19 shkurt 2010

Blater “gjen” rivalin për FIFA-n

Presidenti i FIFA-s Sep Blater ka mësuar ditën e djeshme se do të ketë një rival kur të hedhë kandidaturën për një mandat të katërt si drejtuesi kryesor i futbollit botëror, duke thënë se ai pret të ketë sfidues kur të kërkojë rizgjedhjen në qershor të 2011-ës. “Tani është e dukshme se do të ketë kandidatë për presidencën e FIFA-s, është një kandidat nga Azia”, ka thënë 73-vjeçari. “Unë nuk e kam ndryshuar qëndrimin tim. Jam akoma këtu dhe shpresoj të jem këtu edhe në 2011-ën.
Nuk e kam përfunduar akoma misionin tim”. Edhe pse Blater nuk ka përmendur emrin e rivalit, presidenti i Konfederataës Aziatike të Futbollit, Mohamed Bin Hamam i Katarit mund të jetë një sfidues. “Ne do të donim të shikonim një aziatik si president të FIFA-s”, ka thënë Hamam të martën në Seul, pasi është takuar me presidentin korean. “Besoj se ka ardhur koha për një aziatik të kandidojë për këtë pozicion. Dhe mund të jetë më shumë se një kandidat aziatik”, ka përfunduar Hamam. Blater ka pasuar Zhoao Havelanzhen në vitin 1998 dhe ka fituar mandatin e tretë si kandidat i vetëm në 2007-ën.