18 shkurt 2010

Ja arsyet e humbjes së Milanit

Kuqezinjtë shënuan një gol dhe humbën shumë raste për t’u ndëshkuar më pas

Milan-Mançester Junajtid ishte një nga ndeshjet më të ndjekura të 8-shes së Champions League. Ndërkohë që këto janë përgjigjet e humbjes së kuqezinjve italianë.
Pse humbi Milani?

- Skuadra angleze tregoi pjekurinë dhe vendosmërinë për t’u rikthyer. Në pah u vu gjithashtu dhe strategjia dinake e Sër Alex Fergusonit. Fati gjithashtu e ndihmoi Junajtid në mposhtjen e Milanit, që nga ana tjetër dështoi të konkretizonte.

Nesta–Silva?
Dyshja Nesta–Silva funksionoi për mrekulli në pjesën e parë, kurse në pjesën e dytë dështoi totalisht. Në fakt, kthesa në këtë takim u bë kur u barazua rezultati me atë gol fatlum të Skolls, pas daljes së Antoninit. Kjo ishte fatale për mbrojtjen e Milanit. Anësorët e Junajtid gjetën mjaft hapësira për të depërtuar në thellësi të zonës së Milanit, ku dhe u shpartallua mbrojtja e Milanit deri në ato momente..

Ku gaboi Leonardo?
Leonardo duket se nuk mësoi asgjë nga disfata ndaj Interit, apo thënë më mirë gaboi më rëndë. Strategu brazilian gabimin e parë e bëri në fillim të takimit. Pozicionimi i Devid Bekamit në qendër të fushës ishte një gabim fatal. Leonardo nuk shfrytëzoi sa duhet harkimet e Bekamit, që siç dihet janë legjendarë. Bashkëpunimet me Pirlon, që siç u pa të martën, dështoi. Leonardo, është dashur thjesht ta vendosë Gatuzon në pozicionin e zakonshëm të tij. Gabimi i dytë i Leonardos ishte Huntelar. Holandezi nuk u pa të prekte topin, pos atij rasti ideal të humbur. Çdo sulmues tjetër do të shënonte. Do të ishte më mirë që në vend të Huntelar të luante Inzagi që është dhe sulmuesi më i mirë i të gjitha kohërave në Champions, apo dhe Klarens Sedorf, që u fut me vonesë dhe shënoi një gol spektakolar... Gabimi i tretë dhe më i rëndë i Leonardos ishte zëvendësimi i Antoninit të dëmtuar me Favalin..

Ferguson
Ferguson nuk qëndroi kot në “San Siro” për të ndjekur Milanin në ndeshjen me Udinezen, por për këtë i ndihmoi dhe ndeshja me Interin, sigurisht. Planet e Leonardos dështuan për të mos pësuar gol, kur Ferguson ashtu siç ishte parashikuar, do të kërkonte qarkullimin e topit dhe vështirësimin e rikthimit të Milanit në lojë. Ai largoi nga loja Nanin dhe futi Valencian, që me një harkim për Runin e kreu punën e tij. Fati ishte gjithashtu në anën e Fergusonit. Milani pati rastet e tij në këtë takim, por nuk i shfrytëzoi. Junajtid mbaroi ndeshjen me tri raste dhe që të tria i konkretizoi. Thjesht, Ferguson aplikoi një strategji të përkryer, por lojë jo të mirë. Kjo dëshmoi se ndeshja e djeshme ishte ndeshje taktike.