Sipas “Independent”, avokatët e Juventusit janë në Angli për të biseduar sot me Liverpulin për shkëputjen e kontratës së Benitez, i cili tashmë ka marrëveshje me Juventusin. Jean Klod Blank, sipas tabloidit, ka thënë në disa media se tashmë ai ka arritur marrëveshje me Benitezin dhe se ai do të jetë trajner i Juventusit me fillimin e sezonit të ardhshëm. Juventus tashmë ka një trajner të përkohshëm, por se sa të vërteta janë këto spekulime, mbetet që koha ta tregojë, pasi Benitez ka kontratë me Liverpulin deri në vitin 2014.
Anglezët insistojnë se Rafa Benitez nuk do të lëvizë dhe se fjalët e tij mund të interpretohen si një tentativë për të bindur drejtuesit e Liverpulit për të shpenzuar më shumë në merkato. Gjithsesi, Juventusi në cilindo rast, i ka marrë masat për të mos u gjendur i papërgatitur. Alternativat janë bërë të njohura (Prandeli, Alegri, Gasperini). Projekti do të ndryshonte, por jemi në një fazë të sezonit, në të cilën gjithçka është e mundur të ndodhë. Tashmë ekziston edhe një fakt tjetër, i konfirmuar të premten. Që nga ky moment Juventusi ka disa piketa në lidhje me sezonin e ardhshëm. Të gjithë janë nën vëzhgim. Dhe në këtë optikë është normale që vëzhgimet të jenë drejtuar në veçanti nga veteranët, të cilët bëjnë merkato dhe që mund të jenë një investim i rëndësishëm. Po ashtu është normale që, nëse Benitez do të jetë trajneri i Juves, madje menaxher, të sjellë me vete të paktën një njeri të besuar. Ky njeri identifikohet shumë lehtë: Dirk Kajt. Vërtet që holandezi mbush 30 vjeç në qershor, por disa elementë me eksperiencë do të duheshin në rast të një revolucioni. Dhe një trajner ka gjithnjë nevojë për një referim. Sikur të mos mjaftonte, gjithanshmëria e Kajt ofron alternativa të shumta në sulm. Kajt ka vetëm dy vite kontratë, një situatë ideale për të kërkuar të shitet. Thuhet se Juve e kuronte prej kohësh holandezin, por tani nuk është i vetmi: në shënjestër janë edhe dy të tjerë në shtëpinë e “Reds”-ave: i sigurt interesimi për sllovakun Martin Skërtel. Gjiganti është afruar te Liverpuli pikërisht nga Benitez. Tjetër shënjestër është edhe 23-vjeçari Rajën Babel.