03 shkurt 2010

Dinjo, tri net të çmendura para derbit

Skandali: Festë e çmendur në suitën e një hoteli të madh. Çmimi: 75 mijë euro,
Një gjë e kemi kuptuar. Ronaldinjo nuk është “i shenjtë”: vështirë të kalojë mbrëmjet e tij në shtëpi, duke parë “Porta a Porta” me një çaj në dorë dhe këmbët mbi tavolinë. Preferon restorantet braziliane, të këndojë në lokalet e sambas, të qëndrojë deri vonë me miqtë. As nuk e mendon që të nesërmen do të duhet të stërvitet para një ndeshjeje me peshë për titull. Jo rrallë është parë në diskoteka, festivale latino-amerikane, të gëzohet i vetëm, me miqtë dhe kolegët e skuadrave të tjera. Ndonjëherë klubi i ka tërhequr veshin, në raste të tjera thjesht është paralajmëruar. Gjithsesi, rendimenti i brazilianit ka qenë i nivelit të lartë: ka shënuar 9 gola në kampionat (golashënuesi më i mirë i skuadrës); realizoi një tripletë fantastike ndaj Sienës dhe në shumë raste ka udhëhequr Milanin drejt fitores. Ronaldinjo kështu është, pranoje ose jo. Në Torino e ka gdhirë duke festuar ditëlindjen e vëllait, Roberto, mes barbekjusë dhe muzikës: por pas asaj që kishte treguar në fushë ndaj Juves (2 gola për fitoren 3-0 të Milanit), askush nuk tentoi ta qortonte publikisht. Ndërsa tani, pas humbjes në derbi dhe zbehjes së ëndrrave, një “gossip” malinj qarkullon prej ditësh në Milano. “Ronaldinjo ka festuar gjatë gjithë javës para ndeshjes me Interin”, thonë. E mundur? Po, e mundur. Braziliani, njeriu më ideal i Milanit të Leonardos, lojtari më i dashur i presidentit Berluskoni dhe i aftë të shënojë 5 gola në 8 ditë mes Juves e Sienës, ka festuar si i çmendur për tri net radhazi në një nga hotelet më luksoze, por edhe më publikët në qytet. Ka marrë me qira për vete dhe miqtë e tij një suitë luksoze, për ta braktisur nxitimthi vetëm të shtunën në mëngjes, për të shkuar në stërvitje në prag të grumbullimit të skuadrës. Tri ditët e festës kanë kushtuar 75 mijë euro, goxha luks. Puna e tij, duhet të themi. Por lind dyshimi: sjellja e tij në këto 3 ditë para sfidës a ka ndikuar në rendimentin e ndeshjes? “Corriere della Sera” e ka vlerësuar me notën 5, që është miratuar edhe nga “Gazzetta dello Sport”. Dinjo ka humbur një penallti, madje ka ofruar një paraqitje zhgënjyese. “Ishte i mërzitur për humbjen e derbit dhe të penalltisë”, komentoi Leonardo. Por gjithsesi askush nuk e fakton që Milani do ta kishte mundur Interin, nëse Dinjo do të kishte pushuar në shtrat gjatë gjithë javës dhe të kishte parë një DVD të bukur në shtëpinë e tij. Gjithsekush mund ta kalojë kohën e lirë siç dëshiron. Klarens Sedorf javën e ardhshme me ftesë të Kofi Anan, Bob Geldof dhe Desmond Tutu, kryepeshkopit afrikano-jugor, do të flasë në Londër në konferencën “One Young World”. Një samit ku flitet për të rinj nën 25 vjeç, që kandidojnë për t’u bërë lider të së nesërmes. Sedorf do të mbajë një diskutim dhe do të bëhet ambasador i organizatës botërore. Do të niset më 8 shkurt dhe do të kthehet më 10: drejtuesit milanistë i kanë dhënë lejë lojtarit të shkojë, sepse flitet për një iniciativë prestigjioze dhe për vetë klubin. Por prezenca e mesfushorit për ndeshjen me Udinezen më 12 shkurt dhe përgatitjen sa më të mirë të sfidës së Championsit me Mançesterin më 16, është në dyshim të madh.