Herta e Berlinit duhet të bëjë historinë dhe të fitojë në fushën e Benfikës nëse synon të kualifikohet për 1/16 e Ligës Europa. E vetmja skuadër gjermane që ka fituar në fushën e portugezëve ka qenë Bajerni i Mynihut në vitin 1995 në Kupën UEFA, ndërsa 14 ndeshjet e tjera nuk kanë sjellë fitore për skuadrat gjermane. Herta i ka humbur të tri ndeshjet që ka luajtur në Portugali në vite, por ka fituar dy ndeshjet e fundit të Ligës Europa në transfertë dhe vjen pas fitores 3-0 në Bundesligë kundër Frajburgut.
Herta, që është ende nga fundi i tabelës në Bundesligë, kërkon të fitojë kundër skuadrës së dytë portugeze këtë sezon, pasi ka mundur edhe Sportingun e Lisbonës në Grupin D. Megjithatë, gjermanët përballen me një Benfikë që i ka fituar të katër ndeshjet në fushën e vet në Ligën Europa me bilancin e golave 13-1. Në fillim të këtij muaji, ndeshja e parë mes tyre përfundoi 1-1 në Berlin. Angel Di Maria i dha Benfikës epërsinë që në minutën e katërt në “Olympiastadion”, por ndeshja përfundoi 1-1 sepse Havi Garsia shënoi autogol pas krosit të Lukash Piszekut.