Nallbani: Vllazninë mos e shihni nga renditja
Pas fitores me Teutën, bardheblutë kanë filluar të mendojnë seriozisht për kuqeblutë
Pasi kanë fituar në Durrës, 24 herë kampionët tashmë janë përqendruar te ndeshja e radhës, që do të zhvillojnë në kryeqytet me ekipin e Vllaznisë. Stafi i Tiranës është duke e vlerësuar këtë sfidë, pasi luajnë përballë një emri të madh të futbollit shqiptar, që në sezonin e kaluar rivalizonte “rrotë më rrotë” me bardheblutë. Portieri Blendi Nallbani, i cili mungoi në sfidën e fundjavës që shkoi me Teutën në “Niko Dovana” pas kartonit të kuq që mori në derbin me blutë, pritet që këtë fundjavë të rikthehet si titullar.
“Tata”, edhe pse nuk ishte pjesë e skuadrës, e ka ndjekur me kërshëri sfidën e fituar në “Niko Dovana”, ku Tirana dha shpirtin në fushën e lojës. “Më vjen mirë që arritëm të fitonim në Durrës, edhe pse me mungesa “të rënda” në formacion. I trembesha Teutës, pasi ka një ekip simpatik dhe e ka nisur me pretendime sezonin, por ne ia dolëm mbanë dhe fituam.
E kam ndjekur ndeshjen dhe më vjen mirë që Tirana po arrin t’i tregojë mjaft mirë vlerat e veta në fushën e lojës, si një ekip kampion në fuqi. Por më vjen mjaft keq që është krijuar një diferencë pikësh me vendin e parë, pasi do të ishte më bukur sikur të kishim fituar derbin dhe gara të hapej. Megjithatë, tashmë duhet të shohim për vendin e dytë dhe Kupën e Shqipërisë, duke i marrë ndeshjet njëra pas tjetrës,”- pohoi fillimisht “gardiani” i kampionëve në fuqi, Blendi Nallbani.
Lidhur me ndeshjen e radhës, Nallbani e konsideron Vllazninë një “kockë të fortë”, sepse shkodranët jo vetëm që janë një emër i madh në futbollin shqiptar, por të ndëshkojnë edhe kur nuk e pret: “Unë jam futbollist me eksperiencë jo vetëm në radhët e ekipit tim, por edhe në kampionatin shqiptar.
Meqë më pyetët për ndeshjen me Vllazninë, mendoj që duhet vlerësuar së tepërmi dhe të mos e quajmë përballjen të fituar para kohe për vetë momentin jo të mirë që po kalojnë shkodranët. Vërtet Vllaznia ndodhet në vendet e fundit të renditjes, por emri dhe tradita që ka në futboll flasin shumë më tepër, ndaj duhet të luajmë ashtu si me Dinamon dy javë më parë. Synimi ynë i vetëm pa dyshim që është fitorja e takimit.
Nuk do të tolerojmë deri në ndeshjen e fundit të këtij sezoni”. Bardheblutë edhe në këtë përballje do të luajnë me mungesa të shumta. Sipas Nallbanit, që kur ka filluar ky sezon e deri më tani, Tirana, përjashto 2-3 takime, në të tjerat ka luajtur me formacion të cunguar. “Ne u mësuam tashmë dhe nuk po na bëjnë më përshtypje mungesat, pasi që kur ka nisur ky sezon e deri më sot që po flasim, stafi në pak ndeshje e ka pasur grupin të plotë.
Por te Tirana të gjithë lojtarët janë njësoj, aq më tepër që faza përgatitore që zhvilluam në Kemer na ka përmirësuar ndjeshëm në rritjen e përgatitjes fizike. Do të na mungojnë Muka, Devolli, por edhe Lila. Janë tre lojtarë titullarë dhe të rëndësishëm, por edhe ata që do t’i zëvendësojnë kam besim se do të bëjnë më të mirën,”- përfundoi “gardiani” i Tiranës, Blendi Nallbani.
Dje, përgatitje në kalçeto
Bardheblutë, nisur nga shirat e shumta që kanë rënë dy ditët e fundit në kryeqytet, i kanë zhvendosur përgatitjet në kalçeton që ndodhet në mjediset e kompleksit. Kjo është bërë me qëllimin e mirë për të mos dëmtuar tapetin e barit në fushën e madhe, e cila falë punëtorëve të mirëmbajtjes është në gjendje të mirë.
Dede mungon në stërvitje
Nevil Dede, i cili ishte për herë të parë në pankinë si trajner i Tiranës në ndeshjen që bardheblutë fituan në Durrës me ekipin e Teutës, dje pasdite ka munguar. Nga sa bëhet e ditur pranë kampit kryeqytetas, ai nuk ka qenë i pranishëm në “Skënder Halili” për arsye personale.
Abraham, i diferencuar nga grupi
Dje, në seancën e parë të javës anti-Vllazni, mbrojtësi i majtë i Tiranës, Abraham Aleçenu, është përgatitur i diferencuar. Ndryshe nga pjesa tjetër e skuadrës, nigeriani ka bërë kryesisht vrapime të lehta rreth fushës së kompleksit “Skënder Halili”, por edhe ushtrime në palestrën e forcës.
Mile: Fati dhe gjyqtarët, kundër Teutës
Kapiteni i Teutës, Vangjel Mile, e ndien mungesën e Hysës përkrah, duke mos shënuar dot
“Na vjen mirë që arbitrat gjykojnë lirshëm në Durrës, por na vjen keq që kjo lirshmëri bie mbi kurrizin tonë.” Kështu shprehet kapiteni dhe sulmuesi i Teutës, Vangjel Mile, i cili i referohet një 11-metërshi që nuk u akordua në favor të Teutës ndaj Tiranës nga gjyqtari Peza. Megjithatë, sipas Miles, nga mënyra si u zhvillua loja, Teuta nuk e meritonte humbjen dhe Tiranën e ndihmoi, si fati, ashtu edhe arbitri. “Na vjen keq që humbëm, sepse nuk e meritonim atë humbje.
Eshtë e vërtetë që Tirana luajti mirë në pjesën e parë, por edhe ne luajtëm mirë dhe ishim të barabartë, por mjaftoi një goditje standarde që ata të shënonin. Megjithatë, në pjesën e dytë, duke qenë se kundërshtari luante me një lojtar më pak, ne e shtuam presionin dhe loja u zhvillua me një portë, pasi Tirana ishte e gjitha në mbrojtje.
Patëm disa raste, por nuk arritëm të shënojmë, por na vjen keq që në Durrës, në shumicën e ndeshjeve, ka “vulën” e vet edhe gjyqtari. Edhe në këtë ndeshje ai na mohoi një penallti, që do të na sillte barazimin dhe më pas loja do të merrte rrjedhë tjetër. Ishte një pengim flagrant i Çotës në zonë dhe gjyqtari vazhdoi lojën. Na vjen mirë nga njëra anë që në Durrës gjyqtari nuk është nën presion, por nga ana tjetër na vjen keq që kjo lirshmëri bie mbi kurrizin tonë, sepse gjithmonë arbitrat po na hanë pikë. Kjo gjë po kthehet fatkeqësisht në diçka të zakonshme kundër ekipit tonë,” - thekson Mile. Në lidhje me shkarkimin e Josës, kapiteni i durrsakëve nuk ka dëshirë të komentojë, pasi, sipas tij, kjo është kompetencë e presidentit. “Natyrisht, punën e trajnerit e gjykon presidenti dhe këtu nuk mund të komentosh asgjë.
Fati i keq që humbëm në këtë ndeshje, ku arritëm të luajmë edhe me katër sulmues dhe përsëri nuk arritëm rezultat. Kam bashkëpunuar mirë me Çotën, që e rrezikoi disa herë portën kundërshtare, ndërkohë që mund të them që u ndje mungesa e Hysës, që shpresoj të rikthehet sa më shpejt.
Kemi një ndeshje shumë të rëndësishme në Korçë, ndaj duhet përqendrim maksimal,” - shton Mile, i cili në lidhje me këtë ndeshje, thotë: “Tashmë pozitat tonë në klasifikim janë tepër delikate. Nuk duhet të bëjmë asnjë lëshim dhe të “thyejmë këmbët” në fushë në çdo ndeshje. Nëse marrim një rezultat pozitiv në Korçë, kam besim se do të fillojmë përsëri të ngrihemi në pozitat ku ishim dhe të sulmojmë vendin e tretë.”
Trajneri Josa takon lojtarët
“Ishte kënaqësi që punova me ju.” Këto ishin fjalët e ish-trajnerit të Teutës, Mirel Josa, i cili është takuar me futbollistët e Teutës përpara se ata të nisnin dje stërvitjen. Josa ka shtrënguar duart me të gjithë futbollistët dhe stafin teknik, për të takuar edhe një herë të gjithë ata me të cilët punoi që nga fillimi i sezonit.
Stërvitja drejtohet nga Ylli Shehu
Teuta ka zhvilluar seancën e parë stërvitore pa trajnerin Mirel Josa. Kjo seancë stërvitore është drejtuar nga zv/trajneri i Teutës, Ylli Shehu, dhe përgatitësi atletik Eduard Salillari. Në fillim durrsakët kanë zhvilluar përgatitje atletike dhe aerobi nën drejtimin e Salilarit e më pas kanë zhvilluar ushtrime me top të drejtuar nga Ylli Shehu.
Vila: Më kishte munguar shumë goli
Futbollisti i Dinamos, Emiliano Vila, është zhbllokuar ndaj Skënderbeut
Dinamo ka arkivuar fitoren e radhës në kampionat në shifrat 3-0 përballë skuadrës modeste të Skënderbeut. Dinamovitët kanë dhuruar 90 minuta futboll të bukur për të pranishmit në shkallët e stadiumit, edhe pse gjendja shpirtërore e tyre ka qenë e rënduar përpara sfidës si pasojë e problemeve të ditura tashmë lidhur me mbrojtësin Marko Putinçanin.
Gjithsesi, ajo ndeshje ka pasur një shije të veçantë për mesfushorin me tipare sulmuese Emiliano Vila, i cili ka shënuar një gol shumë të bukur pas një kombinimi me Nertil Ferrajn. Gjatë një prononcimi për “Sportin shqiptar”, futbollisti këmbëshpejtë Emiliano Vila ndihet i lumtur për golin e shënuar, por edhe për fitoren e skuadrës. “Ishte një ndeshje e vështirë, për faktin se kemi përjetuar një gjendje të vështirë emocionale dhe shpirtërore përpara saj.
Të përjetoje atë moment ishte shumë tronditëse. Personalisht nuk isha aty kur ndodhi, por pashë shokët e mi tepër të shqetësuar nga ajo që kishin parë. Të gjithë ishin të zverdhur në fytyrë dhe tregonin të tronditur çfarë kishin parë. Normalisht, edhe unë u ndjeva shumë keq. Deri përpara fillimit të ndeshjes kemi qenë të tromaksur, por në ndeshje arritëm ta marrim veten, edhe pse nuk ishte aspak e lehtë. I uroj personalisht shërim sa më të shpejtë Markos dhe rikthim te Dinamo. Goli normalisht më ka gëzuar, pasi kisha kohë që nuk shënoja.
Tashmë më në fund u zhbllokova edhe unë. Në derbin me Tiranën kishte shumë tension dhe vëmendja s’mund të ishte vetëm te Vila. Unë shpreha mendimin tim pas derbit që s’mund të jap më të mirën në krahun e majtë, por unë pranoj të luaj në çdo pozicion që do të më caktohet. Tashmë duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës në Ersekë. Duhet t’i marrim ndeshjet një nga një. Kemi rivale si Besa dhe Tirana, që na ndjekin hap pas hapi, por ne kemi llogaritë tona,”- shprehet nr.11 i Dinamos, Emiliano Vila.
8 muaj pa shënuar gol
Goli ndaj Skënderbeut, për Emiliano Vilën ishte i pari pas dopietës së fundit të shënuar në kampionatin shqiptar më datën 23.05.2009, pikërisht në sfidën e “Ruzhdi Bizhutës”, Elbasani-Teuta 3-2 (sezoni 2009-2010): “Normalisht që më mungonte goli, kisha që nga sfida e kampionatit të kaluar, kur kam shënuar një dygolësh në Elbasan,”- citon mesfushori Emiliano Vila, cili kishte rreth 8 muaj pa shënuar gol.
“Besën e sqarojmë përballë”
Me fitoren e sotme, Besa është rivali më i afërt i Dinamos. Dy ekipet do të përballen në javën e 21-të në “Qemal Stafa” dhe një fitore e verdhezinjve në Vlorë do ta bentë rivalitetin në kampionat më interesant, por për Vilën, kavajasit do të njohin forcën e bluve në përballjen direkte: “Ne duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një, por me Besën mendoj se gjërat do të sqarohen në përballjen direkte.”
Pisha-Diop “shkëmbehen” me Bakaj-Allmuça
Ndeshja me Skënderbeun vërtet është fituar nga blutë, por në krahun tjetër i ka nxjerrë disi të humbur dinamovitët. Kështu, pas kartonit të kuq, Papa Diop do të mungojë në Ersekë përballë Gramozit. Ndërkohë që edhe kapiteni Arian Pisha do të mungojë ndaj kolonjarëve si pasojë e kartonëve të verdhë (3 të tillë të marrë ndaj Skënderbeut). Por “dhimbja e kokës” për stafin blu mund të ikë me rikthimin e Elis Bakajt dhe Igli Allmuçës, që të dy të skualifikuar pas derbit me Tiranën.
Legjionarët Erjon Bogdani, gati 30 minuta me Bolonjën
Erjon Bogdani e ka humbur vendin e titullarit javët e fundit në radhët e Kievos, teksa është aktivizuar vetëm në pjesën e dytë. Edhe ndaj Bolonjës, shtatlarti shqiptar është hedhur në fushë vetën në minutën e 65-të, kur rezultati ishte mbërthyer në shifrat 1-1. Sulmuesi i kombëtares shqiptare u fut në fushë në vend të Abruskatos. Kievo renditet në një pozicion komod, pasi mbetet larg zonës së fohtë të renditjes.
Kristi Vangjeli, sërish jashtë formacionit
Dëmtimi i muajti shtator me kombëtaren shqiptare duket se i ka kushtuar shumë Kristi Vangjelit. Edhe në ndeshjen në transfertë me Ksanthin (2-1 për vendësit) Vangjeli nuk ka mundur ta prekë tapetin e gjelbër.
Shtyhet ndeshja Ethnikos-Apoel
Terreni i rënduar nga reshjet e dendura të shiut ka bërë që takimi Ethnikos Aknas-Apoel Nikosia të shtyhet. Pra, për të parë sërish Altin Haxhin në fushë, që luan në radhët e skuadrës së kryeqytetit qipriot (Apoel), duhet të presim fundjavën.
Lorik Cana, sot në fushë ndaj Stok Sitit
Skuadra e Sandërlendit do të luajë sot në shtëpi ndaj Stok Sitit në kampionatin anglez. Javët e fundit të besuarit e Stiv Brusit kanë marrë rezultate për t’u harruar. Me Stokun pritet kthesa e “Maceve të zeza”. Lorik Cana ka folur gjatë në “Skysport”, duke kërkuar rikthimin te rezultatet e mira, për t’i bërë një mbyllje sa më të kënaqshme kampionatit. Sandërlendi ka vuajtur shumë nga mungesat e disa titullarëve.
Teuta shkarkon trajnerin Mirel Josa
Durrës - Trajneri Mirel Josa është shkarkuar nga drejtimi i Teutës pas humbjes së fundit me Tiranën në fushën e vet.
Pas 18 javësh, Josa regjistroi me skuadrën durrsake 8 fitore, 2 barazime dhe 9 humbje, duke grumbulluar në total 26 pikë. Interesant është fakti se, po pas javës së 19-të Mirel Josa është shkarkuar edhe sezonin e kaluar nga Elbasani.
Aktualisht vetëm katër ekipe nuk kanë ndërruar trajner brenda këtij sezoni, Dinamo, Besa, Kastrioti dhe Laci.
Më poshtë do të paraqesim të gjitha lëvizjet e trajnerëve që kanë ndodhur brenda këtij sezoni.
Vllaznia: Hasan Lika (java 1-5). Roland Luçi (java 6-17). Edi Martini ( nga java e 18)
Shkumbini: Gugash Magani (java 1-2). Kristaq Mile (java 3-15). Përparim Daiu (nga java e 16)
Flamurtari: Eqerem Memushi (java 1-4). Gugash Magani (nga java e 5)
Gramozi: Ilir Qirjako (nga java 1-5). Agim Canaj (nga java e 6-të).
Tirana: Ilija Lonçareviç (java 1-6). Alban Tafaj (java e 7-18). Nevil Dede (nga java e 19)
Apolonia: Esad Karishik (java 1-10). Hasan Lika (nga java e 11-të)
Skënderbeu: Gerti Haxhiu (java 1-17). Andre Marko (nga java e 18)
Teuta: Mirel Josa (nga java 1-19)
Ekipet që nuk kanë ndërruar trajner:
Dinamo: Shkëlqim Muça
Besa: Shpëtim Duro
Kastrioti: Ramadan Ndreu (Shaban Dollaku zëvendësoi për 5 javë Ndreun e pezulluar 5 javë nga FSHF-ja)
Laçi: Stavri Nica