03 shkurt 2010

Ivica Oliç kundër Riberisë: Nuk është një profesionist

Bajern Mynih - Që prej fillimit të sezonit, te Bajerni i Mynihut po mundohen t’i japin zgjidhje një çështjeje mjaft delikate. Protagonist është ylli francez, Frenk Riberi, që për shkak të problemeve me trajnerin dhe dëmtimeve, ka luajtur vetëm 11 ndeshje në këtë sezon. Një numër i vogël paraqitjesh për pretendimet e klubit bavarez, duke qenë se mesfushori është një prej shtyllave kryesore të skuadrës. Ashtu si ndodhi edhe me Luka Tonin, Riberi ka pasur mosmarrëveshje me teknikun Van Gal, por ndryshe nga italiani, ai qëndroi dhe tashmë është i detyruar të përballojë një tjetër “sulm”. Këtë herë, akuzat vijnë nga ekipi, me Ivica Oliç që nuk i kursen fjalët e ashpra. “Frenk është një lojtar shumë cilësor, por ka ardhur koha të vendosë se çfarë dëshiron të bëjë. Pësoi një lëndim, ndërsa më pas u dëmtua sërish. Mendoj se klubi ka vepruar drejt që i bëri një ultimatum: ose do të vendosë të luajë, ose më mirë të largohet”, tha kroati. “Riberi është më i mirë se Roben, megjithatë edhe holandezi mund të bëjë diferencën. Por, ndryshe nga Arjen, Frenku është më pak profesionist”. Ndërkohë, në Spanjë po spekulohet se Reali i ka bërë një ultimatum francezit: ai duhet të shprehet rreth ofertës së madrilenëve brenda javës së ardhshme, në të kundërt Perez do të ndryshojë objektiv në merkato.