve romanistë. Bëhet fjalë për Daniele de Rosin, mesfushor i lindur dhe i rritur pikërisht tek verdhekuqtë, një gladiator i vërtetë i skuadrës dhe shumë i dashur për publikun. 26-vjeçari flet për Romën dhe për kombëtaren e Italisë, pa harruar të ardhmen e tij, duke filluar nga kthesa që ka bërë skuadra, që tani ndodhet në vendin e dytë. “Nuk ishte e lehtë të parashikohej kjo ringritje.
Eshtë e pabesueshme, janë të shumtë faktorët që ndikuan pozitivisht: një pjekuri në aspektin e karakerit, qetësi, rezultate. Merita është e grupit. Skuadrat e tjera do të ishin përçarë, ndërsa ne qëndruam të bashkuar”, ka thënë De Rosi. Por, në lidhje me protestat e tifozëve, mesfushori verdhekuq ka qenë kritik. “Më parë kishte nga ata që protestonin për rezultatet dhe të tjerë që donin të ndryshonin imazhin e klubit. Ata që vërshëllejnë kundër koreve mund ta bënin edhe më parë, jo vetëm tani që po fitojmë.
Nëse më parë kam thënë se faji duhej ndarë në 33% midis klubit, lojtarëve dhe trajnerit, tani meritat duhen shpërndarë po në të njëjtën mënyrë, për këtë arsye edhe Rosela Sensi meriton të vlerësohet për punën e bërë”.
Titulli në kampionat ndoshta është një dëshirë shumë e madhe, por Roma është e detyruar ta mendojë këtë hipotezë: “Të presim të luhen edhe 6-7 ndeshje dhe më pas të shohim. Duhet akoma të zhvillojmë përballje direkte në fushën tonë dhe ne jemi në gjendje të mirë. Sigurisht, kjo vlen edhe për Interin, por mund të kushtëzohet nga takimet e Championsit. Renditja thotë se bashkë me Milanin, ne jemi anti-Interi”.
Më pas, De Rosi është treguar pak më shumë realist kur flet për objektivat e skuadrës për këtë sezon: “Liga e Europës dhe vendi i tretë në kampionat do të na lejojë të kapim Championsn pa pasur nevojë të luajmë në fazën paraeliminatore: është një kompeticion shumë i rëndësishëm për ne dhe për klubin në nivelin ekonomik.
Duhet të bëjmë gjithçka për të blerë përfundimisht Tonin dhe Burdison”. Kapiteni i ardhshëm i Romës ka folur edhe për rikthimin e Totit te Italia, me rastin e Botërorit në Afrikën e Jugut. Ndryshe nga Panuçi, numri dhjetë i verdhekuqve ka treguar më shumë respekt ndaj grupit: “Kristiani nuk gabon, por Françesko, ashtu si Nesta, nuk është treguar asnjëherë indiferent ndaj kombëtares, largimi i tij është bazuar tek problemet fizike. Nëse do të kishte luajtur në fazën kualifikuese, tani do të kishte akoma më shumë probleme.
Dhe më pas është një lojtar që respektohet gjithmonë nga grupi. Them se në evenimente të tilla do të preferoja të kisha në krah një futbollist 35-vjeçar dhe jo një 18-vjeçar: eksperienca është shumë e rëndësishme”.